OAK sërish i kërkon Kuvendit ta heq nga rendi i ditës projektligjin për miniera

  • 18 October 2018 - 10:38
OAK sërish i kërkon Kuvendit ta heq nga rendi i ditës projektligjin për miniera

Oda e Afarizmit të Kosovës, me rekomandim të bizneseve anëtare, edhe një herë ka kërkuar që projektligji për Miniera dhe Minerale të largohet nga rendi i ditës në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Në një kërkesë drejtuar kryetarëve të grupeve parlamentare, kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetareve, OAK ka arsyetuar këtë kërkesë, duke vlerësuar se përveç mungesës së harmonizimit të këtij projektligji me ligjet e tjera të Republikës së Kosovës, arsye shtesë për kthim prapa të tij është edhe mos përfshirja e kërkesave kryesore të bizneseve të sektorit të Minierave dhe Mineraleve në draftin final.

Oda e Afarizmit të Kosovës ka përsëritur edhe një herë disa nga rekomandimet e bëra dhe të mos përfshira në draftin final, e që konsiderohen esenciale nga bizneset e këtij sektori.

“Të rikthehen distancat dhe të jenë specifike për çdo sektor. 2.Me miratimin e lejes minerare të shfrytëzimit , zona e lejuar e shfrytëzimit hiqet nga fondi pyjor e kullosor, prone shtetërore dhe kalon si pasuri minerare.3. Të krijohen procedura të veçanta të aplikimit për licencë për çdo sektor, sepse veprimtaria dhe kompleksiteti i çdonjërit dallon nga tjetri. Pra, të bëhet ndarja e procedurave të aplikimit për Metalore, Jometalore, Zhavor, Gurët dekorativ dhe Thëngjill etj. 4. Të klasifikohen lumenjët dhe në bazë të llojit të caktohet distanca e punës në lumenjë. 5. Të specifikohet në licencë hapësira punuese në lum dhe i licencuari të mbetet përgjegjës për mirëmbajtjen e shtratit të lumit në mënyrë që të mos degradohet dhe të mos ketë vërshime. 6. Një licencë për shfrytëzimin e rërës dhe zhavorit që nuk gjendet në shtretërit e ujrave sipërfaqësorë duhet të jepet në bazë të kërkesës së pronarit tà « tokës ku gjenden. 7. Kërkesa për koncesion shfrytëzimi të dërgohet në komunë, pastaj të paraqitet në KPMM. KPMM do të marrë përgjegjësinë e bartjes së këtyre kërkesave në Ministritë përkatëse. 8. Kërkesës për dhënien e licencës i bashkëngjiten: të dhënat për subjektin që kërkon koncesion, një hartë topografike në një shkallë prej 1: 5.000 së bashku me koordinatat e pikës kufitare të vendndodhjes së një zone të përcaktuar, një raport për vëzhgimin e tokës për qëllime të veçanta me shënime kadastrale për zonën për të cilën kërkohet dhënia e koncesionit të shfrytëzimit, të përgatitur nga tregtarët e veçantë - gjeodete të autorizuara të tokës dhe shoqëritë tregtare për vrojtimin e tokës që plotësojnë kushtet sipas Ligjit mbi kadastrën e pronës së paluajtshme; një studim fizibiliteti të koncesionit. 9. Kontrollimi i zbatimit të projektit të bëhet nga Inspektorët Komunal të Komunës përkatëse, ndërsa KPMM të jetë në mbikëqyrje të vazhdueshme duke qenë organi më i lartë për këtë sektor. 10. Garancia të bëhet në të gjitha institucionet e licencuar nga BQK-ja dhe të dorëzohen në KPMM”, thuhet në komunikatë.

Oda e Afarizmit të Kosovës ka ftuar të gjithë përfaqësuesit e subjekteve politike në Kuvend, që Projektligji për Miniera dhe Minerale të rikthehet edhe një herë në dëgjim publik, pasi që konsideron se ky rikthim do të jetë mjaft frytdhënës.

“Gjithashtu, Oda e Afarizmit të Kosovës Ju mirëpret në takime diskutuese me bizneset e sektorit të Minerave dhe Mineraleve duke pas parasysh që bizneset janë të interesuara t’i diskutojnë këto kërkesa me çdo palë që mund të ndikoj në këtë çështje. Ju lutemi që t’i përgjigjeni pozitivisht kërkesës tonë, në mënyrë që edhe miratimi i ligjeve të bëhet konform nevojave të bizneseve”, thuhet në komunikatën e OAK.

(Kosova Sot)