Deputetët e Devollistanit duan ta kthejnë Kosovën në varrezë veturash

  • 19 October 2018 - 08:36
Deputetët e Devollistanit duan ta kthejnë Kosovën në varrezë veturash

Qarri: Lejimi i importimit të veturave të vjetra do t'u sjellë miliona euro Shkëlqim Devollit dhe klanit 'Pronto'

"Kjo po bëhet vetëm me qëllim që Qendrës së Homologimit, QAK, t'i jepen edhe detyra shtesë. Ne e dimë që edhe më herët ka qenë në fuqi standardi Euro 4, por tash, me Projektligj të ri, pritet edhe zbatimi i plotë i tij dhe Kosova nuk ka kapacitete për të kontrolluar emetimin e gazrave, të paktën nuk ka kapacitete shtetërore, dhe në njëfarë forme, në këtë mënyrë, po përgatitet terreni që monopolit të sotëm, që sot e bën kontrollin, Qendra e Homologimit të veturave, kësaj t'i jepen edhe detyra shtesë, dhe besoj që kjo është për interesa të pastra biznesore dhe nuk është aspak në favor të qytetarëve", thotë deputetja Hykmete Bajrami për "Kosova Sot


Deputetët e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e opozitës, po e akuzojnë Qeverinë "Haradinaj" se manipulon dhe po mundohet t'i mashtrojë deputetët e partive politike në pushtet, gjoja se po flasin në emër të qytetarëve për të hequr kriterin e vjetërsisë së veturave, kur realisht ata, nga deputetët e opozitës, po akuzohen se po e bëjnë këtë vetëm e vetëm për ruajtjen dhe fuqizimin e monopolit oligarkik që vazhdon akoma në Qendrën e Homologimit, QAK, të pronarit Shkëlqim Devollit, njeriu që po i zhvat qytetarët përmes monopolit kriminal të homologimit tash e 10 vjet. Komisioni për Buxhet në Kuvendin e Kosovës nuk e ka dhënë rekomandimin pozitiv për këtë plotësimndryshim të ligjit që të hiqet kriteri i importimit të vjetërsisë së veturave, dhe tani mbetet të shihet se si do të vendoset nga deputetët në seancë plenare. Sidoqoftë, deputetëve opozitarë po u prin në kundërshtimin e këtij ndryshimi të ligjit shumë fuqishëm deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami, ish ministre e Tregtisë dhe Industrisë, njohëse e mirë e këtij problemi. E kontaktuar nga gazetari, deputetja Bajrami tha se me këtë kërkesë të veten Qeveria dhe deputetët e pozitës, që po e mbështesin këtë plotësim ndryshim ligji, jo vetëm që po rrezikojnë shëndetin e qytetarëve, porse prapa këtij veprimi fshihet edhe qëllimi për t'i dhënë edhe një punë tjetër Shkëlqim Devollit, atë të kontrollit të gazrave, sipas standardit Euro 4 - në zbatimin e ligjit. "Më lejoni t'ju them të vërtetën, se kjo që po bën Qeveria aspak nuk është duke u bërë në emër të qytetarëve, është thjesht për interesa të ngushta biznesore, për interesa të ngushta të personave, të cilët financohen drejtpërdrejt prej këtyre bizneseve", potencoi ajo.

