E braktisi babai se ishte vajzë dhe jo djalë. Joana i kërkon gjyshes të jetojë që ta shoqërojë në altar

  • 21 October 2018 - 14:27
E braktisi babai se ishte vajzë dhe jo djalë. Joana i kërkon gjyshes të jetojë që ta shoqërojë në altar

Kur humb dikë shumë të dashur të ndryshon e gjithë jeta. Nuk është vetëm dhimbja e personit që humbet, por dhe dhimbja që të ka humbur një pjesë e vetes tënde. Thonë që dhimbja shërohet me kalimin e kohës, ndoshta po, ndoshta jo. Edhe pse për disa kalon, për disa të tjerë ikën me vështirësi. Gentiana ishte personazhi i parë që ishte në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, në programin “E diela shqiptare” në Tv Klan. Babai i saj është ndarë nga jeta para disa muajsh dhe nëna e saj është duke e përjetuar shumë keq. Ajo së bashku me vajzën Joanën kishin një mesazh dhe kërkesë për zonjën Luiza.

Gentiana: Ndodhem sot këtu dhe kam thirrur nënën time. Para disa muajsh ne kemi humbur babain. Për mua ata kanë qenë shtyllë e fortë ku jam mbështetur gjatë gjithë jetës sime. Gjithmonë i kam parë bashkë dhe sot dua ti them mamit që ti japë forca vetes dhe ta vazhdojë atje ku e ka lënë babai. Por unë kam shumë kujtime të cilat duhet t’ja përmend mamit sot dhe ti lerë ato bisedat që ne na trishtojnë.

Ardit Gjebrea: Çfarë thotë mami?

Gentiana: Pas largimit të babait, nuk e them dot atë fjalën tjetër, kështu më pëlqen ta them, ajo thotë që nuk ka më forca dhe do të shkojë pas tij.

Ardit Gjebrea: Sa muaj kanë kaluar?

Gentiana: Ka ndodhur në Janar.

Ardit Gjebrea: Dëshpërimi i mamit që thotë që nuk ka më kuptim jeta, në fakt ndodh tek shumë çifte që humbin gjysmën tjetër. Kë ka mami fëmijë tjetër?

Gentiana: Ka dhe vëllain, sepse unë kam familjen time dhe jam më vete dhe ka 4 nipër dhe ata i thonë që jeto për ne. Vajza ime i thotë që ti do jetosh për ne. “I jam lutur gjyshit që të më shoqëronte në altar, por ai nuk e mbajti fjalën, të lutem mos e bëj dhe ti këtë”. Vajzën time e kanë rritur prindërit e mi, që foshnje.

Ardit Gjebrea: Pse e rritën ata vajzën?

Gentiana: Sepse në atë periudhë unë kalova një ngjarje, që për mua nuk ka më rëndësi. Unë u divorcova kur linda vajzën, sepse ishte arsyeja pse linda vajzë dhe jo djalë dhe pse nuk e braktisa në maternitet, u divorcova. Veprova me kokën time.

Ardit Gjebrea: Sa vite kanë kaluar?

Gentiana : Kanë kaluar 20 vite që kur kam lindur vajzën.

Ardit Gjebrea: Ta kërkoi bashkëshorti ?

Gentina: Po, ai dhe familja e tij?

Ardit Gjebrea: Ju u morët me dashuri?

Gentiana: Ishin ndërhyrjet e nënës së tij shumë të forta, saqë u bë kjo gjë.

Ardit Gjebrea: E ka parë babai vajzën?

Gentiana: Po, pasi ka bërë 18 vjeç, më parë ka pasur disa herë tentativa, por nuk e ka takuar edhe pse jetonte në Tiranë. Mbaj mend që në 1998- 1999, nuk ishin këto kushte teknologjie që janë sot kur mund të flasim anë e mbanë botës në telefon dhe kur nëna ime ishte në punë, babai im kujdesej gjithomonë për atë. Unë isha në punë dhe kur kishte vajza temperaturë ai niste një taksi që të vinte të më njoftonte. E kemi shumë të vështirë ta pranojmë largimin e tij, na duket sikur e kemi nga pas çdo moment.

Ardit Gjebrea: Po mami?

Gentjana: Ka momente që në syrin tonë përpiqet të mbahet, ka momente që e lëshon shumë veten. Erdhën këto muajt që do vendosim si do i ndërtojmë “shtëpinë e fundit” dhe ajo thotë që do e ndërtojmë “shtëpinë” si të ishte e saja, dhe ne që i themi ka kohë për “shtëpinë tënde”.

Ardit Gjebrea: Ti sot ke thirrur mamin? Por përpara se të vijë mami unë doja të të prezantoja dikë tjetër.

Në studion e “Ka një mesazh për ty” , vjen vajza e Gentianës, Joana.

