Policia konfirmon sulmin ndaj pelegrinëve serbë në Istog

  • 21 October 2018 - 22:05
Policia konfirmon sulmin ndaj pelegrinëve serbë në Istog

Policia e Kosovës ka konfirmuar sulmin ndaj pelegrinëve serbë në fshatin Studenicë të Istogut.

Gjatë ditës së sotme në fshatin Studenicë të Istogut janë sulmuar autobusët me pelegrinë serbë.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Xhevat Ibraj.

Sipas Ibrajt, dy autobusët bartnin rreth 170 pelegrinë serbë, të cilët kishin leje për vizitën në Manastirin e Studenicës.

Ai ka thënë për lajmi.net se sulmi ka ndodhur rreth orës 15:15 dhe jo në mëngjes siç raportuan mediat serbe.

Ibraj ka konfirmuar për lajmi.net se ky rast është cilësuar si “asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, pasi që sulmuesit kanë gjuajtur me gurë dy autobusët ku edhe kanë thyer xhamat e tyre.

“Vizitorët diku rreth orës 13:15 sipas kërkesës që e kanë parashutuar për vizitë e një grupi rreth 170 persona që kanë bërë vizita në monumentet e kultit të tyre. Diku rreth orës 14:00 ata kanë arritur në fshatin Studenicë dhe e kanë kryer të gjithë ceremoninë fetare në këtë fshat në Manastirin e Studenicës dhe pas një kohe aty kur janë përgatit për nisje dhe dikush i ka gjuajtur me gurë dhe ia kanë dëmtuar xhamat e autobusit. Sipas informacioneve që ne kemi, autobusët kanë qenë me targa të Beogradit. Njërit autobus i janë dëmtuar tre xhama derisa në autobusin tjetër është dëmtuar xhami i përparmë. Fatmirësisht nuk ka pasur asnjë të lënduar”, ka treguar Ibraj.

Sipas tij, Policia ka marrë të gjitha hapat e nevojshëm dhe me këtë rast ka njoftuar edhe prokurorin e shtetit.

Ibraj po ashtu ka konfirmuar se ky rast është nën hetim dhe se kryesit e këtij sulmi janë në kërkim të Policisë.

“Policia e ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe me këtë rast është njoftuar edhe prokurori i shtetit. Rasti është në hetim. Do me thënë kryesit e këtij sulmi akoma janë të panjohur për Policinë dhe jemi në kërkim dhe arrestimit të tyre”, ka deklaruar Ibraj.

Në lidhje me sulmin ndaj pelegrinëve serbë ka reaguar edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili ka kërkuar nga ndërkombëtarët që të reagojnë për këtë sulm.

Madje, Gjuriq i ka quajtur sulmuesit ekstremistë fetarë.

 

(Kosova Sot)