Politika e mbrapshtë ia humb disa vjet Kosovës

  • 21 October 2018 - 07:43
Politika e mbrapshtë ia humb disa vjet Kosovës

Qytetarët vuajnë pasojat e lidershipit të korruptuar

"Kjo klasë udhëheqëse si prioritet të vetin nuk e ka pasur asnjëherë shtetndërtimin, zhvillimin dhe mirëqenien e shtetit të Kosovës, por pasurimin dhe mbretërimin 'absolut' në pushtet, në stilin mafioz", thotë analisti Ymret Reshiti për "Kosova Sot"

Njohës të rrethanave politike, por edhe qytetarët e vendit vlerësojnë se për shkak të inateve dhe paaftësisë politike, Kosova i humbi të paktën pesë vjet me themelimin e Ushtrisë së saj, ndërsa askush nuk mban përgjegjësi për vonesën. Njohësit e kësaj fushe vlerësojnë se politikanët injorantë dhe të korruptuar po ia humbin popullit dhe shtetit me vite të tëra shanset për të qenë pjesë e Evropës. Kjo, ngase ashtu si u vonua themelimi i Ushtrisë së Kosovës, ashtu po vonohet edhe liberalizimi i vizave , po zvarritet zbatimi i MSA-së (ngase pjesa dërrmuese është e pazbatuar), sepse nuk po sundon ligji, dhe kësisoj po vazhdojmë të jemi e të trajtohemi nga BE-ja si një shtet që udhëhiqet nga nëntoka kriminale dhe nga krimi i organizuar e korrupsioni galopant. Analisti politik Ymret Reshiti, për gazetën "Kosova Sot", thotë se procesi i transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës është një nga shumë procese të vonuara të Kosovës. Sipas tij, krejt ky dështim ka ndodhur si rezultat i dështimit në shtetndërtim nga klasa politike që ka qeverisur me Kosovën tash e sa vite. "Kjo klasë udhëheqëse si prioritet të vetin nuk e ka pasur asnjëherë shtetndërtimin, zhvillimin dhe mirëqenien e shtetit të Kosovës, por pasurimin dhe mbretërimin 'absolut' në pushtet, në stilin mafioz. Udhëheqja e pushtetit ka menduar për shtetin sa herë ka pasur për të nënshkruar ndonjë tender publik ,e sidomos ata miliardësh, sepse aty u ka dalë leverdia e korruptimit", vlerësoi Reshiti.

Formimi i Ushtrisë mund ta zmbrapsë Thaçin


 Sipas Reshitit, sikur të kishim Ushtrinë tonë nuk do kishim problemin me veriun e Kosovës, me Listën Serbe, me pikat doganore, telekomunikacionin, tabelat e automjeteve, lëvizjen e lirë në tërë Kosovë, integrimin e plotë në sistemin kushtetues të Republikës së Kosovës të komunave me shumicë serbe ,ku në hapësirat e tyre do të valonte flamuri i Kosovës dhe jo ai i Serbisë. "Me një fjalë, nuk do të kërcënonte Serbia me aeroplanë që i mban përherë në remont! Pastaj ,qysh moti do të kishim liberalizim të vizave dhe afër integrimit në BE. Do të ishim në INTERPOL dhe asnjë qytetar i Kosovës nuk do të kishte frikë që të ekstradohej në Serbi për t'u gjykuar me akuza të rrejshme për krime lufte", potencoi më tej ai. Ndërsa, eksperti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Ali Hertica, për gazetën,"Kosova Sot", tha se edhe nëse ndodh anëtarësimi i Kosovës në Interpol dhe i Ushtrisë, nuk beson se do të ndodhë liberalizimi. "Në rastin më të keq, liberalizimi i vizave mund të shtyhet deri në vitin 2020. Marrëveshja e Stabilizim Asocimit është marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e cila ishte konsideruar si hapi i parë në kuadër të proceseve integruese evropiane për Kosovën", vlerësoi ai. "Duhet të kërkojmë përkushtimin dhe seriozitetin në zbatimin e prioriteteve, konkretisht duke promovuar qeverisjen e mirë, fuqizimin e sundimit të ligjit, duke mbrojtur konkurrueshmërinë, duke përmirësuar klimën e investimeve dhe duke avancuar politikat e punësimit", shpjegon Hertica. Ndërsa, analisti tjetër politik Enver Bytyçi, për gazetën "Kosova Sot", tha se dje dita e enjte ishte një ditë historike për Kosovën, pasi Kuvendi i Republikës vendosi që të krijohet Ushtria. "A do të jetë ky vendim i Parlamentit në Prishtinë një paralajmërim për presidentin e Kosovës, se tashmë nuk mund të flitet për tjetërsimin e territoreve, se veç Kushtetutës territorin e saj e mbron edhe Ushtria. Ndaj duhet të presim e të shohim! Por një gjë është e sigurt. Krijimi i Ushtrisë së Republikës së Kosovës në këto kohe të vështira për vendin do të shënohet si moment kthese në historinë e saj. Do ta lexojë ose jo Hashim Thaçi këtë akt si të tillë, është në dorën dhe vullnetin e tij. Ai duhet të kuptojë se sa më shpejt të heqë dorë nga aventura e ndarjes së territorit në favor të Serbisë, aq më shumë mund të rikuperojë diçka nga morali e karriera e tij politike", potencoi Bytyçi. Sipas tij, pas ditës së djeshme institucionet e Kosovës dhe qytetarët e saj janë shumë herë më të motivuar për t'i thënë jo çdo projekti antishqiptar që kërcënon territorin e vendit dhe për ta mbrojtur atë me çdo kusht nga ata që e kërcënojnë këtë territor.