Joana i lexon një letër në studio, ku Gentiana emocionohet: Mama e di që nuk e prisje këtë por gjatë gjithë jetës sime kamë qenë dëshmitare e pastërtisë së shpirtit tënd. Ndoshta e vogël mërzitesha për faktin që nuk ishte gjithë ditën me mua për shkak të impenjimeve të tjera, por në mes të fatkeqësisë të mos paturit një figurë mashkullore në shtëpi në fillimet e jetës sime ti më mësove se femra e bën botën të rrotullohet. Nuk e konsideroj veten me një prind, por me tre; ti, nëna dhe Papo keni qenë mbështetja më e madhe në jetë. Mësimet që kam marrë në jetë nga ju, jo shumë fëmijë, sidomos vajzat nuk kanë fatin ti marrin nga prindërit e tyre. Ti më mësove të jem e pavarur, të mos e ul veten para askujt. Ndaj dua të të them faleminderit që më zgjodhe mua, para 20 vitesh, të jem vajza jote. Ti më zgjodhe mua. Ti je fati më i madh që kam në jetë.

Fjalët emocionuese të Joanës emocionuan jo vetëm Gentianën, por të gjithë studion.

Gazetari i “Ka një mesazh për ty” shkoi në shtëpinë e zonjës Luiza dhe i tha se në telefonin e saj ka ardhur një mesazh. Zonja Luiza, rrëfeu se ishte kurioze se kush mund ta kishte ftuar, edhe pse e kishte një ide.

E pyetur nga Arditi se kush mund ta kishte thirrur, Luiza tregoi se mund të ishte vajza e saj, pasi prej disa muajsh ajo ka humbur bashkëshortin.

Ardit  Gjebrea: Ju ke me kë jetoni në shtëpi?

Luiza: Jetoj me djalin.

Ardit  Gjebrea: Pa mendoni pak sa nëna jetojnë vetëm  në shtëpi, ju të paktën jetoni me djalin keni dhe vajzën…

Luzia: Patjetër e vështirë është. Edhe ju e hoqët atë mërzinë e humbjes së nënës suaj, pasi e njihja se kam qenë arsimtarë me mamanë tuaj. Më kujtohen fjalët tuaj, “si do qëndroj, si do mësohem pa ty”.

Ardit  Gjebrea: Është e vështirë të mësohesh dhe nuk ka kaluar dhimbja dhe nuk do të kalojë asnjëherë. Por, bashkëshortja dhe dy fëmijët e mi si dhe familja që kam këtu në Klan është një motiv shumë i madh që ti jap sadisfaksion nënës dhe babait tim që nuk i kam më. Aty ku janë të jetojnë në paqe. Unë i kam gjithmonë në zemër, por do jetoj për këtë familje, për atë të voglën, me motrën dhe nipërit e mi.

Luiza:  Edhe unë mundohem me të gjitha forcat që të mos i mërzis më tepër.

Më pas në monitor shfaqet vajza e zonjës Luiza, Gentiana.

Luiza: Ma punoi bukur, se e mora në mëngjes në telefon dhe më dha që jam në Elbasan.

Gentiana i dha mesazhin nënës së saj në mënyrë që ajo ta kalojë sa më lehtë dhimbjen e humbjes së bashkëshortit.

Gentiana: E shtrenjta jonë, ke qenë gjithmonë mbështetje për ne, bashkë me babin. Tani të ka rënë barra të mbash shtyllën e vetme, por  na ke ne pranë. Përpiqemi që ti ta ndjesh sa më pak largimin e tij.Sot të kam thirrur që të ccosh deri në fund fjalën që na kishte dhënë babai. Ti e di shumë mirë se si i thoshte Joana Papulit, nuk e di si do i gjesh forcat dhe do jetosh të më çosh mua në altar, por ai nuk mundi ta mbante fjalën. Dhe këtë e kërkojmë prej teje.

Më pas zonja Luiza mësoi se Gentiana nuk ishte e vetme në studio, me të ishte dhe Joana, mbesa e saj, e cila kishte një  mesazh për gjyshen e saj.

Joana: Edhe pse ndonjëherë bëheshe pak xheloze, ti e di që unë Papon e kam pasur pikë të dobët. Ndoshta nuk ta kam treguar, por edhe ty të kam dashur shumë. Atë e kisha si baba, e kisha figurë ati. Ndërsa me ty dhe me mamin ishte tjetër histori. Dua të mos mërzitesh më. Mua do më kesh gjithmonë në krahë, ti do jesh në krahun tim së bashku me mamin, sido që të shkojë jeta.

Gentiana dhe vajza e saj, Joana i kërkuan zonjës Luiza që ajo të mos mërzitet më dhe të jetojë që të çojë në altar mbesën e saj.

“Ah, vajzat e mia, juve ju kam. Jeni dashuria ime, forca ime, kurajoja ime”. Me këto fjalë kaq të bukura dhe të ëmbla zonja Luiza i premtoi vajzës dhe mbesës se saj që ajo do të bëhet e fortë dhe do e mbajë fjalën për ta shoqëruar atë në altar, kur të martohet.

 

(Kosova Sot)