Propozimi i ish-ministres
Sipas Bajramit, heqja e kriterit të vjetërsisë në rast të importit ka shumë impakt negativ në ndotjen e ambientit dhe gjithashtu edhe në sigurinë në komunikacion. "Ne jemi dëshmitarë se sa persona kanë humbur jetën vetëm gjatë kësaj vere, sepse ne besojmë që nga hyrja në fuqi e vendimit për të mos importuar vetura më të vjetra se dhjetë vjet, e ka përmirësuar në masë të dukshme strukturën e veturave. Tani është një numër i madh i veturave të vjetra brenda territorit të Kosovës, dhe nuk është problem për qytetarët, të cilët nuk kanë mundësi të blejnë vetura të shtrenjta, që të mos mund të kërkojnë edhe vetura më të lira, më të vjetra për të blerë, sepse në tregun e Kosovës ka të tilla në numër dhe sasi të mjaftueshme. Arsyeja pse ne e patëm sjellë atë vendim ka qenë që ta mbrojmë ambientin dhe që të mos shndërrohet vendi në një varrezë masive nga vetura, të cilat dalin nga përdorimi në vendet e zhvilluara. Tani po shihet dhe opinioni publik është i informuar që këtë kërkesë të Qeverisë po e kundërshtojnë edhe ambasadorët e vendeve Perëndimore, edhe Zyra e BE-së me të cilën është nënshkruar edhe MSA-ja, me të cilën kemi marrë zotime për mbrojtjen e ambientit dhe për mbrojtjen e jetës së qytetarëve", theksoi më tutje Bajrami. "Edhe njëherë po e them që kjo po bëhet, në bazë të asaj që kam parë, vetëm me qëllim që Qendrës së Homologimit, QAK, t'i jepen edhe detyra shtesë. Ne e dimë që edhe më herët ka qenë në fuqi standardi Euro 4, por tash me Projektligj të ri pritet edhe zbatimi i plotë i tij, dhe Kosova nuk ka kapacitete për të kontrolluar emetimin e gazrave, të paktën nuk ka kapacitete shtetërore, dhe në njëfarë forme, në këtë mënyrë po përgatitet terreni që monopolit të sotëm, që sot e bën kontrollin, Qendra e Homologimit të veturave, kësaj t'i jepen edhe detyra shtesë, dhe besoj që kjo është për interesa të pastra biznesore dhe nuk është aspak në favor të qytetarëve", tha Hykmete Bajrami për "Kosova Sot". "Kemi propozuar që nëse duam të punojmë për qytetarët ka mundësi që të ulim TVSH-në në importin e veturave, ka mundësi që të heqim edhe akcizën dhe ka mundësi që ta ulim edhe taksën doganore, kështu që veturat, të cilat sot imponohen dhe janë të vjetra deri në dhjetë vjet, të jenë po aq të lira, sa ato që i kanë 15 vjet. Sot, njerëzit paguajnë jnë vetura hibride dhe në vendet e BEsë, por edhe në ato të rajonit ka stimulim për nxitjen. E dimë që ka institucione që po bashkëpunojnë më banka dhe po bëjnë edhe koofinancim për blerjen e veturave të tilla, ndërkohë që shteti po i ndëshkon këta persona. Sot në Kosovë regjistrimi i veturës që sillet nga jashtë është më i shtrenjti se në të gjitha vendet e rajonit, është dy- tri herë më i shtrenjtë se në Shqipëri dhe vendet e tjera. Prandaj, ne kemi parë raste kur njerëzit, që kanë adresa vendbanimi në Shqipëri, i regjistrojnë atje veturat dhe i drejtojnë këtu me tabelat e Shqipërisë. Pra, ka mundësi që përmes ndryshimit të politikave fiskale ne të punojmë për të mirën e qytetarëve të Kosovës", tha Hykmete Bajrami në bisedë për gazetën "Kosova Sot". Hykmete Bajrami ka thënë se në mënyrë indirekte qytetarët do të dëmtohen akoma më shumë, nëse aprovohet kërkesa për ndryshim të vendimit në importin e veturave të vjetra, sepse kostoja e mirëmbajtjes së tyre është e madhe, por rrezikohet edhe ambienti. Ajo shtoi se, nëse nuk kalon në seancë Kuvendi amendamenti i Komisionit parlamentar, me të cilin kufizimi i vjetërsisë së importimit të veturave shtohet vetëm për 5 vjet, nga 10 në 15 vjet, situata do të jetë dhe më e rëndë, sepse Qeveria ka hequr të gjitha kufizimet në vjetërsi të veturave dhe kështu do të mundësohet importi i veturave, të cilat kanë vjetërsi gati "shekullore", edhe 20... 30 vjet e më shumë të vjetra, të nxjerra krejt jashtë përdorimit në vendet e BE-së."Sponsorizuesi i ligjit, kur e ka bërë, nuk e ka bërë propozim - ndryshimin në ligj që veturat të jenë 15 vjet të vjetra, por ka kërkuar që kufizimi të hiqet komplet në vjetërsinë e veturave dhe të fuqizohet standardi Euro 4 për të cilin ne nuk kemi kapacitet", tha Bajrami duke kërkuar ndërtim kapacitetesh edhe për kontrollin e karburanteve që futen në treg

