Rrëfehet një nga të mbijetuarat e dhunës seksuale të cilës iu refuzua ky status nga Komisioni

  • 20 October 2018 - 17:54
Rrëfehet një nga të mbijetuarat e dhunës seksuale të cilës iu refuzua ky status nga Komisioni

Rreth 800 persona kanë aplikuar për statusin e viktimës së dhunës seksuale. Deri më tani 143 prej tyre kanë filluar edhe marrjen e pensioneve. Ndërsa, 103 prej tyre janë refuzuar nga Komisioni qeveritar, ku siç thonë ata, nuk ka pasur prova të mjaftueshme dhe bindëse për rastin.

Për Kosova Press, rrëfehet njëra nga të mbijetuarat e dhunës seksuale, e cila pretendon që është viktimë, mirëpo është refuzuar nga komisioni qeveritar.

Ajo thotë se përjetimet e asaj nate nuk po mundet t’i shlyejë nga kujtesa edhe tash pas 18 vjetësh.

Për të është ende e freskët nata e 26 majit të vitit 1999. Të qarat e fëmijëve, torturat e policëve serbë, zërat e burrave që nuk gjenin forcë edhe më tej të përballonin goditjet që shkaktoheshin në trupat e tyre, janë vetëm disa sekuenca që i përsëriten asaj herë pas here në mendje.

Ishte pikërisht nata e 26 majit, kur ajo kishte fatin e zi të merret nga forcat serbe me dhunë, në mesin e shumë personave të cilët gjendeshin në kolonë, si shkak i dëbimit nga shtëpitë e tyre.

“Një herë më ka hup vetëdija prej tute, prej tmerri, aty ka pas shumë, ka pas plotë. Prej orës 2 e diçka u kon, na kanë shti në ato dhomat. Kunati u kon në atë tjetrën dhomë e kom ni tu e rreh. Neve na kanë shti aty, kanë bo çka kanë dasht vet. Prej dyve deri të nesërmen në orën shtatë të mëngjesit. Tani na kanë qit në një stom të rrugës, aty më ka marrë dikush me gjithë kunatin bashkë edhe na kanë qu te fmia. Aty kom nejt si e pavetëdijshme, në të lig, e malltretume, e dhunume në tona mënyrat”, rrëfen ajo.
Pas asaj kohe, ajo rrëfen që asnjëherë nuk ka qenë mirë me shëndet. Madje ishte detyruar që për shkak të dhunimit, t’i kryej dy intervenime kirurgjike.

Sikur të mos i mjaftonin këto, ajo në atë kohë bashkëshortin e kishte në Gjermani.
Pas tri viteve, kur ai u kthye, siç rrëfen ajo, e la të vetme, me pretekstin se e kishte “ç’nderuar familjen”.

“Burri e kuptoi si e kuptoi, jena nda... vetëm për këtë arsye. Edhe vet ai tregon që vetëm për këtë arsye nuk më ka marrë më. Kurrë ditë të mirë nuk kom pas, edhe s’di sa herë kom tentu veç me myt vetën, mos me jetu mo. Mos me jetu mo, as edhe një minutë. Kom hjek shumë, kom hjek edhe për që më ndodh qikjohja, nuk e kom besu. Për neve ditë të mirë mo nuk ka, se veç qato momente kur i kujtoj, mu vetëdija... se di çka boj e çka maroj, me doket që kapaku i kresë po më shkon përpjetë”, thotë ajo.

Përveç gjendjes shëndetësore, edhe atë ekonomike e ka shumë të vështirë.

Me të kuptuar që kishte filluar procesi i verifikimit të statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale, ani pse e kishte të vështirë, kishte aplikuar në komisionin qeveritar.

Mirëpo, ajo është refuzuar nga ky i fundit, me faktin se nuk kishte prova të mjaftueshme. Por, kjo nuk është e vetmja aplikuese e cila është refuzuar.

Kryetarja e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar Gjatë Luftës së Fundit në Kosovë, Minire Begaj, ka treguar për Kosova Press se deri më 28 shtator kanë aplikuar rreth 800 persona. Por, jo të gjithë kanë mundur të pranohen.

