Maqedonia sot dhe nesër nis bisedimet për në NATO

  • 18 October 2018 - 09:39
Maqedonia sot dhe nesër nis bisedimet për në NATO

Të enjten dhe të premten zyrtarisht fillojnë bisedimet për anëtarësim në NATO.

Koordinatori nacional për NATO, Stevo Pendarovski tha se Komiteti për integrimin e vendit në NATO ka përpiluar një draft të reformave për të cilat do të diskutojnë me përfaqësuesit e Aleancës. Pendarovki sqaroi detaje të bisedimeve të kësaj jave.

“Bisedat aderuese të enjten dhe të premten do të zhvillohen në dy sesione. E para do t’i përfshijë çështjet politike dhe të mbrojtjes, për përmbushje të kushteve për anëtarësim. Derisa e dyta përfshin çështje të lidhura me resurset, sigurinë, aspektet juridike si dhe kontributin e Maqedonisë në buxhetin e përbashkët të Aleancës. Në këtë fazë të bisedimeve do të konfirmohet edhe korniza kohore për kompletimin e tyre”, u shpreh Stevo Pendarovski, kordinator nacional për NATO.

Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska dhe ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov theksuan se e vetmja rrugë për anëtarësimin e vendit në NATO është zbatimi i Marrëveshjes së Prespës.

Bisedimet për anëtarësim në NATO do të zgjasin deri në fund të vitit. Në janar Maqedonia do ta nënshkruajë protokollin për anëtarësim, me çka do të ketë të drejtë pjesëmarrjeje në të gjitha trupat punues të NATO-s, por pa të drejtë vote.

Anëtarësimi i vendit në Aleancë mund të ndodhë vetëm pasi të gjitha shtetet anëtare ta ratifikojnë protokollin për anëtarësim.

(Kosova Sot)