Rreth 1 milion e 200 mijë euro investohen për sheshin e Obiliqit

  • 20 October 2018 - 15:57
Rreth 1 milion e 200 mijë euro investohen për sheshin e Obiliqit

Në komunën e Obiliqit kanë filluar punimet për ndërtimin e sheshit “Adem Preniqi”, i cili do të ketë 10600 metra katrorë dhe vlerë financiare rreth 1 milionë e 200 mijë euro.

Në përurim të punimeve ka marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se ky është një moment gëzimi pasi ky projekt po realizohet në vendin e duhur.

Ai po ashtu u shpreh optimist që ligji për Obiliqin do të krijojë investime të reja.

Haradinaj: Obiliqi po bëhet qytet atraktiv

“Unë besoj që po shkojmë ka një qytet që është atraktiv, jo më i shkretë e i lënë pas dore, po aq aktiv sa njerëzit kanë me ardhë për qejf, me pa, m’u knaqë, me kalu këtej, ndryshe, disa prej Prishtine me ardhë e me kalu ndonjë moment në Obiliq”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj tha se kryetarët e komunave të tjera duhet të vijnë në Obiliq dhe të marrin mësim.

Ndërsa, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se me anë të këtyre projekteve po ia kthejnë të mirat kësaj komune dhe u zotua se investimet në këtë komunë do të vazhdojnë.

Lekaj: Do t’ia kthejmë të mirat Obiliqit

Video

“Obiliqi ka dhanë shumë për Kosovën dhe ne do të jemi të vëmendshëm që ato të mira që ia keni dhanë Kosovës me rrymë elektrike, që t’ua kthejmë me seriozitetin ma të madh”, ka thënë Lekaj.

Kurse kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, tha se ky projekt është i 44-ti me radhë që po kryhet në këtë komunë, dhe njoftoi se të hënën do të fillojnë ndërtimet për një park. Ai po ashtu tha se emri “Adem Preniqi”, u vendos këtij sheshi me kërkesën e qytetarëve.

Gashi: Ligji për Obiliqin po krijon mundësi të reja

“Ligji për Obiliqin do të krijojë një mundësi më tutje për ndërrimin e gjendjes që e kemi kaq të dobët në aspektin e ndërtimeve të vjetra, po edhe në aspektin shëndetësor. Do të investohet shumë në infrastrukturë dhe ambient, shëndetësi dhe kështu me radhë”, ka thënë Gashi.

Përndryshe, para vënies së gurthemelit, Haradinaj, Lekaj dhe Gashi kanë bërë homazhe tek lapidari i dëshmorëve në Obiliq.

(Kosova Sot)