“Prej tyre i kemi pranuar 143 që ju ka njohur statusi i viktimës së dhunës gjatë luftës. Prej tyre të refuzuar i kemi 103. Me thënë të drejtën, krejt kjo fazë që po e përmendni, të gjitha ato mundësi që na i ka lejuar ligji edhe shumë mirë që na i ka jep këtë mundësi, që në fund të fundit ka ardhur në përfundim Komisioni, që nuk është bind Komisioni me gjithë ato procese që e kemi marrë. Qoftë edhe një narrativ, qoftë edhe një dokument mbështetës, në fund edhe një intervistë. Duhet ta kemi parasysh që ka ndodh që në disa raste kemi pasur kontradikta të mëdha me storien edhe me intervistën. Por që, e mira është që ne së fundmi kemi vendos me thirr palën në intervistë për arsye se kemi konsideruar që të paktën ta kemi palën përpara dhe sado pak të bindemi përfundimisht”, shprehet Begaj.

Mirëpo, aplikuesit të cilët refuzohen kanë mundësinë që prapë të bëjnë kërkesë në Komision për rishqyrtim. Në lidhje me rastin e gruas e cila vjen nga një fshat i Podujevës, Anton Nrecaj nga Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Regjional, “Clard”, thotë se ka filluar procedurat e para për në gjykatë.

“Ne ju kemi drejtuar gjykatës me argumentin që vendimet të cilat janë nxjerrë në shkallën e parë dhe shkallën e dytë prej Komisionit qeveritar, janë vendime dhe argumente të padrejta dhe të paqëndrueshme dhe mbi bazën e kësaj, ne edhe i kemi argumentuar faktet, duke përfshirë edhe deklaratat e vetë personave të cilët kanë qenë viktimë dhe personave që kanë qenë dëshmitarë, dhe ky argument në gjykatë është i mjaftueshëm që gjykata të nxjerrë një aktgjykim në bazën e të cilës hedh poshtë vendimet e Komisionit qeveritar dhe gjithë procesin e aplikimit të viktimave të cilat ju drejtohen gjykatës, po flas për rastet veç e veç, mirëpo për rastet që ne i kemi argumentet bindëse do t’i drejtohemi gjykatës dhe presim nga gjykata t’i hedhë poshtë vendimet e Komisionit dhe ta rishqyrtojë lëndën nga fillimi”, thotë Nrecaj.

Megjithatë, jo të gjitha viktimat kanë fatin të aplikojnë për njohjen e statusit. Disa prej tyre sot e asaj dite vazhdojnë të ndihen të stigmatizuara, e disa prej tyre nuk kanë pasur fatin as ta presin këtë ditë - kanë ndërruar jetë.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, thotë se procesi i gjatë për këto viktima po shkakton ankth të dyfishtë.
“Ato që hyjnë në proces, mund të them që më shumë i mban ankthi pezull se çfarë po ndodh me to, çfarë do të kërkohet, a do të marrin vendim pozitiv... Mirëpo, ato që hyjnë në proces edhe nuk tërhiqen nga procesi, kjo është një pjesë pozitive, që nuk tërhiqen, por presin me shpresën e mirë që ato që e kanë dokumentuar dokumentacionin e besueshëm, do të thotë që do ta marrin vendimin pozitiv”, tha Rushiti.

Në mars të vitit 2014, ish presidentja Atifete Jahjaga kishte themeluar Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale Gjatë Luftës në Kosovë. Ajo madje njihet si përfaqësuesja e vetme e vendit e cila kërkoi me ngulm që t’u njihet statusi këtyre viktimave. Ani pse procesi ka filluar, ajo e quan si të vonuar.

“Të them të drejtën, është paksa një proces i vonuar, sepse ka qenë dashur të fillojë para dy viteve edhe kur ka qenë e paraparë në bazë të punës dhe në bazë të rekomandimeve, sepse Komisioni është rrjedhojë e Këshillit Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës. Neve për një arsye apo tjetrën këtë çështje e kemi adresuar me shumë vonesë, 14 apo 15 vjet pas përfundimit të luftës, dhe falë Këshillit Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, falë shumë aktivistëve që në mungesë të institucioneve, të themi, deri në vitin 2013 apo në vitin 2014, e kanë kryer edhe punën e institucioneve në mungesë të tyre”, thotë Jahjaga.

Procesi i verifikimit të viktimave të dhunës seksuale ka filluar me 5 shkurt të këtij viti.
Megjithatë, ani pse dihet se janë afro 20 mijë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, ende askush nuk është i dënuar për këto vepra.

Lutja e vetme e zonjës që rrëfehet në këtë shkrim është që një ditë asaj t’i njihet ky status që sado pak t’i zbutet dhimbja që ka përjetuar me vite.

(Kosova Sot)