Mjekët e injoronin, doli se kishte tumor në tru

  • 19 October 2018 - 17:26
Mjekët e injoronin, doli se kishte tumor në tru

Jack Donovan, 29 vjeç, kishte shkuar disa herë në emergjencë, për shkak të problemeve shëndetësore që dukeshin të palidhura midis tyre: kthim i thartirës nga lukthi, dhembje të kokës dhe dhembje të testikulit. Mjekët mendonin se ai kishte ndonjë sëmundje ngjitëse, të bartur me marrëdhënie seksuale, apo përdredhje të testikulit, derisa një skanim me tomografi kompjuterike (CT) ia zbuloi kancerin në tru. Mjekët tani mendojnë se tumori kishte ushtruar presion në nerva të ndryshëm, duke shkaktuar simptoma në pjesë të ndryshme të trupit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Në fillim nuk dinin a bëhej fjalë për sklerozë multiple, meningjit, apo tumor

Dy vjet më pas, tumori i tij ishte rritur për 10%, përkundër trajtimit për zvogëlim të tij. Ai është në pritje që, me anë të operacionit, t'ia heqin një pjesë mundësisht më të madhe të tumorit të llojit oligodendrogliomë. Më pas mjekët do të jenë në gjendje që këtij njeriu, baba të një fëmije, një prognozë të re dhe një plan të ri të trajtimit. Pasi që ia kishin bërë CT-në, mjekët në fillim nuk dinin a bëhej fjalë për sklerozë multiple, meningjit, apo tumor. Fatkeqësisht, doli të ishte tumor. 

Djali ia largon mendjen nga më e keqja

Sikur kjo të mos mjaftonte, mjekët panë se Jack kishte edhe një çrregullim hormonal, gjë që ia përkeqësonte prognozën edhe ashtu të keqe. Në vend që të jetojë edhe 15 vjet, tani mjekët i thanë se, për shkak të defektit gjenetik, i kanë mbetur vetëm edhe 7 vite jetë. Jack ishte duke jetuar në Australi me të dashurën e tij 26 vjeçe, Amy, por pasi që kjo e fundit ngeli shtatzënë, ata vendosën që të ktheheshin në Britani. Pasi që iu ka lindur djali, ata thonë se ai i bën të qeshin dhe ua largon mendjen nga më e keqja. Donovan për momentin është duke pritur që të operohet në Spitalin universitar të Uellsit, në Kardif.

 

(Kosova Sot)