KAPITI:DREJTËSIA E PAVARUR, NJË ILUZION

  • 21 October 2018 - 13:52
KAPITI:DREJTËSIA E PAVARUR, NJË ILUZION

Sipas ekspertit tjetër të kësaj fushe, Skënder Kapiti, gjithë periudha e deritanishme e qeverisjes në Kosovë ka dëshmuar se ky shtet i ri është larg ndërtimit të shtetit të së drejtës."Realiteti në Kosovë ka provuar atë që: nuk ka drejtësi të pavarur e fatkeqësisht ne tërësi as media të tillë të lirë e të pavarur, por përkundrazi funksionon një drejtësi politike dhe tejet e korruptuar. Një politike dhe një drejtësi e korruptuar krijon edhe një edukatë publike dhe një shoqëri të korruptuar dhe ky përbën mëkatin më të rëndë dhe më të madh të politikës, të politikanëve, të gjyqtarëve dhe të prokurorëve shqiptarë, mëkatin më të madh që ata kanë bërë mbi shtetin dhe mbi shoqërinë shqiptare. Kjo ka shkaktuar masivisht humbjen e besimit të drejtësia dhe braktisjen e atdheut nga shqiptarët që janë pasojat që shqiptarëve u vijnë nga mëkatarët politikanë dhe nga mëkatarët e drejtësisë", vlerëson ai."Kur korrupsioni dhe krimi funksionojnë institucionalisht, me papërgjegjshmëri dhe kur ato mbrohen e nuk ndëshkohen nga drejtësia, atëherë shteti dhe drejtësia degjenerojnë dhe prishen. Kjo do të thotë se drejtësia, politika, pushteti dhe shteti vihen në lëvizje nga korrupsioni, gjë e cila bën të mundur mbetjen prapa, shumë prapa, apo shkuarjen drejt regresit civil, demokratik e juridik, që do të thotë drejt falimentimit të shoqërisë e që përbën kërcënimin me serioz të sovranitetit kombëtar", tha Kapiti për "Kosova Sot". Sipas tij, duhet urgjent një VETTING për drejtësinë dhe për politikën në Kosovë, i cili do të ishte i një rëndësie jetike për shtetin dhe për shoqërinë kosovare.

(Kosova Sot)