QARRI: SHKËLQIM DEVOLLI I SHPËRBLEN QEVERINË DHE DEPUTETËT ME "LAGIE FYTI", SIÇ U DËGJUA EDHE NË PËRGJIMET 'PRONTO'
Sipas analistit Gani Qarri, partitë politike, Kuvendi dhe politikëbërësit e inkriminuar në Kosovë, që nga paslufta nuk kanë arritur që të orientohen vetë drejt as të veprojnë në interes të popullit dhe qytetarëve të vendit. Sipas tij, kryesisht janë lidhur me krimin e korrupsionin. "Edhe tani Qeveria dhe deputetët e partive në pushtet po manipulojnë dhe mashtrojnë hapur, gjoja se po flasin në emër të qytetarëve për të hequr kriterin e vjetërsisë së veturave, kur realisht dihet se ata këtë e bëjnë vetëm për Shkëlqim Devollin, njeriun që përmes monopolit kriminal të homologimit të automjeteve të importuara po i zhvat qytetarët tash e 10 vjet. Megjithatë, vetëm një zë pothuajse i vetmuar i opozitës, si deputetja Hykmete Bajrami, dëgjohet t'i akuzojë publikisht deputetët e pozitës, se nuk po hezitojnë të rrezikojnë as shëndetin e qytetarëve, për t'i dhënë edhe një punë tjetër Shkëlqim Devollit, atë të kontrollit të gazrave 'standardi Euro 4 -gjoja në emër të zbatimit të ligjit', ligje të cilat në vijimësi vazhdon t'i shkruajë dhe t'i vulosë nëntoka kriminale e mafio-oligarkëve, deputetët dhe Qeveria vendore si shpërblim, që të financohen pareshtur nga Shkëlqim Devolli,i cili do të vazhdojë t`ua 'lagë fytin', siç u dëgjua edhe në përgjimet 'PRONTO'", u shpreh ai. " Madje, lejimi i importimit të veturave të vjetra do t'i sjellë miliona euro Shkëlqim Devollit dhe klanit 'Pronto', kur dihet se kompania më e kriminalizuar në vend 'Devolli' do të marrë përsipër vendosjen e standardit Euro 4 në veturat që vijnë pa të në Kosovë, me ç`rast në xhepin e Devollit qytetarët për çdo makinë të importuar do të detyrohen të paguajnë më së paku nga 200 euro", tha analisti Gani Qarri.

GURAZIU: QËLLIMI I LIGJIT, PËR T'I DHËNË EDHE NJË PUNË TJETËR SHKËLQIM DEVOLLIT
Reagim të ashpër ka adresuar edhe analisti Ragip Guraziu. "Ne po shohim, sikur në shumë raste të tjera, që edhe në këtë rast, se në emër të qytetarëve të Kosovës po veprohet shumëçka, por rezultati final po del kundër interesave të qytetarëve të Kosovës. Unë e them se asnjë udhëheqës apo politikan, apo lider të partive politike, qoftë pozitë apo opozitë, nuk kanë të drejtë të flasin ashtu në emrin e tyre, derisa po abuzohet skajshmërisht me qytetarët e Kosovës mu nga këta politikanë të inkriminuar që e degraduan Kosovën tej mase, e dërguan deri në fund të pusit. Ne e kemi parë në shumë raste që Qeveria e Kosovës dhe deputetët e partive në pushtet, më shumë po e respektojnë zërin e Shkëlqim Devollit dhe Devollëve të tjerë sesa zërin dhe votën e shenjtë të qytetarëve të Kosovë, që falë votës së tyre janë aty ku janë, dhe në emër të qytetarëve po manipulojnë me ta se gjëja po flasin në emër të qytetarëve. Ata të njëjtën gjë janë duke bërë tani edhe kur kanë propozuar ndryshimin e ligjit me të cilin kërkohet heqja e plotë e kriterit të vjetërsisë për veturat e importuara nga jashtë", vlerëson ai. "Unë mendoj që është një zë i arsyes së fuqishme kundërshtimi i deputetes Hykmete Bajrami dhe deputetëve të tjerë të pozitës, të cilët alarmojnë se me këtë veprim po rrezikohet shëndeti i qytetarëve, vetëm e vetëm për t'i dhënë edhe një punë tjetër Shkëlqim Devollit, atë të kontrollit të gazrave standardi Euro 4, që është kriteri bazë i zbatimit të ligjit", tha Guraziu për "Kosova Sot".

