Kryetari provokator i Zubin Potokut, ankohet se është maltretuar nga polici i Kosovës

  • 03 September 2015 - 20:44
Kryetari provokator i Zubin Potokut, ankohet se është maltretuar nga polici i Kosovës

Kryetari i komunës së Zubin Potokut, Stevan Vuloviq, ka deklaruar se një pjesëtar i Policisë së Kosovës e ka maltretuar sot pasdite në vendkalimin kufitar Jarinjë, duke kërkuar nga vozitësi i tij që ta heq etiketën me flamurin serb në të cilën ka qenë edhe stema e Komunës.

Vuloviq, në deklaratë për agjencinë beogradase Tanjug, ka thënë se polici ka kërkuar nga vozitësi i tij që nga këndi i dritares së parme të veturës zyrtare të hiqet stema komunale me flamurin serb.

Pas një ndalimi, ai ka vendosur që t’u lejojë të vazhdojnë udhëtimin, ka thënë Vuloviqi.

“Flamurin dhe stemën nuk i hoqëm, bëhet fjalë për provokim klasik dhe kërkojmë nga Policia që të nisë hetim të brendshëm lidhur me këtë rast dhe policin, e nëse ka tejkaluar kompetencat ta dënojë”, ka thënë Vuloviqi.

Ai ka vlerësuar se disa përfaqësues të institucioneve kosovare edhe në këtë mënyrë dëshirojnë të rrezikojnë zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, transmeton KosovaPress.