Varroset Akademik Pajazit Nushi (Foto)

  • 03 September 2015 - 18:08
Varroset Akademik Pajazit Nushi (Foto)

Pas mbledhjeve komemorative dhe homazheve që iu bënë në Prishtinë dhe në Gjakovë, në varrezat e qytetit të tij të lindjes, në Gjakovë, u varrosur Akademik Pajazit Nushi, i cili, të mërkurën, në moshën 82 vjeçare, vdiq në Prishtinë.

Në përcjelljen e fundit të Akademik Nushit merrnin pjesë një numër i madh i qytetarëve të vendlindjes së tij, Gjakovës, por edhe nga viset e tjera shqiptare, në mesin e të cilëve kishte kolegë të tij nga ASHAK-u, veprimtarë politik, arsimor e kulturor. I fundit nga Nushi, në emër të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, është nda Akademik Ali Aliu.

Image

 “Kontributi i Pajazit Nushi në shumë fusha të jetës tonë është i përmasave të mëdha. Ai ka lënë pas një veprimtari të pasur  që do të jetë e pranishme përherë në hapësirat shqiptare. Gjatë jetës së tij të begatë, natyrën dhe karakterin e Akademik Nushit e stolisnin një veçanti që e kishte dhe e sillte nga tradita kombëtare dhe arsimore e qytetit të tij të lindjes. Në të gjitha postet dhe funksionet e rëndësishme që mbante për më shumë se një gjysmë shekulli, në të gjitha punët që kryente ai, këtë formim thuajse të shenjtë të qytetit ku u lind dhe u edukua, do ta ketë busull orientimi deri në ditët e fundit të jetës. Me asnjë kusht dhe para asnjë sfide ai nuk do ti shmangej këtij parimi dhe vizioni etik e jetësor” ka thënë Akademik Aliu.

 

Image

Ndërkaq duke folur për krijimtarinë e Pajazit Nushit, Aliu pos tjerash ka potencua se “Trashëgimia profesionale dhe veprat e Akademik Nushit, mbesin pjesë e përhershme e kulturës sonë, ndërsa kontributi në arsimimin dhe edukimin e shumë brezave është i pashkëputshëm nga zhvillimi ynë si komb dhe si shtet. Të tillë do të vazhdojmë ta kemi kujtimin për Pajazit Nushin” ka thënë Akademik, Ali Aliu.

(Kosova Sot)

Image

Image