Dekriminalizim dhe VETTING i thellë në Policinë e Kosovës

  • 19 October 2018 - 08:43
Dekriminalizim dhe VETTING i thellë në Policinë e Kosovës

Tahiri: Duhet të rishikohet dhe të pastrohet shumë shpejt Policia e Kosovës nga strukturat e inkriminuara, që janë përvjedhur aty dhe unë mendoj që edhe ministri, Ekrem Mustafa, do të jetë shumë vigjilent rreth kësaj çështjeje

"Dekriminalizimi dhe VETTING-u do të duhej të fillonin nga institucionet e drejtësisë, nga Prokuroria, gjykatat, e sigurisht edhe në institucionet e tjera të shtetit, sikundër edhe në Policinë e Kosovës, e cila për shkaqe të njohura të marrëveshjeve politike në radhët e veta ka edhe kriminelë serbë të paverifikuar sa duhet nga institucionet e Kosovës, sikur është rasti i këtij policit të tanishëm, që u identifikua si pjesëmarrës në dhunën dhe krimet ndaj shqiptarëve pas rrëfimit të zonjës Vasfije", thotë analisti Naim Kelmendi për "Kosova Sot"

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, por edhe analistët politikë, konsiderojnë se Qeveria pa ndonjë vonesë do të duhej që të ndërmarrë veprime sa më parë për dekriminalizimin dhe VETTINGun në Policinë e Kosovës, që të pastrohet Policia e Shtetit nga elementët kriminalë, e që një pjesë e strukturave të ditura kriminale edhe kanë marrë poste, sikur që ishte ish- paramilitari Jovica Dejanoviq, që ka shërbyer në Policinë e Kosovës për 16 vjet, person i cili është identifikuar si përdhunues i kosovares Vasfije Krasniqi-Goodman gjatë luftës. Dekriminalizimi dhe VETTING-u duhet të ndodhin, sipas bashkëbiseduesve, pasi dyshohet se ka akoma edhe të tjerë në Polici të Kosovës, të cilët de facto udhëhiqen nga nëntoka kriminale dhe pushtetarët e inkriminuar, të tjerë nga UDBja serbe dhe shërbime të tjera informative, e të cilët janë kudo, por sidomos në poste përgjegjëse. Pas rastit të Vasfije Krasniqit-Goodman-it, ka reaguar Grupi i grave deputete, që kërkon pastrimin e Policisë së Kosovës. " Ne e dimë se marrëveshja e Brukselit ka obliguar që një numër i madh i strukturave paralele, madje edhe rojat e Urës ne Mitrovicë të integrohen në Policinë e Kosovës dhe në strukturat e tjera të Sigurisë së Kosovës, pa pasur ndonjë verifikim paraprak nga AKI-ja. Siguria e qytetarëve, si atyre që janë shumicë shqiptare, si atyre nga minoritetet, është tejet e brishtë, ku brenda Policisë ka policë të dyshuar për krime të rënda, siç është rasti konkret. Është momenti i fundit që policët e Kosovës, të pranuar me marrëveshje politike t'i nënshtrohen një Vetting-u për verifikimin e të kaluarës së tyre kriminale", thuhet në reagimin e GGD-së", thuhet në reagimin e këtij Grupi. Deputeti Labinot Tahiri nga AKR-ja, subjekt politik që e ka në qeverisje MPB-në, thotë se ka besimin dhe zotimin e ministrit të ri që do të ndërmarrë të gjitha masat për pastrimin e Policisë së Kosovës, sepse ky rast i fundit flet mjaft për institucionet dhe qytetarët. "Unë mendoj që duhet shumë të rishikohet në strukturë Policia e Kosovës, njerëzit të cilët janë të përfshirë në Policinë e Kosovës, sepse rasti i policit serb, i cili kishte punuar për disa vjet në organet policore të Kosovës, e për të cilin jam dëshpëruar shumë, sepse është dashur që ai të jetë aty dhe nuk janë ndërmarrë masa verifikimi e hetimi shumë më herët, por vetëm tani ndërmerren masa për të. Unë mendoj që në Policinë e Kosovës ka edhe më shumë të tillë nga ana e serbëve, që kanë shkelur ligjin, që kanë bërë dhunime dhe krime të ndryshme gjatë luftës dhe ata duhet të hetohen, të verifikohen dhe të largohen", u shpreh ai. Deputet të tjerë nuk kanë dashur të deklarohen për gazetën. Mirëpo, janë analistët politikë dhe të sigurisë ata që insistojnë në dekriminalizim dhe VETTING në Policinë e Kosovës, për të pasur besueshmëri më të madhe dhe integritet profesional e moral.

