Presidenti harron dhunimet, masakrat e dëmet e luftës, për të shpëtuar veten nga Specialja

  • 18 October 2018 - 08:12
Presidenti harron dhunimet, masakrat e dëmet e luftës, për të shpëtuar veten nga Specialja
Bislimi: Hashim Thaçi, para se të takohet me udhëheqësit e shtetit të Serbisë, duhet të shikojë në sy Vasfijen, e përmes saj 20 mijë gra e vajza të tjera

"Presidenti Hashim Thaçi, në vend se të shtyjë proceset për paditë kundër atyre që kanë dhunuar femrat shqiptare, në vend se të ngrejë padi kundër vrasësve që vranë dhe masakruan bashkëqytetarët tanë dhe luftëtarët e UÇK-së, në vend se të detyrojë Serbinë të kompensojë të gjitha dëmet e luftës, ai merret ekskluzivisht me faljen e krimeve të luftës dhe faljen e 1/3-s së territorit të Kosovës Serbisë gjakatare, vetëm e vetëm që t'i shpëtojë Gjykatës Speciale. Kështu, Hashim Thaçi me klikën e tij të UDB-ashëve është duke bërë tradhti historike ndaj shtetit dhe popullit kosovar", thotë analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot" 

Duke shikuar dhe dëgjuar rrëfimin rrëqethës të Vasfije KrasniqitGoodman, e cila mori guximin për të thyer një tabu në shoqërinë kosovare, duke u bërë gruaja e parë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës, për të rrëfyer edhe publikisht për tmerrin e përjetuar kur është përdhunuar nga forcat policore serbe në vitin 1999, njohësit e së drejtës, analistët politikë dhe qytetarët, vazhdojnë ta nxjerrin akoma më ashpër para përgjegjësisë dhe ta akuzojnë presidentin Hashim Thaçi, sikurse të gjithë krerët e institucioneve të Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot, të cilët asnjëherë nuk u kujtuan që të kërkojnë përgjegjësi nga shteti serb për krimet në Kosovë, për dhunën dhe terrorin, e të cilët edhe sot e kësaj dite po vazhdojnë t'i injorojnë dhe të tallen edhe me dhunimin e femrave, edhe me vrasjet, edhe me dëmet e luftës që Serbia i ka bërë në Kosovë. Analistët dhe qytetarët thonë se në vend që i pari i shtetit të Kosovës, i cili e ka marrë flamurin për të vazhduar bisedimet me Serbinë, ta fusë në agjendë si pikë të parë këtë çështje, ndër më të ndjeshmet dhe më të rëndat për qytetarët dhe shtetin e Kosovës, ai vazhdon ta injorojë atë dhe të insistojë që Serbisë duhet t'i falen edhe dhunimet, edhe vrasjet, edhe dëmet e luftës, por edhe 1/3 e territorit të Kosovës, vetëm e vetëm që ai t`i shpëtojë Gjykatës Speciale. Sipas analistëve, Hashim Thaçi dha vartësit e tij, në vend se të shtyjë proceset përpara për paditë kundër atyre që kanë dhunuar femrat shqiptare, në vend se të ngrejë padi kundër vrasësve që vranë dhe masakruan bashkëqytetarët tanë dhe luftëtarët e UÇK-së, në vend se të detyrojë Serbinë të kompensojë të gjitha dëmet e luftës, ai merret ekskluzivisht me faljen e krimeve të luftës dhe faljen e 1/3 të territorit të Kosovës Serbisë. Nga analistët politikë dhe qytetarët, Hashim Thaçi akuzohet se është duke bërë tradhti kombëtare së bashku me klikën e tij të UDBashëve, tradhti historike ndaj shtetit dhe popullit kosovar, siç po e quan edhe ishkëshilltari dhe eksperti amerikan, David Phillips, por edhe aktivistja serbe, Sonja Biserko, e cila zbardhi edhe një të vërtetë tjetër, sipas së cilës në këtë lojë janë futur edhe A. Soros, mik i mirë edhe i Shpend Ahmetit, e disa të tjerë!

