Misioni austriak në BE: Qytetarët e Kosovës marrin vizat nëse e kalojnë testin e migracionit dhe sigurisë

  • 20 October 2018 - 18:03
Misioni austriak në BE: Qytetarët e Kosovës marrin vizat nëse e kalojnë testin e migracionit dhe sigurisë

Qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza nëse vendet e BE’së pajtohen se kosovarët nuk do vërshojnë nëpër vendet evropiane dhe as nuk do ta cenojnë sigurinë e Bllokut.

Ky është paralajmërimi i Ambasadorit austriak, Nikolaus Marschik, që është udhëheqësi i Përfaqësisë së Përhershme të Austrisë në Bashkimin Evropian.

Ai ka thënë se aktualisht në institucionet evropiane po bëjnë vlerësime nëse kosovarët i kanë plotësuar të gjitha kriteret për viza.

 “Shtetet Anëtare i kushtojnë vëmendje të veçantë zhvillimeve në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe implikimet që kanë të bëjnë me  migracionin dhe sigurinë”, ka thënë Marschik për Express.

Në disa hulumtime që janë bërë kohëve të fundit në Kosovë ka dalë se një pjesë e madhe e njerëzve do ta lëshonin vendin nëse ndodh liberalizmi i vizave. Gatishmëria më e madhe për të ikur nga Kosova është tek rinia.

Ndërkohë, vendet e BE’së përpos frikës që kanë nga azilkërkuesit kosovarë, frikësohen edhe prej mundësisë që Kosova të dërgojë edhe shtetas me të kaluar kriminale nëpër Evropë.

Sidoqoftë, Marschik ka thënë se para se të dërgohet për diskutim në Këshillin e Ministrave, çështja e liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës do të kalojë nëpër dy instanca të tjera të misionin që ai udhëheq.

“Ne aktualisht çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën jemi duke e diskutuar në nivel të ekspertëve. Diskutimi për këtë çështje më pas do të hapet në nivel të ambasadorëve, por pasi të ketë përfunduar debati në nivel ekspertësh”, ka thënë Marschik.

Se a do të dërgohet më pas kjo çështje për diskutim në Këshillin e Ministrave gjithçka varet nga diskutimi në këto dy instanca.

“Varësisht nga përfundimet që nxirren nga këto diskutime, atëherë do të vendosim për ta shtyrë përpara ose jo këtë çështje për diskutim në nivel të Ministrave”,  ka shtuar ai.

Ambasadori austriak ka thënë se i gjithë procesi varet se sa zgjatin këto diskutime, duke mos dhënë datë të saktë se kur mund të iniciohet çështja e liberalizmit të vizave për Republikën e Kosovës në Këshillin e Ministrave.

I pyetur nëse zhvillimet politike aktuale në Republikën e Kosovës ndikojnë në këtë proces, ai ka thënë se liberalizimi i vizave është një proces teknik që vare nga përmbushja e një numri të madh të kushteve dhe jo nga zhvillimet e fundit politike.

“Liberalizimi i vizave është një proces teknik i cili varet nga përmbushja strikte e një numri të madh kriteresh. Ai udhëhiqet nga shqyrtimi afatgjatë dhe jo nga ngjarjet e fundit”, ka potencuar ai.

Dritën jeshile për vizat ditë më parë e ka dhënë edhe Komiteti për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian, të cilët më shumicë votash kanë miratuar Raportin për Kosovën.

Raportuesi për Kosovën në këtë institucion, Igor Soltes, ka thënë se votimi i atij raporti është një hap shumë i rëndësishëm për procesin e liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës.

Megjithatë vlen të theksohet se në atë raport janë dhënë edhe disa vërejtje për mos përmbushje të disa marrëveshjeve të arritura në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, gjithashtu edhe vërejtje të cilat kanë të bëjnë me fushën e arsimit, minoriteteve e çështjeve tjera.

Ndërkohë në Kosovë, liderët politik vazhdojnë të japin data të ndryshme  se kur kosovarët do të marrin liberalizimin e vizave.

(Kosova Sot)