MIFTARI: VETTING-U DUHET TË NDODHË NË TË GJITHA INSTITUCIONET, AKI, DREJTËSI, POLICI Eksperti i fushës së sigurisë, Naim Miftari, thotë se patjetër që Vetting-u duhet të ndodhë në të gjitha institucionet, duke filluar në AKI-ja, pastaj në drejtësi e pastaj në Polici."Kur pastrohen këto tri struktura sot të kapura keq nga korrupsioni dhe nga krimi i organizuar, pasi të pastrohen këto tri shtylla kryesore të ligjit, po këto struktura të pastra do ta mbushnin burgun edhe më politikanët e korruptuar dhe me kriminelë e dhunues", vlerëson ai për "Kosova Sot"."Pa shkuar në burg disa kryepolitikanë kosovarë mos pritni se kanë për t'u dënuar edhe kriminelët serbë ose edhe shqiptarë, që kanë bërë krime të rënda ndaj të pambrojturve", tha Miftari për "Kosova Sot".

KELMENDI: DEKRIMINALIZIMI DHE VETTING-U DO TË DUHEJ TË FILLONIN NGA INSTITUCIONET E DREJTËSISË Një veprim urgjent në këtë drejtim e kërkon edhe analisti e publicisti Naim Kelmendi."Dekriminalizimi dhe VETTING-u do të duhej të fillonin nga institucionet e drejtësisë, nga Prokuroria, gjykatat, e sigurisht edhe në institucionet e tjera të shtetit, sikundër edhe në Policinë e Kosovës, e cila për shkaqe të njohura të marrëveshjeve politike, na radhët e veta ka edhe kriminelë serbë të paverifikuar sa duhet nga institucionet e Kosovës, sikur është rasti i këtij policit të tanishëm që u identifikuar si pjesëmarrës në dhunën dhe krimet ndaj shqiptarëve pas rrëfimit të zonjës Vasfije", theksoi Kelmendi për "Kosova Sot".

PRETENI: KA VETËM RRENA, VJEDHJE, MASHTRIME, PASURIM I KUNDËRLIGJSHËM... Ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni, thotë se kjo situatë e re nuk guxon të na nxjerrë lajthitje dhe ta harrojmë VETTING-un në politikë, por ai duhet të shkojë paralel në të gjitha institucionet. "Jo vetëm në Polici, problemi kryesor është tek politika. Qeveria është përgjegjëse për të gjitha. Është çështje e ekzekutivit se si do të funksionojë Gjyqësori. Mos t'i rrisin pagat e të blejnë qetësinë, por nga Gjyqësori të kërkoni llogaridhënie. Qeveria është dashur që nga dje të mobilizohet, kush e dhunoi Vasfijen? Asaj nuk i duhen shpërblimet e hipokritëve, ajo nuk ka nevojë për mbështetjen materiale, asaj i duhet mbështetje morale", potencoi Preteni për "Kosova Sot"."Po ku ka vlera morale? Ka vetëm rrena, vjedhje, mashtrime, pasurim i kundërligjshëm, punësime familjare, pagesa për shërimin e familjarëve të droguar dhe heshtje! Të gjitha këto i kemi në institucionet tona. Pra, për një pastrim të institucioneve nga të gjitha këto fenomene kriminale duhet të rritet akoma më shumë presioni i publikut, që do të duhej të jetë shtytësi vendimtar", tha Hasan Preteni për "Kosova Sot".