BISLIMI: DREJTËSIA KOSOVARE, E DIRIGJUAR NGA POLITIKA E INKRIMINUAR, KA DËSHTUAR EDHE NË RASTET E KOMPENSIMIT TË DËMEVE TË LUFTËS!
Sipas politologes Liridona Bislimi, rrëfimi i zonjës Vasfije është një hap i guximshëm i saj, por nga ana tjetër është një turp për presidentin dhe tradhti kombëtare që nuk e bëri temë bisedimesh një herë këtë çështje, qoftë në pozitën e kryeministrit sa e ka udhëhequr dialogun, qoftë tani në pozitë të presidentit."Vasfije Krasniqi-Goodman ka thyer një tabu në shoqërinë shqiptare, pasi është bërë gruaja e parë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës që ka rrëfyer publikisht tmerrin e përjetuar kur është përdhunuar nga forcat policore serbe në vitin 1999.Vasfija foli publikisht në televizionin publik për këto krime të pafolura të luftës.Luftoi krimin, luftoi paragjykimin dhe luftoi për të vërtetën.Deri më tani, storjet e përdhunimit ishin numra, e me këtë rrëfim ato u bënë reale dhe edhe një herë na përkujtuan mbi dhembjet e luftës e krimeve", vlerësoi ajo."Edhe gati pas 2 dekadash liria jonë nuk është e plotë pa gjykimin e krimeve të dhunës seksuale, duke mos u ngritur zëri i fuqishëm kundër këtyre rasteve çnjerëzore, duke mos ndarë fonde të veçanta për t'u ndihmuar për t'i riintegruar këto vajza, gra tona në shoqëri, duke mos iu ofruar vende pune, aktivitete dhe strehim, si dhe duke mos punuar për këtë kategori shumë të dhimbshme të rëndësishme dhe të harruar te shoqërisë sonë.Kjo klasë politike kosovare në krye me Hashim Thaçin po sillet si e verbuar tash e 20 vjet pas lufte, sepse asnjëherë nuk ndërmori asgjë për paditë rreth krimeve të luftës, as për paditë e qytetarëve e bizneseve kundër Serbisë për dëmet e luftës, as kolektive e as individuale.Për këto vite ka dështuar edhe drejtësia kosovare, e dirigjuar nga politika e inkriminuar nuk ka adresuar asnjë rast sa u përket çështjeve të kompensimit të dëmeve të luftës", vijoi më tutje Bislimi."Madje drejtësia kosovare, e dirigjuar nga politika e inkriminuar, ka refuzuar ta adresojë çështjen e kompensimit të dëmeve të shumta që iu bënë qytetarëve dhe bizneseve nga regjimi gjenocidal serb, por edhe të gjithë të tjerëve që ngritën padi në gjykatë, duke mbajtur kështu krahun Serbisë fashiste që na dogji, na vrau e na shkatërroi në masë, së cilës Serbi presidenti Hashim Thaçin po kërkon me çdo kusht që dialogun me Serbinë ta përfundojë sa më shpejt, duke ia dhuruar Vuçiqit gati 1/3 e Kosovës, për ta shpëtuar veten nga GJYKATA SPECIALE, ndërkaq asnjëherë në dialogun Prishtinë-Beograd në Bruksel nuk u kërkua kompensimi për dëmet e luftës, edhe pse dëmet e luftës që Serbia ka shkaktuar në Kosovë llogariten mbi 22 miliardë euro, por që Hashim Thaçi ka vendosur t'ia falë Serbisë të gjitha", tha Liridona Bislimi për "Kosova Sot".Sipas saj, sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo, një gjest aspak i hijshëm i presidentit Thaçi kishte ndodhur para dy vjetësh, kur ai u përkul para viktimave serbe në Grackë të Lipjanit, e në pllakatin e atyre personave lexonte "viktima të terrorit shqiptar", duke bërë tradhti historike ndaj shtetit dhe popullit kosovar."Pra, presidenti Hashim Thaçi, para se të takohet me udhëheqësit e shtetit të Serbisë, duhet të shikojë në sy Vasfijen, e përmes saj 20 mijë gra e vajza të tjera, e ndërsa rrëfimi i Vasfije Krasniqi-Goodman do të duhej përkthyer dhe kur të udhëtojë Thaçi herën tjetër në Bruksel videon do duhej t'ia dëgjonte Vuçiqit dhe Mogherinit.Është jo vetëm e dhimbshme, por është poshtërsia më e madhe ndaj këtij populli, që në vend se presidenti Thaçi t'u dilte në ndihmë këtyre 20 mijë grave, ai po lobon t'ia falë të gjitha këto dhimbje Serbisë dhe ta shpërblejë për dhunën që ka shkaktuar Serbia ndaj popullit tonë me falje të territorit.Kjo do të thotë se në vend që të mundohet sadopak ky president yni t'i shërojë dhimbjet grave dhe vajzave tona, ai me poshtërsitë e tij jo që nuk po ua shëron dhimbjet, por në njëfarë mënyre po i dhunon për së dyti", tha Liridona Bislimi për "Kosova Sot".

