Deda: Mos lëvizja e kufijve të jetë qëndrim zyrtar i Kosovës

  • 19 October 2018 - 16:13
Deda: Mos lëvizja e kufijve të jetë qëndrim zyrtar i Kosovës

Lobimi agresiv i Serbisë për tërheqje të njohjeve të shtetit të Kosovës paraqet rrezik për sigurinë e Kosovës.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-ja duhet të dalin me parime udhëheqëse në mënyrë që të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme, e cila zgjidh përfundimisht qasjen e Serbisë ndaj Kosovës.

Kështu ka deklaruar Ilir Deda deputet i Alternativës, pjesëmarrës në Forumi i Sigurisë që është mbajtur në Beograd.

Ai ka bërë të ditur se me përfaqësuesit diplomatik është  diskutuar vazhdimisht se si mund të arrihet deri tek një marrëveshje e qëndrueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë e që nuk e destabilizon rajonin.

Në një intervistë, Deda ka theksuar se është pikërisht pavarësia e Kosovës ajo që ka rritur stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. E për këtë sipas tij, kjo e fundit duhet t’iu tregoj politikisht vendeve perëndimore se integrimi i Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare vetëm sa e rrit sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Deda: SHBA dhe BE të dalin me parime të panegociueshme të dialogut

“Neve tash që të mbërrijmë deri tek një marrëveshje të mirëfilltë, neve na duhet që komuniteti transatlantik, do të thotë ShBA-të dhe Bashkimi Evropian të dalin me parime të panegociueshme të dialogut, të dalin me parime udhëheqëse të këtij procesi në mënyrë që të mbërrihet deri tek një marrëveshje e cila është e qëndrueshme dhe e cila i përfundon një herë e përgjithmonë qasjen e cila ekziston ndaj Kosovës sot nga ana e Republikës së Serbisë. Neve na nevojitet që të mbërrijmë marrëveshje ku Kosova bëhet pjesë e barabartë e bashkësisë ndërkombëtare dhe që raportet tona të jenë të parashikueshme dhe që të mos shihen veprimet nga prizmi i rrezikimit të sigurisë nacionale”, tha ai.

Ai ka ftuar për seriozitet, duke thënë se Qeveria e Ramush Haradinajt nuk po kryen punë pasi që nuk e ka guximin të pranojë publikisht se baza e procesit të dialogut nuk është në rregull. Deda është shprehur optimist se mbase një Qeveri e  re e Kosovës do ta bëjë një gjë të tillë.  

Deda: Qeveria aktuale nuk po bën punë, nuk po e vëren lobimin negativ të Serbisë

“Për fat të keq në Kosovë, tek ne në Qeveri ka shumë njerëz jo kompetent të cilët nuk e vërejnë edhe lobimi agresiv i Serbisë për tërheqje të njohjeve shtetit të Kosovës janë njëjtë rrezikim i sigurisë së Kosovës. Ndoshta duhet të ketë edhe seriozitet shumë më të madh edhe nga njerëzit që e udhëheqin Qeverinë tonë, sepse nuk mundesh me një anë të thuash unë dua të normalizoj marrëdhëniet e këndej ka lobim agresiv kundër Kosovës në Interpol, kundër njohjeve të reja, tërheqja e njohjeve të cilat vetëm janë. Do të thotë këtu diçka nuk është në rregull dhe nuk e di pse ka frikë, pse nuk thuhet publikisht nga ata të cilët janë bartësit e institucioneve që kjo bazë e procesit nuk është në rregull. Nuk mundesh në një anë të thuash dua të normalizoj marrëdhëniet e në anën tjetër të sillesh në mënyrën më armiqësore të mundshme, më armiqësore se Rusia ndaj Kosovës. Por, mua po më duket që një Qeveri tjetër e Kosovës do ta bëjë këtë, sepse kjo e tanishmja nuk po e bënë këtë punë”, u shpreh ai.

Ai ka folur edhe sa  i përket deklaratave të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq ku dje në një përgjigje për KosovaPress ka përsëritur qëndrimin e Beogradit zyrtar se nuk do të ketë njohje të pavarësisë së Kosovës nën trysninë ndërkombëtare.

Deda tha se më me rëndësi janë deklaratat e përfaqësuesve të lartë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë

Deda: Mos lëvizja e kufijve të jetë qëndrim zyrtar i Kosovës

“Shumë më me rëndësi... ka qenë deklarata e përfaqësueses të lartë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë sa i përket këtij procesi, në panelin në të cilin isha edhe unë. Ajo e tha që Gjermania e ka thënë shumë qartë që nuk ka lëvizje të kufijve dhe ky duhet të jetë qëndrim edhe i Kosovës”, tha ai.

Ndryshe, Forumi i Sigurisë në Beograd, ndërsa përfaqësues nga Kosova po marrin  pjesë në panele të shumta me temë sigurinë e Ballkanit dhe dialogun Kosovë-Serbi.

 

(Kosova Sot)