Kush e do më shumë Hillary-n?

  • 03 September 2015 - 22:04
Kush e do më shumë Hillary-n?

Hillary Clinton mund të bëhet presidentja e parë e SHBA-së, por për çudi, ajo nuk e gëzon mbështetjen e shumicës së femrave. Rreth 51% të tyre, nuk e duan atë në krye të vendit. Ish-sekretarja 67-vjeçare e shtetit nuk është e preferuar as për të rinjtë. Një anketë e bërë nga ‘ABC News/Washington Post’ tregon se 50% e amerikanëve të moshës nga 18-39 vjet kanë një mendim negativ për të. Ajo shihet pozitivisht nga rreth 47% e atij grupi. Marrë në përgjithësi, Clinton nuk pëlqehet nga 53% e elektoratit, katër muaj pas fillimit të kampanjës së saj. Por, përkundër këtyre të dhënave, ajo është më e popullarizuar sesa disa nga konkurrentët e saj, sikur që është Donald Trump, të cilin e urrejnë rreth 7 në 10 zezakë dhe hispanikë. Por, përparësia e Clintonit nuk është e madhe, transmeton Kosova Sot Online.

Femrat votuan për Obama-n

Kandidati kryesor i Partisë republikane, Trump, nuk pëlqehet nga 59% e amerikanëve, ku 43% prej tyre kanë shfaqur një mospëlqim të fortë ndaj tij. Clinton kundërshtohet fuqishëm nga 39% e vendit. Ajo e kishte arritur këtë rezultat në vitin 2007 vetëm pas edhe tetë muajve më shumë kampanjë, sesa tani. Por, derisa popullariteti i saj asokohe ishte në rritje e sipër, tani ai është në rënie e sipër. Në dy nga tri anketat e fundit, të bëra nga “ABC News/Washington Post” që nga fundi i majit, ajo ka qëndruar gjithnjë e më keq sa i përket mbështetjes nga votuesit, duke ngjallë kështu zëra se anëtarë të tjerë të partisë së saj – si psh Joe Biden, Elizabeth Warren dhe Michael Bloomberg – mund të provojnë që të përfitojnë nga dobësitë e saj, duke bërë një kyçje të vonshme në garë. Gratë dhe të rinjtë janë ndër mbështetësit kryesorë të Obama-s dhe, pa ta, ai mund të mos kishte fituar në rend të parë. Anketat e bëra në vitin 2012 tregojnë se rreth 55% të femrave votuan për të, derisa ishte në garë kundër të të emëruarit republikan, Mitt Romney. 

Ai gëzonte një mbështetje edhe më të madhe nga të rinjtë. Në ato zgjedhje, 6 nga dhjetë votues të moshës 18-29 vjeçare kishin votuar për të.

80% e afrikanëve-amerikanë dhe latinëve janë deklaruar në disfavor të Trump-it

Clinton, megjithatë, më shumë pëlqehet nga femrat, sesa zëvendëspresidenti aktual. Se Clinton qëndron më mirë në anketa sesa kundërshtarët e saj në atë grup demografik, dihet mirë. “Hillary mbetet kandidatja më e fortë e cilësdo parti në mesin e femrave për shkak të angazhimit gjatë tërë jetës së saj që të krijojë kushte më të mira për to”, thuhet në një e-mail zyrtar të kampanjës së saj. Clinton qëndron mirë sidomos te zezakët dhe hispanikët, me 79, respektivisht 68%. 

Këto janë grupet e njëjta demografike, të cilat i ka zemëruar Trump. Sipas “Washington Post”, të dhënat e anketave tregojnë se më shumë se 80% të afrikanëve-amerikanëve dhe latinëve janë deklaruar në disfavor të Trump-it. Dihet se çifti Clinton është shumë i preferuar te zezakët, aq sa Bill Clinton-it ndonjëherë i referohen si ‘presidenti i parë zezak’, por qëndron edhe fakti se zezakët kanë një traditë të gjatë të të qenit me Partinë demokratike. Joe Biden po ashtu qëndron mirë me zezakët. Sikur ai të ishte në garë, “Washington Post” sugjeron se 67% të atyre që janë anketuar kanë thënë se do ta pëlqenin atë. Nëse Biden e kërkon nominimin demokrat, anketat tregojnë se ai, megjithatë, do të duhej të punonte shumë me hispanikët. Ai qëndron gati 20% prapa Clinton-it, kur flitet për votuesit latinë. Burimi i problemeve të Trump-it në lidhje me imazhin te votuesit latinë nuk është mister. Ai i ka akuzuar ata se me qëllim lindin fëmijët e tyre në SHBA, që t’ua sigurojnë atyre shtetësinë amerikane.

 (Kosova Sot)