Korrupsioni dhe krimi i organizuar paralizojnë shtetin

  • 21 October 2018 - 07:45
Korrupsioni dhe krimi i organizuar paralizojnë shtetin


Mafia politike dhe ekonomike dirigjojnë gjithçka


"Korrupsioni bashkë me krimin e organizuar dhe bashkë me ndërhyrjet politike janë problemet kryesore, të cilat drejtësinë e vendit e kanë kthyer në padrejtësi për qytetarët, duke e trafikuar drejtësinë gjithnjë, përmes rrugëve antiligjore", theksoi analisti Bislim Aliu për "Kosova Sot"

Vazhdimi i bashkëjetesës së papenguar në shtetin e ri e të brishtë të Kosovës, në mes të politikës dhe krimit të organizuar e korrupsionit në çdo institucion, si diçka tërësisht e zakonshme, nga analistët e fushës së drejtësisë dhe të politikës po vlerësohet të jetë "rezultat" për shkak të dështimit të prokurorisë, policisë dhe gjyqësisë që nuk i luftojnë ato. Ata theksojnë se korrupsioni dhe krimi i organizuar bashkë me ndërhyrjet politike janë problemet kryesore, të cilat drejtësinë e vendit e kanë kthyer në padrejtësi për qytetarët, duke e trafikuar drejtësinë përmes rrugëve antiligjore. Sipas profesorit të së drejtës, Muhamet Kelmendi, korrupsioni dhe krimi në Kosovë dhe kudo, pa një lidhje të ashpër, si dhe pa një kontrollim dhe udhëheqje nga politika, si dhe nga njerëzit e firmave oligarkike private, nuk bën dhe as që mund të paramendohet."Pra, krimi dhe korrupsioni vijnë nga mafia ekonomike dhe nga mafia politike e pushtetit. Mafia politike dhe ajo ekonomike e udhëheq dhe e kontrollon krimin edhe në polici, edhe në prokurori dhe në gjykata, kudo në organet e dreqësisë. Pa një lidhje të tillë dhe udhëheqje nga lart nuk mund të zhvillohet dhe të qëndron krimi dhe korrupsioni në mesin e një shteti e shoqërie. Kështu po ndodh edhe tek ne", u shpreh ai për "Kosova Sot".


Nëntokës i konvenon kjo drejtësi e nënshtruar


 Sipas analistit politik, Bislim Aliu, nuk ka asnjë mëdyshje më të vogël se te ne, në Kosovë, pandalshëm, po bashkëjetojnë korrupsioni dhe krimi i organizuar, në çdo institucion, si diçka tërësisht e zakonshme, pikërisht për shkak të dështimit total të prokurorisë, gjyqësisë e policisë. "Ndaj, korrupsioni bashkë me krimin e organizuar dhe bashkë me ndërhyrjet politike janë problemet kryesore, të cilat drejtësinë e vendit e kanë kthyer në padrejtësi për qytetarët, duke e trafikuar drejtësinë gjithnjë përmes rrugëve antiligjore. Me të drejtë mund të konstatojmë se politikës së inkriminuar dhe nëntokës kriminale po i konvenon kjo drejtësi e brishtë, me mundësi 100% trafikimi, sepse në kuadër të lulëzimit të korrupsionit dhe krimit në drejtësi pushtetarët e tejinkriminuar e kanë shumë më lehtë të bëjnë milionat, përmes rrugëve korruptive e kriminale dhe asnjëherë pa i prekur dhe pa u rrezikuar nga askush", theksoi Aliu për "Kosova Sot". Sipas njohësit të mirë të kësaj fushe, Hasan Preteni, në Kosovë për nga definicioni nuk ka korrupsion, por ka krim të organizuar. "Krimi i organizuar është organizim mafioz kur "organizohen më shumë persona për të kryer ndonjë vepër penale". Po të korruptohet vetëm një segment lehtë do të luftohej, por në rastin kur ka shumë segmente në shumë institucione, me shumë aktorë, atëherë situata është e pashpresë, situatë kur dominon angazhimi më i fuqishëm për të shkelur ligjin se sa ai për të respektuar atë dhe kjo nuk është situatë normale", u shpreh ai.


