Preshevarët e sfidojnë Thaçin, e ftojnë për vizitë në Luginë

  • 19 October 2018 - 16:34
Preshevarët e sfidojnë Thaçin, e ftojnë për vizitë në Luginë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot në zyrën e tij ka pritur përfaqësues të shoqërisë civile nga Lugina e Preshevës më të cilët ka biseduar për situatën aktuale politike dhe gjithashtu edhe për idenë e tij për korrigjimin e kufijve dhe bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.

Thaçi në këtë takim me ta ka folur edhe për respektimin e vullnetit të popullit të asaj pjesë që doli nga referendumi i vitit 1992.

E pas këtij takimi, përfaqësuesit e shoqërisë civile i kanë bërë një kërkesë sfiduese presidentit Hashim Thaçi për të vizituar Luginën e Preshevës.

Lidhur me këtë kërkesë ai ka thënë se do të shqyrtojë të gjitha mundësitë për të realizuar këtë vizitë atje.

“Ju falënderoj edhe për ftesën për të marrë pjesë në promovimin e librit dhe në tryezën për promovimin e paqes në rajon. Do t’i shqyrtojë të gjitha mundësitë për të marrë pjesë atje, për kohën që ju keni planifikuar”, ka thënë Thaçi.

Ndër të tjera në këtë takim është diskutuar edhe për kushtet e vështira me të cilat përballen qytetarët shqiptarë të asaj pjese.

 

 

(Kosova Sot)