ZEQA: HASHIM THAÇI ME KLIKËN E TIJ TË UDB-ASHËVE ËSHTË DUKE BËRË TRADHTI HISTORIKE NDAJ SHTETIT DHE POPULLIT KOSOVAR
Analisti politik Florim Zeqa i ka thënë gazetës se rrëfimi trishtues i zonjës Vasfije Krasniqi-Godman rreth tmerrit të përjetuar nga forcat policore serbe ka prekur thellë ndjenjat e miliona shqiptarëve, por jo edhe të Hashim Thaçit e Edi Ramës dhe klikës së UDB-ashëve të sojit të keq në radhët e shqiptarëve. "Vasfije Krasniqi-Goodman me guximin e saj e ka thyer një tabu në shoqërinë kosovare, pasi është bërë gruaja e parë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës që rrëfeu publikisht tmerrin e përjetuar kur është përdhunuar nga forcat policore dhe paramilitare serbe në vitin 1999. Por mbetet i pajustifikueshëm fakti se si mundet presidenti Hashim Thaçi të injorojë dhe të tallet edhe më tej me dhunimin e femrave shqiptare, me vrasje makabre dhe me dëmet e luftës që Serbia i ka bërë në Kosovë, ndërkaq ai (Hashim Thaçi) në stilin e një të pashpirti vazhdon të insistojë se Serbisë duhet t'i falen edhe dhunimet, edhe vrasjet, edhe dëmet e luftës, por edhe 1/3 e territorit të Kosovës", u shpreh ai."Presidenti Hashim Thaçi në vend se të shtyjë proceset për paditë kundër atyre që kanë dhunuar femrat shqiptare, në vend se të ngrejë padi kundër vrasësve që vranë dhe masakruan bashkëqytetarët tanë dhe luftëtarët e UÇK-së, në vend se të detyrojë Serbinë të kompensojë të gjitha dëmet e luftës, ai merret ekskluzivisht me faljen e krimeve të luftës dhe faljen e 1/3-s së territorit të Kosovës Serbisë gjakatare, vetëm e vetëm që t'i shpëtojë Gjykatës Speciale. Kështu Hashim Thaçi me klikën e tij të UDB-ashëve është duke bërë tradhti historike ndaj shtetit dhe popullit kosovar, siç po e quan edhe ish-këshilltari dhe eksperti amerikan, David Phillips, i cili ia ktheu shpinën presidentit, pasi nuk deshi të bëhet pjesë e tradhtisë së presidentit fatal të Kosovës", tha Zeqa për "Kosova Sot".

