Policia arreston ish deputetin shqiptar

  • 21 October 2018 - 17:53
Policia arreston ish deputetin shqiptar

Policia e Tiranës ka arrestuar këtë të dielë ish Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Arben Çukon.

Ish deputeti i Partisë Socialiste u shkarkua disa javë më parë nga posti dhe është arrestuar këtë të dielë nën akuzën e përfshirjes në korrupsion pasiv gjatë kohës në krye të drejtimit të burgjeve shqiptare.

Në vendimin për shkarkimin e Çukos nga drejtimi i burgjeve, argumentohej se lëvizja bëhej për të përmirësuar punën në këtë institucion, veçanërisht në drejtim të rritjes së efikasitetit dhe luftës kundër korrupsionit.

“Largohet nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, z.Arben Çuko dhe në vend të tij emërohet z.Stefan Çipa.  Ky ndryshim bëhet për të përmirësuar punën e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, veçanërisht në drejtim të rritjes së sigurisë së brendshme dhe kontrollit si dhe rritjes së efikasitetit të luftës kundër korrupsionit në sistemin e burgjeve.”-shkruhej në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Urdhër- arresti është ekzekutuar këtë pasdite dhe aktualisht Çuko ndodhet në ambientet e Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit.

Arben Çuko ka qenë deputet i PS dhe detyrën e drejtorit të burgjeve e mori në korrik të vitit të kaluar, duke zëvendësuar kështu Arjan Hoxhën, i cili u emërua në këtë post pas marrëveshjes Rama-Basha.

 

(Kosova Sot)