DREJTËSIA E PAVARUR, NJË ILUZION 


Sipas ekspertit tjetër të kësaj fushe, Skënder Kapiti, gjithë periudha e deritanishme e qeverisjes në Kosovë ka dëshmuar se ky shtet i ri është larg ndërtimit të shtetit të së drejtës."Realiteti në Kosovë ka provuar atë që: nuk ka drejtësi të pavarur e fatkeqësisht ne tërësi as media të tillë të lirë e të pavarur, por përkundrazi funksionon një drejtësi politike dhe tejet e korruptuar. Një politike dhe një drejtësi e korruptuar krijon edhe një edukatë publike dhe një shoqëri të korruptuar dhe ky përbën mëkatin më të rëndë dhe më të madh të politikës, të politikanëve, të gjyqtarëve dhe të prokurorëve shqiptarë, mëkatin më të madh që ata kanë bërë mbi shtetin dhe mbi shoqërinë shqiptare. Kjo ka shkaktuar masivisht humbjen e besimit të drejtësia dhe braktisjen e atdheut nga shqiptarët që janë pasojat që shqiptarëve u vijnë nga mëkatarët politikanë dhe nga mëkatarët e drejtësisë", vlerëson ai."Kur korrupsioni dhe krimi funksionojnë institucionalisht, me papërgjegjshmëri dhe kur ato mbrohen e nuk ndëshkohen nga drejtësia, atëherë shteti dhe drejtësia degjenerojnë dhe prishen. Kjo do të thotë se drejtësia, politika, pushteti dhe shteti vihen në lëvizje nga korrupsioni, gjë e cila bën të mundur mbetjen prapa, shumë prapa, apo shkuarjen drejt regresit civil, demokratik e juridik, që do të thotë drejt falimentimit të shoqërisë e që përbën kërcënimin me serioz të sovranitetit kombëtar", tha Kapiti për "Kosova Sot". Sipas tij, duhet urgjent një VETTING për drejtësinë dhe për politikën në Kosovë, i cili do të ishte i një rëndësie jetike për shtetin dhe për shoqërinë kosovare.

PA VETTING NUK KA PROGRES


 Sipas Pretenit, ka vendime joligjore, veprime joligjore, dëmtime të buxhetit, mosndjekje penale, anë të pranishme dhe kësaj i thonë vetëm anarki. "Pra, jemi dëshmitarë të përditshëm për shkeljet ligjore, ato që po bëhen edhe publike. Po nxirren vendime për pagesat e ngjarjeve që veç kanë përfunduar ( shembulli kur përfundon varrimi, kurse vendimi për pagesën e shpenzimeve merret disa ditë pas varrimit). Ne jemi në dijeni, aq sa jemi informuar, se edhe votimi për pranimin e Kosovës në Interpol është muajin tjetër, kurse qeveria sot ndan 1.2 milion euro për lobim… Atëherë shtrohet pyetja se kujt i jepen ato mjete, si lobohet një muaj para vendimit, po si lobohet te qeveritë e shteteve anëtare të cilat votojnë. Edhe shumë pyetje tjera dalin, pa përgjigjen e të cilave nuk mund të kenë logjikë. Edhe për shumë ngjarje tjera ose përvjetor po ndahen mjete në shuma të mëdha edhe atë të "rrumbullakuara", Ndahen rrafsh 500.000 euro, kjo menjëherë më asocon në korrupsion, sepse nuk është bërë një specifikë reale e shpenzimeve. Ky është pra krim i organizuar i veshur me petkun e legjitimitetit", vlerësoi më tej Preteni për "Kosova Sot". "Tani shtrohet pyetja se si të atakohen vendimet e nivelit të lartë kur ata që duhet ndjekur po përfitojnë nga vendimet e tilla… Duhet rikujtuar edhe një herë prokurorëve dhe gjyqtarëve se edhe ata janë duke përfituar nga një vendim që nga organi kryesor kompetent për vlerësimin e konfliktit të interesit është vlerësuar si i tillë. Të gjitha përfitimet materiale nga një pozicion i konfliktit të interesit janë të paligjshme. E kë mund ta ndjekin këta shtrohet pyetja", tha Hasan Preteni për "Kosova Sot".

PA VETTING NUK KA PROGRES


 "Nëse nuk luftohet krimi në nivelet e pushtetit qendror, nuk ka sukses ndërtimi i shtetit ligjor. Ndryshe, ky fenomen zhvillohet, pra fuqizohet dhe zgjerohet krimi dhe korrupsioni kudo nëpër mekanizmat e drejtësisë dhe të shtetit. Mjeti për ta eliminuar ose minimizuar këtë të keqe ekziston. Unë mendoj që duhet thjesht të kemi VETTING në çdo nivel, në politikë, në pushtët të nivelit qendror e lokal, në polici, në gjykata dhe në prokurori të shtetit. Mendoj dhe jam shumë i bindur që vetëm kështu ecet përpara në ndërtimin e shpejtë të shtetit të së drejtës, shtetit ligjor, për të gjithë qytetarët pa dallim", tha prof. Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)