KELMENDI: LOJA ME TERRITORE DHE LËNIA ANASH E KRIMEVE TË LUFTËS NGA THAÇI ME VARTËSIT E TIJ- TRADHTI NDAJ KOMBIT E SHTETIT
Tradhti ndaj kombit e shtetit e sheh këtë lojë me territore dhe lënien anash të krimeve të luftës nga presidenti Thaçi me vartësit e tij edhe prof. Muhamet Kelmendi."Në këtë situatë kjo është tradhti, madje tradhti shumë e rëndë, nëse Kosova i lë në harresë, nuk e rikthen në proces normal ndërshtetëror procesin e bisedimeve me Serbinë, duke futur në rend të parë temën e krimeve të luftës dhe njohjen reciproke, por i anashkalon ato dhe i futet korrigjimit të kufijve. Ky mund të jetë një veprim nga i cili mund të humbë jo vetëm pjesërisht, por në një tërësi të madhe territoriale Republika e Kosovës. Rrezikohen, humbin sidomos e asetet jetike për shtet, si Ujmani, Mitrovica dhe 'Trepça', që janë po aq të rrezikshme për shkatërrimin e shtetit sikurse edhe themelimi i Asociacionit serb. Prandaj, të gjitha këto së bashku nuk janë gjë tjetër veçse elemente të tradhtisë. E dihet mirëfilli që çështja e tërheqjes së kufijve në mes të Kosovës dhe të Serbisë është çështje që ka ardhur nga subjektet që na e duan të mirën si shtet, por është krejtësisht e kundërta, kjo ide dhe ky projekt vjen nga ata që nuk ia duan të mirën Kosovës", tha Kelmendi për "Kosova Sot". 

BADALLAJ: PRESIDENTI NUK MUND TË FLASË ME SERBINË PËR KËTO KRIME, SEPSE NË RRETHIN E VET KËSHILLUES KA BASHKËPUNËTORËT E UDB-SË
Analisti Reshat Badallaj thekson se me të vërtetë rrëfimi i zonjës Vasfije Krasniqi ishte sa i trishtë, edhe shumë i guximshëm dhe njëkohësisht tregoi dhe vulosi hapur para opinionit qytetar gjithandej ku flitet shqip, turpin dhe tradhtinë kombëtare që po bëjnë krerët e shtetit në bisedimet me Serbinë. "Ajo vetëm sa mori guximin dhe e dokumentoi turpin më të madh të gjakësorëve serbianë dhe të Hashimit të Brojës, që ky matrapaz tallet me femrat shqiptare duke ngrënë dreka e darka me kriminelët serbianë, duke harxhuar buxhetin e shtetit dhe duke bërë sallamadi me këta kriminelë dhe pa kërkuar kurrë nga çetnikët të paktën kërkimfalje për femrat e dhunuara, për të pa gjeturit për dëmet mbi 22 miliardë dhe shumë e shumë gjëra të tjera. Por, ky faqe zi dhe dilenxhi as që vrau mendjen për këto, vetëm e vetëm që ta shpëtonte bishtin e tij, që të mos i digjet nga Gjykata Speciale", theksoi ai. "Shkurt e shqip ky matrapaz, dredharak, nuk e vrau mendjen për krimet serbe, as për këto dhunime që nuk i njeh bota e civilizuar, por merret me shitjen e tokave tona. Ky që një herë ia fali jo më pak se 8000 hektarë Malit të Zi dhe tani ky biçim i Esat Pashë Toptanit dhe Ahmet Zogut ngutet t´i falë edhe 1/3 e territorit të Kosovës Serbisë fashiste, edhe pse akoma nuk është tharë e larë gjaku i pafajshëm shqiptar nga këta kriminelë", tha Badallaj për 'Kosova Sot'. Sipas tij, Presidenti nuk mund të flasë me Serbinë për këto krime, sepse në rrethin e vet këshillues ka bashkëpunëtorët e UDBsë."Populli mos të harrojë dhe t´i hapë sytë se ky dilenxhi nuk flet, sepse është bashkë me udbashin me librezë zyrtare, këlyshin e Jovica Stanishiqit, që ka bërë hata dhe batërdi në Kosovë, duke vrarë e duke prerë, Baton Haxhiun, dhe kanabistin e Kristaqit, Edvin Kristaq Rama... Ky soj tradhtarësh duhet larguar menjëherë nga politika për të shpëtuar Kosovën nga këta lugetër", potencoi Badallaj.

