Kotzias dorëzon detyrën: Zgjerojmë kufirin me Shqipërinë me 6-12 milje. Reagon Ministria e Jashtme: Parimi aplikohet vetëm kur…

  • 21 October 2018 - 11:12
Kotzias dorëzon detyrën: Zgjerojmë kufirin me Shqipërinë me 6-12 milje. Reagon Ministria e Jashtme: Parimi aplikohet vetëm kur…

Ish-ministri grek, Nikos Kotzias, deklaron se negociatat për paktin detar me Shqipërinë janë në fazën përfundimtare dhe nga kjo marrëveshje Greqia do të zgjerojë ujërat e saj territorialë në krahun perëndimor, nga 6 në 12 milje detare.

Deklaratat e tij, Kotzias i bëri gjatë dorëzimit të detyrës së ministrit të Jashtëm, kreut të qeverisë greke Aleksis Tsipras. Sipas Kotzias, nga marrëveshja për kufirin detar në territoret greke do të përfshihet ishulli Otonos, i cili ndodhet pranë Korfuzit në kufi me Shqipërinë dhe gjithë ishujt e vegjël rreth tij, deri në Antikythera, një ishull i vogël në veriperëndim të Kretës. “Në këto 4 vite mundëm të vëmë mbi tavolinë një paketë temash me Shqipërinë që për 70-100 vite mbanin peng marrëdhëniet mes dy vendeve. Ne bëmë hapat tanë. Njohëm patentat, e cila mund të jetë një gjë e vogël, por është tregues i dëshirës së mirë për të ecur përpara. Por mbi të gjitha, ne mundëm të gjejmë atë që kishim braktisur që nga koha e luftës. E kam fjalën për heronjtë tanë gjatë kohës së luftës, të cilët i varrosëm me respekt dhe nderime ashtu siç e ka zakon Greqia. Unë po jetoj një paradoks, ndihem i lumtur për arritjen ndërkohë që po dorëhiqem. Tani jemi në fazën e fundit të marrëveshjes për vijën bregdetare. Mbetet vetëm çështja e gjireve. Do të zgjerojmë vijën bregdetare nga 6 në 12 milje, duke u nisur nga ishulli Otonos dhe deri në Aoz me Egjiptin”, tha Kotzias gjatë fjalës së tij. Sipas ish-ministrit grek të Jashtëm ky është një zgjerim i rëndësishëm politik i sovranitetit të Greqisë, për herë të parë që prej kohës kur Greqia përfshiu grupin e ishujve Dodecanese (më i madhi i të cilit është ai i Rodosit).

QEVERIA

Edhe Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, vlerësoi maksimalisht punën e bërë në politikën e jashtme nga Kotzias. Gjatë deklaratës së tij, Tsipras theksoi se zgjerimi i kufijve detarë të Greqisë ka qenë një strategji, e cila do të vijojë edhe në muajt në vazhdim. “Greqia është kolonë paqeje dhe stabiliteti në Europën Juglindore, por edhe në rajon. Njëkohësisht Greqia po zgjerohet siç deklaroi më parë Niko Kotizas. Kjo ishte pjesë e një strategjie që ai e kishte frymëzim ta mendonte, por së bashku e projektuam e zbatuam dhe do ta zbatojmë edhe në vazhdim. Zgjerimi i vijës bregdetare gradualisht është një lajm shumë i rëndësishëm”, theksoi kreu i qeverisë greke. Tsipras krahas detyrës së Kryeministrit do të mbajë edhe detyrën e ministrit të Jashtëm për shkak se shumë nga negociatat për marrëveshjet e nisura me fqinjët duhet të finalizohet sa më shpejt. Në njoftimin e shpërndarë në rrjetet sociale pas takimit me Kotzias, kreu i qeverisë greke vlerëson punën e paraardhësit të tij. “Nikos Kotzias vuri vulën e tij mbi politikën e jashtme greke. Në një rrugë që na lejon sot jo vetëm të lëmë pas memorandumin, por edhe të vendosim rolin e vendit si një shtyllë të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në një fushë shumë të rëndësishme”, shkruan Tsipras.

REAGIMI

“Panorama” kontaktoi me Ministrinë e Jashtme lidhur me deklaratat e Kryeministrit grek, Aleksis Tsipras dhe ish-ministrit të Jashtëm, Nikos Kotzias, për zgjerim të kufijve detare. Burime zyrtare të Ministrisë së Jashtme sqarojnë se “Parimi i 12 miljeve mund të aplikohet vetëm në rastet kur deti territorial i një shteti nuk mbivendoset me detin territorial të shtetit fqinj ku distanca është më e vogël se 24 milje”. Sipas këtij shpjegimi të dhënë nga Ministria e Jashtme rezulton se pretendimi i Greqisë për t’u zgjeruar me 12 milje detare është një çështje e së drejtës ndërkombëtare, e cila ia njeh këtë mundësi të gjithë shteteve, ashtu siç edhe Shqipëria e ka bërë një gjë të tillë prej vitesh. Por kjo distancë prej 12 miljesh nuk zbatohet në gjirin e Sarandës apo në zonat e tjera të detit territorial mes dy vendeve, pasi distanca në këto zona është nën 12 milje.

(Kosova Sot)