E shet kompaninë për 16 MILIONË DOLLARË

  • 19 October 2018 - 17:13
E shet kompaninë për 16 MILIONË DOLLARË

Mads Andreas Olesen gjithmonë kishte një shpirt sipërmarrës dhe praktik. Si fëmijë, kur shkonte nëpër dasma, i bllokonte hyrjet dhe kërkonte pagesë për të hyrë. Për ta trajtuar problemin e gjyshes, e cila pinte duhan në tryezën e bukës, ai ndërtoi një mulli të erës me katrorë Lego, duke e lidhur atë me bateria, për ta fryrë tymin më tej. Më pas, ai e braktisi shkollën për të lansuar një seri kompanish të pasuksesshme, para se ta gjente një formulë fituese me furnizues të përtëritshëm të energjisë, "Blue Energy", që tani ia ka shitë kompanisë me seli në Londër, "New Nordic Advisors" për më shumë se 100 milionë korona daneze (DKK), ekuivalente me 16 milionë dollarë. Olesen dhe dy bashkëthemeluesit e tjerë të kompanisë, Allan Flindt dhe Christopher Olesen, do të qëndrojnë në kompani për, të paktën, tri vjet, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Përparimi më i madh mund të arrihet me anë të animimit dhe inovacionit

Ideja që qëndron prapa "Blue Energy" është e thjeshtë: ai ofron elektricitet për konsumatorët dhe bizneset e vogla dhe iu ndihmon atyre që të zvogëlojnë faturat e tyre duke harxhuar më pak, në linjë me përpjekjet për të përmbushur caqet e BE-së për energji të përsëritshme prej 27% deri në vitin 2030, ose qëllimin e Danimarkës, prej 50%. "Tradicionalisht, furnizuesit e elektricitetit shtojnë një marzhë fikse ndaj shitjeve për konsumatorët, ndaj kostos së një kilovat-ore. "Kjo është sikur ta blini një 'Coca Cola' për 1, e ta shisni për 2 dollarë", shpjegon Olesen, duke shtuar se, sipas kësaj filozofie, sa më pak konsumim, aq më pak fitim. "Por, kontrata jonë funksionon ndryshe: Sa më pak konsumim, aq më shumë fitim. Dhe, kjo është më e mirë për ambientin", thotë ai. 

Elektriciteti ka taksën më të madhe në Danimarkë, sa iu përket burimeve të energjisë. Por, me "Blue Energy", gjërat qëndrojnë ndryshe. Kur një konsumator konsumon më pak energji, paguan më pak tatime, prandaj "Blue Energy" e rritë marzhën e vet. Kompania investon një kuotë proporcionale në energjinë alternative, sikur që është energjia e diellit, e ujit dhe e erës për çdo blerje të energjisë, gjë që është pëlqyer edhe nga konsumatorët. Ajo që nuk është e rëndomtë rreth "Blue Energy" është se ajo nuk pret që konsumatori të jetë agjent proaktiv. Ja si e shpjegon Olesen këtë: "Ne nuk besojmë te ndonjë aplikacion, i cili ju thotë se kur duhet t'i lani rrobat, meqë një njoftim i tillë nuk do t'ju ndihmojë që ta lini punën dhe të shkoni në shtëpi për t'i larë rrobat në mes të ditës, apo për t'u ngritur nga shtrati dhe t'i lani rrobat në mes të natës. Mendojmë se përparimi më i madh mund të arrihet me anë të animimit dhe inovacionit". Për shembull, "Blue Energy" ka shpenzuar më shumë se 30,000 poçe LED për të ndihmuar që ata të harxhojnë sa më pak elektricitet dhe është duke analizuar si të përdoret më së miri "Internet Of Things", që të zvogëlohet harxhimi edhe më shumë. 

Për Olesenin gjërat ishin të thjeshta

Gjatë vitit të kaluar financiar,"Blue Energy" krijoi më shumë se 16 milionë dollarë. Me injektimin e parave nga shitja e kompanisë, Olesen ka për qëllim që të kalojë në teknologjinë edukative dhe te shërbimet financiare shtesë jashtë shtetit. Që nga fillimi, Olesen ka qenë i guximshëm dhe ka rrezikuar. Ai, Flindt dhe Christopher Olesen (nuk e ka të afërm) morën huat më të mëdha në fillim - edhe pse, ndoshta, ishin Flindt dhe Christopher Olesen, që kishin karriera të suksesshme në industrinë e energjisë, që mund të humbnin më së shumti. Për Olesenin, gjërat ishin të thjeshta: "Kur nuk keni asgjë, duhet të rrezikoni gjithçka. Nuk kisha kualifikime të edukimit formal, nuk kisha ku të kthehesha. Në një situatë të tillë, jeni me shpinë për muri, prandaj kur del ndonjë mundësi më mirë është që ta kapësh menjëherë dhe të mos e lëshosh. Duhet të jeni të gatshëm që të 'vrisni' kundërshtarët dhe konkurrentët, sikur një gjë e tillë të ishte ligjore". Olesen kishte pasur fatin edhe të kishte nga kush të merrte këshilla të mira, kryesisht nga anëtarët e bordit, sikur Lars Therkildsen, drejtor i "Hofor", kompanisë më të madhe të energjisë dhe ujit në Danimarkë. Me t'u bërë profitabile, Olesen e dinte se do të tundohej ta shiste kompaninë. "Problemi është se kurrë nuk e dini kur është momenti adekuat për ta shitur kompaninë. Një gjë e dinim, nuk duhej ta shisnim kompaninë që në fillim, sapo na trokitën në derë ofertuesit e parë". Olesen, i cili e ka nënën mësuese, tani i është kthyer shkollës përsëri. Ai është duke studiuar në Shkollën e biznesit në Kopenhagë dhe, njëkohësisht, studion energjinë në "KEA", Shkollën e Kopenhagës për dizajn dhe teknologji. 

 

(Kosova Sot)