Edhe policia bëhet pjesë e ndërmarrjes për ta shfajësuar djalin e Shefit të AKI'së për armëmbajtje e drogë

  • 20 October 2018 - 13:53
Edhe policia bëhet pjesë e ndërmarrjes për ta shfajësuar djalin e Shefit të AKI'së për armëmbajtje e drogë

Policia e Kosovës është kujdesur që përmes një komunikate dërguar mediave t’ia heq çdo njollë emrit të djalit të Shpend Maxhunit, Shpëtimit, ndaj të cilit është ngritur edhe një kallëzim penal. Përmes kësaj letre policia shfajëson djalin e Maxhunit ndaj gjësendeve që u gjendën në veturën që ndodhej edhe ai.

Arma, fishekët, substanca narkotike edhe gjësendet e tjera, policia thotë se nuk ishin pronë e djalit të Maxhunit.

“Siç u potencua me datë 12.10.2018, njësia policore  gjatë patrullimit rutinor në fshatin Zllatar, kishte ndaluar  veturën Golf IV me targa vendore, ku gjatë kontrollimit të tre personave që gjendeshin në veturë, duke përfshirë të apostrofuarin në media (Sh. M), ishte gjetur një revole e llojit "Zastava", me një karikator dhe katër fishek të kalibrit 6. 35 mm.

Gjatë vazhdimit të kontrollit të automjetit, në një pjesë të veturës është gjetur një thikë, si dhe një cigare e mbështjellë e cila dyshohej të jetë substancë narkotike, një mulli i bluarjes grinder ndaj të cilave janë duke u kryer hetime.

Personi i dyshuar ( A. K. ), i cili ka qenë në veturë ka deklaruar se cigarja e mbështjellë e gjetur brenda në veturë, si dhe mulliri i bluarjes grinder i përkasin atij .

Si rezultat i vazhdimit të hetimeve, nga njësitet policore është intervistuar edhe personi i katërt i dyshuari ( R. M ), i cili ka deklaruar se arma është e tij dhe se i njëjti e ka harruar në veturën e apostrofuar dhe se nuk i përket të dyshuarit (Sh. M)”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndryshe, në përkrahje të djalit të Shpend Maxhunit është edhe Prokuroria e cila po tenton ta shfajësojë djalin e Shefit të AKI'së.

 

(Kosova Sot)