ZEQA: KRIMI I ORGANIZUAR PO U JEP URDHRA QEVERISË, KUVENDIT, ADMINISTRATËS QENDRORE, KOMUNALE, GJYKATAVE, POLICISË E PROKURORISË

  • 19 October 2018 - 17:59
ZEQA: KRIMI I ORGANIZUAR PO U JEP URDHRA QEVERISË, KUVENDIT, ADMINISTRATËS QENDRORE, KOMUNALE, GJYKATAVE, POLICISË E PROKURORISË

Duke iu referuar kësaj gjendjeje alarmante, për të cilën flet deputetja Bajrami, analistët politikë theksojnë se me këtë mënyrë veprimi nga ana e Qeverisë po shihet se edhe shumicën e ligjeve të interesit vital po i shkruan nëntoka kriminale e mafio-oligarkëve e deputetët dhe Qeveria si shpërblim do të financohet nga Shkëlqim Devolli, i cili do t`ua lagë fytin, siç u dëgjua edhe në përgjimet "PRONTO", prandaj në këtë skandal do të duhej ndërhyrë urgjentisht për të hetuar Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Krimeve të Rënda. Analisti politik, Florim Zeqa tha për "Kosova Sot" se edhe ky veprim tregon se klasa politike e Kosovës asnjëherë deri më sot nuk ka punuar për të mirën e qytetarëve, por vetëm për të interesat e mafiooligarkëve ekonomikë nga të cilët dhe përmes të cilëve ushqehen, zhvillojnë bizneset e tyre dhe pasurohen mbi kurrizin e popullatës së varfër."Shteti i Kosovës është shndërruar në një shtet të krimit të organizuar të Devollëve puro të kriminalizuar, të cilët po ua 'lagin fytin' partive në pushtet, udhëheqjeve komunale, ministrave qeveritarë, kryeministrave të gjertanishëm dhe kanë kapur Presidencën e vendit dhe jo vetëm, ata mbajnë të kapur edhe opozitën për një kohë të gjatë prej mbi 11vjetësh. Qeveria dhe deputetët e partive në pushtet po manipulojnë dhe po mashtrojnë qytetarët, gjoja se po flasin në emër të tyre për të hequr kriterin e vjetërsisë së veturave, kur realisht ata po e bëjnë këtë vetëm e vetëm për Shkëlqim Devollin, njeriun që po i zhvat qytetarët përmes monopolit kriminal të homologimit, që po zgjat që 10 vjet rresht", u shpreh ai. "Nëntoka kriminale e mafio-oligarkëve i shkruajnë ligjet, ndërsa deputetët dhe Qeveria si shpërblim do të financohen nga kompania e Shkëlqim Devollit, i cili shpesh ua lag fytin, ashtu siç u dëgjua edhe në përgjimet e 'PRONTO'-s. Me ligjin e ri, Qeveria, përkatësisht Parlamenti do t'i sjellin miliona euro Shkëlqim Devollit dhe klanit 'Pronto' me lejimin e importimit të veturave deri në 15 vjet të vjetra, ku kompania 'Devolli' do të marrë përsipër vendosjen e standardit Euro 4 në veturat që vijnë pa të në Kosovë, ku në xhepin e Devollit qytetarët për çdo makinë të importuar do të detyrohen të paguajnë nga 200 euro. Jo vetëm kaq, përveç pasurimit të kompanive të inkriminuara dhe dëmtimit të qytetarëve, Kosova po shndërrohet në 'varrezën' më të madhe të makinave të vjetërsuara në Evropë! Edhe përkundër këtij skandali qeveritar, po hesht Prokuroria, po hesht Policia e Krimeve Ekonomike, ani pse në baza ditore krimi i organizuar i nëntokës kriminale po paguan dhe po jep urdhra se çfarë rregulloresh e udhëzime administrative duhet te bëhen nga Qeveria, çfarë ligjesh duhet të bëhen nga Kuvendi, çfarë vendimesh duhet të japë administrata qendrore, komunale, gjykatat, si dhe çfarë hetimesh duhet të hapë Policia e Prokuroria e Shtetit. Pra, deri në këtë nivel denigrues ka arritur shteti i Kosovës, i cili është bërë 'nënë' për kriminelët dhe 'njerkë' për qytetarët", tha analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot".

 

(Kosova Sot)