Guraziu: . Është e patolerueshme kur Hashim Thaçi po zgërdhihet në takimet me Vuçiqin dhe po i injoron dhimbjet e viktimave të luftës
Tradhti kombëtare ndaj shtetit dhe kombit e sheh këtë sjellje injoruese ndaj krimeve të luftës nga presidenti Thaçi edhe analisti Ragip Guraziu, sipas të cilit me të drejtë është larguar nga pozita e këshilltarit edhe miku amerikan, David Philips. "Jorastësisht ish- këshilltari dhe eksperti amerikan, David Phillips, e ka quajtur Thaçin dhe klikën e tij të UDB-ashëve, në qasjen për bisedimet me Serbinë, tradhti historike ndaj shtetit dhe popullit kosovar. Ndryshe, këtë klan të tradhtisë kombëtare e zbuloi fare mirë edhe aktivistja serbe, Sonja Biserko, e cila thotë se një ndikim të madh këtu ka edhe Soros-i, një mik i mirë edhe i Shpend Ahmetit, e disa të tjerëve. Është e turpshme dhe e patolerueshme kur shihet se si Hashim Thaçi po zgërdhihet në takimet me Vuçiqin dhe po i injoron dhimbjet e vuajtjet e familjarëve të viktimave të luftës, po e injoron dhunën dhe tmerrin që përjetuan gratë e dhunuara viktima të asaj lufte që dogji e përgjaku këto troje para dy dekadash", theksoi ai."Është një guxim dhe një heroizëm i pamatshëm veprimi i heroinës Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila pas gati dy dekadash u rrëfye duke thyer një tabu në shoqërinë kosovare, pasi është bërë gruaja e parë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës, e cila foli hapur për tmerrin e përjetuar kur është përdhunuar nga forcat policore serbe në vitin 1999. E tani nga të gjithë neve është pyetja publike për Hashen; si po mundesh të injorosh dhe të tallesh edhe me dhunimin e femrave, edhe me vrasjet, edhe me dëme të luftës që Serbia i ka bërë në Kosovë, ndërkaq t'i z. president që nuk e ke as besimin e partive politike dhe as besimin e qytetarëve, po vazhdon paturpshëm të insistojë në këmbim territoresh, falje të territorit të Kosovës shtetit gjakatar serb, në vend që në top prioritet ta kesh temën e krimeve, të dhunimeve, të cilat së bashku me një marrëveshje "historike" si e quan ti do të duhej t'i falen Serbisë fashiste", potencoi Guraziu për "Kosova Sot".

Krimi nuk falet
Sipas analistit Bislim Aliu, jo vetëm dhunimet, por asnjë nga dëmet e shkaktuara të luftës nga Serbia nuk guxojnë të falen, sepse ato nuk i falë populli. "Me të vërtetë, me këtë paraqitje haptas që e bëri Vasfije Krasniqi në televizion, e që është gruaja e parë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke e rrëfyer publikisht tmerrin e madh që e kishte përjetuar, gjatë përdhunimit nga forcat serbe në vitin 1999, por pyetja e madhe shtrohet për presidentin Hashim Thaçi. Ai tani si mundet t'i injorojë dhe të tallet edhe me dhunimet e femrave, edhe me vrasjet, edhe me dëmet e tjera të luftës, që Serbia i ka bërë në Kosovë?! Tani, lirisht mund të pyetemi pse presidenti Hashim Thaçi, në vend se t'i shtyjë proceset përpara, për paditë kundër atyre që kanë dhunuar femrat shqiptare, dhe në vend se të ngrejë padi kundër vrasësve që vranë e masakruan bashkëqytetarët tanë dhe luftëtarët e UÇK-së dhe në vend se të detyrojë Serbinë, të kompensojë dëmet e luftës, ai merret ekskluzivisht me faljen e krimeve të luftës dhe faljen e një të tretën e territorit të Kosovës Serbisë. Një përgjigje me dyshime bukur të fuqishme e kemi ne, edhe pse nuk e thotë ai, mbase po e bën vetëm që t'i shpëtojë Gjykatës Speciale", tha Aliu për "Kosova Sot".