KAPITI: POLICIA E POLITIZUAR! Ndërsa, eksperti i sigurisë, Skënder Kapiti, mendon se, përderisa është i domosdoshëm dhe jetik VETTING-u për sistemin e drejtësisë dhe për politikën në Kosovë, automatikisht VETTING-ut do t'i nënshtrohej edhe Policia."Përderisa drejtësia në Kosovë, ashtu sikurse edhe në Shqipëri, zgjidhet sipas preferencave të politikës, në atë shtet të tillë edhe Policia nuk mund të jetë e depolitizuar", theksoi ai. Sipas Kapitit, edhe policit më të thjeshtë, e jo më atyre të graduar në poste kyçe, emërimi i vjen me urdhër nga pushteti politik, nepotik e korruptiv, dhe nuk merret shumë për bazë kriteri i aftësive dhe ai i profesionalizmit."Në Shqipëri dhe në Kosovë, ashtu sikurse edhe në sferat e tjera institucionale e administrative, edhe në Polici: me punësimin, emërimin dhe gradimin në poste e grada, si kritere kryesore janë devotshmëria dhe besnikëria partizane, njohja, miqësia dhe ryshfeti e korrupsioni", tha Skënder Kapiti për "Kosova Sot".

Reforma e domosdoshme Dekriminalizim dhe VETING i thellë në Policinë e Kosovës duhet të aplikohet pa vonesë edhe sipas analistit Hidajet Ahmeti. "Është imperativ i kohës që të ndodhë dekriminalizimi në Policinë e Kosovës, pasi institucionet e sigurisë duhet të jenë shembull dhe pasqyrë e funksionimit të shtetit. Nuk duhet të veprohet vetëm për simbolikën e veprimeve institucionale, por duhet të veprohet përmbajtësisht", u shpreh ai. "Nuk duhet që institucionet e sigurisë të instalojnë frymën e pasigurisë, krimit, korrupsionit, por duhet të dëshmojnë mandatin kushtetues e ligjor. Kjo frymë nuk është duke u implementuar në Policinë e Kosovës dhe si pasojë e kësaj është shpërfaqur dyshimi në opinionin publik dhe njëkohësisht janë ngjallur reagimet për rastin eklatant të policit serb. Përveçqë është nevojë e procesit të Vetting-ut në Policinë e Kosovës, është bërë domosdoshmëri që një proces i tillë të ndodhë. Vetëm në këtë mënyrë institucioni i Policisë së Kosovës mund ta kthejë besimin qytetar", tha Ahmeti për "Kosova Sot".

Të gjithë në "sitë" Sipas profesorit të së drejtës, Blerim Burjani, në sitën e verifikimit, dekriminalizimit dhe VETTINGut duhet të futen të gjithë, me prioritet ata që dyshohen për krime."Të gjithë ata që kanë bërë krime makabre duhet të marrin dënimin e merituar. Është e tmerrshme të shihen se si shëtisin përdhunuesit në liri nëpër Kosovë. Do të duhej që Serbia të obligohet ndërkombëtarisht nga të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë dhe nga BEja, edhe nga SHBA-ja që t'i nxjerrin ata para ligjit", u shpreh ai. "Sa u përket institucioneve të Kosovës, është e papranueshme që kriminelët serbë të jenë pjesë e tyre, sikurse që nuk do të duhej lejuar të shëtisin lirshëm edhe nëpër Serbi. Është e pakuptimtë se si deri më sot nuk ka ndonjë reaksion të fuqishëm nga mekanizmat ndërkombëtarë për ngjarjet kriminale që kanë ndodhur gjatë luftës këtu në Kosovë. Është e çuditshme po ashtu që deri tash nuk ka asnjë reaksion të brendshëm policor për të ndjekur kriminelët e luftës, kriminelët serbë në Kosovë dhe në Serbi, për të cilët duhet një ndjekje e pandërprerë nga Interpoli", tha Burjani për "Kosova Sot".
 

(Kosova Sot)