ZEQA: KRIMI I ORGANIZUAR PO U JEP URDHRA QEVERISË, KUVENDIT, ADMINISTRATËS QENDRORE, KOMUNALE, GJYKATAVE, POLICISË E PROKURORISË
Duke iu referuar kësaj gjendjeje alarmante, për të cilën flet deputetja Bajrami, analistët politikë theksojnë se me këtë mënyrë veprimi nga ana e Qeverisë po shihet se edhe shumicën e ligjeve të interesit vital po i shkruan nëntoka kriminale e mafio-oligarkëve e deputetët dhe Qeveria si shpërblim do të financohet nga Shkëlqim Devolli, i cili do t`ua lagë fytin, siç u dëgjua edhe në përgjimet "PRONTO", prandaj në këtë skandal do të duhej ndërhyrë urgjentisht për të hetuar Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Krimeve të Rënda. Analisti politik, Florim Zeqa tha për "Kosova Sot" se edhe ky veprim tregon se klasa politike e Kosovës asnjëherë deri më sot nuk ka punuar për të mirën e qytetarëve, por vetëm për të interesat e mafiooligarkëve ekonomikë nga të cilët dhe përmes të cilëve ushqehen, zhvillojnë bizneset e tyre dhe pasurohen mbi kurrizin e popullatës së varfër."Shteti i Kosovës është shndërruar në një shtet të krimit të organizuar të Devollëve puro të kriminalizuar, të cilët po ua 'lagin fytin' partive në pushtet, udhëheqjeve komunale, ministrave qeveritarë, kryeministrave të gjertanishëm dhe kanë kapur Presidencën e vendit dhe jo vetëm, ata mbajnë të kapur edhe opozitën për një kohë të gjatë prej mbi 11vjetësh. Qeveria dhe deputetët e partive në pushtet po manipulojnë dhe po mashtrojnë qytetarët, gjoja se po flasin në emër të tyre për të hequr kriterin e vjetërsisë së veturave, kur realisht ata po e bëjnë këtë vetëm e vetëm për Shkëlqim Devollin, njeriun që po i zhvat qytetarët përmes monopolit kriminal të homologimit, që po zgjat që 10 vjet rresht", u shpreh ai. "Nëntoka kriminale e mafio-oligarkëve i shkruajnë ligjet, ndërsa deputetët dhe Qeveria si shpërblim do të financohen nga kompania e Shkëlqim Devollit, i cili shpesh ua lag fytin, ashtu siç u dëgjua edhe në përgjimet e 'PRONTO'-s. Me ligjin e ri, Qeveria, përkatësisht Parlamenti do t'i sjellin miliona euro Shkëlqim Devollit dhe klanit 'Pronto' me lejimin e importimit të veturave deri në 15 vjet të vjetra, ku kompania 'Devolli' do të marrë përsipër vendosjen e standardit Euro 4 në veturat që vijnë pa të në Kosovë, ku në xhepin e Devollit qytetarët për çdo makinë të importuar do të detyrohen të paguajnë nga 200 euro. Jo vetëm kaq, përveç pasurimit të kompanive të inkriminuara dhe dëmtimit të qytetarëve, Kosova po shndërrohet në 'varrezën' më të madhe të makinave të vjetërsuara në Evropë! Edhe përkundër këtij skandali qeveritar, po hesht Prokuroria, po hesht Policia e Krimeve Ekonomike, ani pse në baza ditore krimi i organizuar i nëntokës kriminale po paguan dhe po jep urdhra se çfarë rregulloresh e udhëzime administrative duhet te bëhen nga Qeveria, çfarë ligjesh duhet të bëhen nga Kuvendi, çfarë vendimesh duhet të japë administrata qendrore, komunale, gjykatat, si dhe çfarë hetimesh duhet të hapë Policia e Prokuroria e Shtetit. Pra, deri në këtë nivel denigrues ka arritur shteti i Kosovës, i cili është bërë 'nënë' për kriminelët dhe 'njerkë' për qytetarët", tha analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot".

