Klani 'Pronto' bie poshtë në sondazhe

  • 19 October 2018 - 08:49
Klani 'Pronto' bie poshtë në sondazhe

LDK-ja ka dalë e para, me 28.3 % të votave, duke u pasuar nga VV-ja me 23.1 %, ndërkohë që në vendin e tretë ka dalë PDK-ja, me 22 %

"Nëse vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, PDKja shënon rënie. Ky subjekt e ka frikën për t'iu nënshtruar një rivlerësimi elektoral", thotë analisti Arsim Haziri për "Kosova Sot"


Sipas sondazhit të institutit slloven "International Institute For Middle And Balkan Studies" me pyetjen se "kë do ta votoni nëse zgjedhjet mbahen sot", Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë e para, me 28.3 për qind të votave, duke u pasuar nga Lëvizja 'Vetëvendosje' me 23.1 për qind. Ndërkohë që në vendin e tretë ka dalë Partia Demokratike e Kosovës, me 22 për qind të votave, e pasuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 10 për qind, kurse Nisma ka dalë me 5.2 për qind të votave, AKR-ja me 1.6 për qind, ndërsa PSD-ja me 2.2 për qind të votave dhe e fundit renditet Alternativa, me vetëm 0.6 për qind. Sipas analistëve politikë dhe qytetarëve, vlerësohet se pikërisht kjo edhe është arsyeja se pse PDK-ja po frikësohet që të hyjë në zgjedhje. Sipas analistëve e qytetarëve, kjo parti identifikohet në plotni me krimin e organizuar dhe dëmet e mëdha që u ka shkaktuar qytetarëve dhe shtetit për rreth katër mandate, sa ka qenë në pushtet, duke instaluar krimin e organizuar në të gjitha institucionet e shtetit dhe në të gjitha pushtetet, në legjislativ, në qeveri, dhe në gjyqësorin që do të duhej të ishte i pavarur, por është i kapur 100 për qind nga krimi i organizuar

Qeveria e pakicës të shkojë
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ali Hertica, për gazetën "Kosova Sot", thotë se një Qeveri e pakicës nuk mund ta udhëheqë vendin më tutje, që duhet të ketë si rrjedhim zgjedhjet e reja janë zgjidhja e vetme për këtë situatë. "Qytetari nuk do të lejojë që disa subjekte të pakicës të determinojnë se kur Kosova shkon në zgjedhje të reja, kjo çështje duhet të jetë çështje e dakorduar në mes të partive kryesore shqiptare në Parlamentin e Kosovës", u shpreh ai."Një qeveri e re dhe demokratike do t'i mundësojë sistemit ligjor që ta kryejë punën e tij ashtu si duhet", vijoi më tej Hertica. Ndërsa analisti politik, Arsim Haziri, për gazetën "Kosova Sot", thotë se matja e opinionit nga sondazhi slloven për partitë politike mund të jetë pjesërisht i besueshëm, mirëpo jo edhe i plotë, pasi subjekti që nxirret me besueshmërinë më të madhe dikur i ka shërbyer pushtetit në fuqi, madje vetë presidentit Thaçi, të cilin tashmë po e marrin si sinonim i degradimit, janë ata që ia kanë bërë shumicën, pra e kane zgjedhur. "LDK-ja në asnjë mënyrë nuk mund të distancohet prej keqmenaxhimit e jetësimit të së keqes, ajo assesi s'duhet të mburret me atë rezultat pasi konsideroj se perceptimi në opinion qëndron më ndryshe", theksoi më tej Haziri. 

FUNDI I KËSAJ KASTE POLITIKE
"Besoj që kjo klasë e tashme politike duhet që sa më parë të largohet nga pushteti dhe fundin e tyre kjo kastë politike, që sunduan Kosovën, do ta ketë shumë të keqe dhe historia do t'i mallkojnë. Pra, nga pushteti i tanishëm ky koalicion do të largohet me turp dhe si të tillë do të mbetet në histori, ngase atë e merituan dhe atë do ta kenë. Pra, pushtetet vijnë e shkojnë, kurse turpi do të mbetet te pushtetarët e tanishëm, ngase sa ishin në pushtet atë e keqpërdorën tërë kohën", ka thënë Shefki Mucolli
 

Qytetarët duan qeverisje tjetër
Qytetarët e anketuar nga ana e gazetës janë treguar të ndarë në vlerësimet e tyre rreth sondazhit të bërë nga Instituti slloven "International Institute For Middle And Balkan Studies". Qytetari nga Prishtina, Shefki Muçolli, për gazetën "Kosova Sot", thotë se asnjë parti politike e deritashme nuk u tregua e denjë që ta udhëheqë këtë vend, ashtu si e meritojnë qytetarët tanë."Prandaj, e kemi një situatë tepër të rëndë dhe zgjedhjet duhet të mbahen dhe sigurisht se pozita i frikohet zgjedhjeve, sepse mendimet dhe vlerësimet e qytetarëve tanë për këto subjekte politike në koalicion të tashëm janë luhatur dukshëm dhe nuk e besoj se durimi i qytetarëve do të zgjatë deri në pakufi. Sepse kjo amulli dhe anarki e përgjithshme ka bërë që frika të jetë evidente", u shpreh ai. Ndërsa qytetari tjetër nga Prishtina, Agron Mustafa, ka thënë për gazetën "Kosova Sot", se këtu po luhet një lojë tjetër dhe prapa sajë qëndrojnë politika dhe angazhimet e presidentit Hashim Thaçi, të cilit i konvenon kjo përbërje e Qeverisë dhe e Kuvendit të Kosovës për të implementuar marrëveshjet që i ka arritur me palën serbe në Bruksel."Unë nuk i besoj kësaj ankete të sllovenëve, sepse është e porositur. Ngase PDK-ja nuk u frikësohet zgjedhjeve, sepse kurdoherë që ato të mbahen PDK-ja mund të dalë e para në zgjedhje, mbase jo bindshëm si më parë. Por, një gjë tashmë dihet, sepse është subjekti politik më i organizuar dhe e ka shtrirjen më të mirë në terren. Ndërkohë që jam i bindur se të gjitha partitë tjera politike do të kenë rënie", theksoi ai. Ndërsa qytetari tjetër, Kadri Berisha, po ashtu nga Prishtina, për gazetën "Kosova Sot", thotë se anketa sllovene është bukur reale dhe në një të ardhme jo shumë të largët do të ketë ndryshime të mëdha në skenën politike kosovare."Kësaj radhe populli nuk do të gabojë dhe ndryshimet do të ndodhin, ngase tashmë ka ardhur koha që në skenën politike të vijnë gjenerata të reja e të shkolluara dhe nga pushteti të largohet kjo kupolë e krimit dhe korrupsionit që është sot në Kosovë në pushtetet, që nga paslufta e deri më sot", vlerësoi Berisha. 

(Kosova Sot)