Qytetarët në ankth
Guximi i Vasfije Krasniqi-Goodman, për ta thyer një tabu në shoqërinë kosovare, duke u bërë gruaja e parë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës dhe rrëfyer publikisht tmerrin e përjetuar kur është përdhunuar nga forcat policore serbe në vitin 1999, është vlerësuar si akt heroik edhe nga qytetarët e anketuar. Mirëpo ata e kanë drejtuar gishtin e akuzës për tradhti kombëtare për të gjithë spektrin politik që qeverisi vendin, sidomos pas shpalljes së pavarësisë e deri më tani, kur Kosovës i janë zgjidhur duart për të vepruar vetë nga administrata e UNMIK-ut. Në shënjestër vendoset presidenti Hashim Thaçi, të cilit i shihet për të madhe se si mund të injorojë dhe të tallet edhe me dhunimin e femrave e të paraqesë ide të çmendura për korrigjim të kufijve. Kështu mendon qytetari Selver Lenjani."Kjo tani është përgjegjësia më e madhe dhe më e lartë e të gjitha qeverive që janë ndërtuar prej atëherë, e duke përfshirë edhe këtë qeverinë aktuale që e kemi, në krye me Ramush Haradinajn, që as kjo nuk e ka vënë në prioritet temën e viktimave të luftës, krimet dhe nuk e ka në prioritet të trajtimit as në bisedimet me Serbinë, për autorizimin që kinse ia ka adresuar presidentit Thaçi. Është një guxim i madh i zonjës Vasfije Krasniqi, e cila mund të krahasohet me një heroinë të vërtetë, e cila doli dhe u rrëfye publikisht, por që ishte një rrëfim i dhimbshëm dhe brengosës për të gjithë ne, sepse ajo është një plagë, e cila nuk shërohet. Krerët e institucioneve tona në krye me presidentin po harrojnë se Serbia e Milosheviqit në atë kohë ekzekutoi, pushkatoi, kidnapoi dhe dhunoi një masë të madhe qytetarësh të pafajshëm. Bëri krime gjenocidale dhe viktimat i dërgoi në Serbi, ku janë akoma mbi 1600 viktima, për fatin e të cilëve akoma nuk dinë gjë familjarët e tyre që janë në kërkim, që kërkojnë ta shërojnë këtë plagë nëse së pakut kthehen eshtrat e viktimave të tyre në vendin e vet për t'i varrosur në vendin e tyre", u shpreh ai. "Kjo tani është tradhti ë dyfishtë kombëtare, sepse po e injorojnë këtë temë parësore dhe po shkojnë e po bisedojnë për ndërrim territoresh, për dhurim toke shtetit serb në emër të korrigjimit të kufijve të shtetit", tha Selver Lenjani për "Kosova Sot". Po aq i ashpër dhe kritik në këtë çështje është edhe Islam Visoka."Kjo është një prej tragjedive më të mëdha që iu kanë ndodhur gjatë luftës shqiptarëve kundruall forcave serbe, konsideroj unë. Kjo është një situatë e tmerrshme që i ka ndodhur Kosovës e ku flitet për një shifër mjaft të madhe, në mënyrë herë zyrtare dhe herë jozyrtare, për rreth 20 mijë femra të dhunuara", vlerësoi ai. Sipas tij, dhunimi megjithatë është krimi më i rendë që ka ndodhur në Kosovë, sepse sidomos ne shqiptarët e përjetojmë, veçanërisht rëndë një akt të tillë, prandaj linja në harresë e kësaj çështje gjithsesiështë e barabartë me tradhti kombëtare.

(Kosova Sot)