BADALLAJ: BANDA SERBIANE DEVOLLI,KANCERI I BUXHETIT TË SHTETIT
Një mendim të tillë ka analisti Reshat Badallajt, i cili thotë se hajdutët e Qeverisë kuislinge dhe deputetë vagabondë e rrugaçë nuk e kanë hallin e qytetarëve për vjetërsinë e veturave, por kanë hallin e grupeve të interesit të tyre kriminal. "Këtyre u dhemb diçka tjetër, ajo që nuk guxojnë të ndalin grazhdin që ushqehen nga banda serbiane Devolli, kanceri i buxhetit të shtetit dhe mafio-oligarkët e nëntokës kriminale më të rrezikshme në Ballkan, por shumë fuqishëm e përkrahur pikërisht nga kjo bandë qeveritare dhe disa deputetë banditë të klaneve të rrezikshme që kontrollojnë çdo dikaster, dhe atë të nivelit qendror dhe atë lokal. Kjo bandë serbiane Devolli dhe kapo i saj jo më pak se 10 vjet zhvatin qytetarët e pafajshëm të Kosovës përmes monopolit kriminal të homologimit dhe shumëçka tjetër. Pra, nuk është halli i ndotjes së ajrit dhe shëndeti i qytetarëve, por halli është se kjo bandë serbiane dhe ata që e mbështesin këtë kanë hallin se si t'i trashin xhepat e tyre", tha Badallaj për "Kosova Sot".

BAJRAMI: KJO QË PO BËN QEVERIA ËSHTË PËR INTERESA TË NGUSHTA TË PERSONAVE, TË CILËT FINANCOHEN DREJTPËRDREJT PREJ KËTYRE BIZNESEVE
Deputetja Hikmete Bajrami tha se me këtë kërkesë të veten Qeveria dhe deputetët e pozitës, që po e mbështesin këtë plotësim ndryshim ligji, jo vetëm që po rrezikojnë shëndetin e qytetarëve, porse prapa këtij veprimi fshihet edhe qëllimi për t'i dhënë edhe një punë tjetër Shkëlqim Devollit, atë të kontrollit të gazrave, sipas standardit Euro 4 - në zbatimin e ligjit."Më lejoni t'ju them të vërtetën, se kjo që po bën Qeveria aspak nuk është duke u bërë në emër të qytetarëve, është thjesht për interesa të ngushta biznesore, për interesa të ngushta të personave, të cilët financohen drejtpërdrejt prej këtyre bizneseve", potencoi ajo.