LIBERALIZIMI, NË PIKËPYETJE


 "Nivelet e larta të korrupsionit po e shkatërrojnë ekonominë dhe mirëqenien sociale të qytetarëve, sepse sistemi i drejtësisë ka dështuar, ngase është e kapur nga mafia e politikës. Ligji nuk vlen për pushtetarët, njerëzit e fuqishëm të politikës dhe bizneset e krimit. Sundimi i ligjit dhe luftimi i korrupsionit është pengesa e vërtetë që po zvarrit liberalizimin, ngase po dështojnë edhe shpresat e fundit të zyrtarëve evropianë se pushtetarët e Kosovës do të plotësojnë ndonjëherë këto kushte", tha Ymret Reshiti për "Kosova Sot". 

DEGRADIMI POLITIK


 Skena politike kosovare nuk ka qenë asnjëherë më e varfër politikisht, moralisht dhe profesionalisht dhe më jokredibile. Së këndejmi, Presidenca, Kryeministria dhe Kuvendi përfaqësohen sot nga politikanë të cilët, fatkeqësisht, nga bota e jashtme demokratike shihen si një segment, i cili më shumë ka dëshmuar të jetë regresive sesa progresive në raport me zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale dhe konsolidimin demokratik të vendit", tha Ali Hertica për "Kosova Sot".

Qytetarët, të zhgënjyer


 Edhe qytetarët tanë janë tejet të zhgënjyer me klasën politike vendore. Kësisoj, qytetari Xhafer Jashari, nga Prishtina, për gazetën " Kosova Sot", vlerëson se pesë vjetët e humbur janë rezultat i inateve të subjekteve politike. "E keqja është se te ne në Kosovë janë inatet e spektrit politik vendor që po ashtu për disa vjet na e humbën rastin e liberalizimit më të shpejtë të vizave përmes zhagitjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. E tëra kjo ka ndodhur shkaku i klaneve të shumta që primare e kanë pasur interesin e tyre personal e jo interesin e shtetit e qytetarëve të Kosovës", u shpreh ai. Ndërsa, qytetari tjetër po ashtu nga Prishtina Ramadan Musliu, për gazetën "Kosova Sot", thotë se nuk ka asnjë dyshim se kjo çështje do të ishte kryer që në vitin 2014, por kjo nuk u bë ngase LDK-ja është fajtore për këtë prolongim 5- vjeçar të themelimit të Ushtrisë së Kosovës. "LDK-ja kërkoi që mos të quhet FAK, por FARK dhe kjo është marria më e madhe që ka ndodhur deri më sot. Kurse sot, LDKja, pa asnjë fije turpi po kërkon zgjedhje. Por, kjo është normale, sepse fundja çdo parti që është në opozitë kërkojnë zgjedhje", shprehet ai. Musliu bën përgjegjës edhe partitë në opozitë për këtë zvarritje dhe kritikon bojkotin parlamentar.

(Kosova Sot)