ALIU: SHKËLQIM DEVOLLI, NJERIU QË PO I ZHVAT QYTETARËT QË 10 VJET, PËRMES MONOPOLIT KRIMINAL TË HOMOLOGIMIT
Mashtrim ndaj deputetëve dhe qytetarëve e sheh ndryshimin e Ligjit për importim të veturave pa kufizim vjetërsie, nga ana e Qeverisë, edhe analisti Bislim Aliu. "Pa asnjë dyshim, po shihet qartë se Qeveria vetëm po mashtron, por edhe po manipulon fillimisht deputetët e partive në pushtet, gjoja se po flasin në emër të qytetarëve, për ta hequr kriterin e vjetërsisë të veturave, por po i mashtron edhe qytetarët. Me të vetmin qëllim që kanë për ta favorizuar akoma më shumë Shkëlqim Devollin, njeriu që po i zhvat qytetarët, përmes monopolit kriminal të homologimit, që po na zhvat pa u penguar që 10 vjet. Dhe, për këtë, deputetja Hykmete Bajrami me plot të drejtë i akuzon deputetët e pozitës dhe Qeverinë se po e rrezikojnë shëndetin e qytetarëve, vetëm e vetëm për t'i dhënë edhe një punë tjetër Shkëlqim Devollit, atë të kontrollit të gazrave standardi Euro 4 me zbatimin e plotë të ligjit. Pra, kjo situatë na bënë të dyshojmë me plot baze se disa nga ligjet po i shkruan për interesin e vet kriminal nëntoka kriminale e mafio-oligarkëve, sepse deputetët e Qeveria, si shpërblim do të financohen edhe më tutje nga Shkëlqim Devolli, i cili do t'ua lagë fytin, siç u dëgjua edhe në përgjimet 'PRONTO'", tha Bislim Aliu për "Kosova Sot".

Institucionet heshtin, qytetarët akuzojnë
Gazetari iu ka dërguar pyetje për këtë çështje edhe të gjitha institucioneve relevante, të cilat me ligj janë të obliguara për të zbatuar ligjshmërinë dhe Kushtetutën, qoftë për të mos lejuar monopolin ne biznes, për të parandaluar abuzimet me ligjin dhe kushtetutën, qoftë për të hetuar dhe për të ndëshkuar krimin dhe korrupsionin ekonomik. Në pyetjet e gazetës nuk janë përgjigjur Ministria e Infrastrukturës, Prokuroria Speciale, Policia e Kosovës, njësiti për krimet e ekonomike, Qendra e Homologimit (QAK), që mban tani për tani monopolin në shërbimet e kësaj fushe, si dhe vëllezërve Devolli. Të dëmshëm e shohin këtë synim të Qeverisë për të hequr tërësisht kriterin e vjetërsisë në import të veturave në Kosovë edhe qytetarët, sado që nuk janë të informuar sa duhet. Sipas Ilaz Ismailit, qëllimi i vetëm duket të jetë favorizimi kriminal i Qendrës së tanishme të Homologimit - QAK, që është pronë e Devollëve të lidhur ngushtë me pushtetin."Unë jam pakëz i informuar nga mediet që po synohet një ndryshim në Ligjin për importimin e veturave të vjetra, madje pa kufizim në vitet e vjetërsisë së tyre, e që është kundërshtuar në Komisionin për Buxhet dhe Financa, kryesisht nga deputetët e opozitës, të cilët kishin deklaruar se ky ndryshim shkon drejtpërdrejt në interes të QAK-ut, i cili aktualisht është i vetmi institucion privat, që mban monopolin për homologimin e veturave. Unë mendoj se deputetët nuk duhet të lejojnë një ndryshim të tillë në ligj, sepse këtu nuk shoh asnjë interes përfitimi nga ana e qytetarit, nëse jepet mundësia e importimit të veturave të vjetra dhe Kosova shndërrohet në një park 'hekurishtesh' dhe varrezë masive e veturave të dala nga përdorimi në shtetet e zhvilluara të Evropës", u shpreh ai. "Unë e di që edhe ashtu ai kontroll që po bëhet në QAK është vetëm formal, sepse ata as nuk kanë kapacitete dhe as nuk dinë ta bëjnë kontrollin sipas standardeve Euro 4. Deputetët do të bënin mirë që të kërkojnë lehtësira maksimale në heqjen e taksave për importim të veturave të reja, jo më të vjetra se dhjetë vjet, të ulet TVSH-ja dhe dogana, të ulet akciza, dhe pastaj interesi i përgjithshëm i qytetarëve do të shtohej për veturat më të reja dhe jo të mashtrohen me veturat 'kufoma' të mbetura pa u varrosur kudo nëpër shtetet e Evropës, vetëm e vetëm që të përfitojnë Devollët me QAK-un e tyre, të cilët po e mbajnë monopolit prej themelimit e deri më sot", theksoi më tej Ilaz Ismaili për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)