Homologimi i Devollit vazhdon të mos hetohet nga Policia dhe Prokuroria

  • 22 October 2018 - 07:59
Homologimi i Devollit vazhdon të mos hetohet nga Policia dhe Prokuroria

Meha: Krimi i organizuar duhet të luftohet nga koka e jo nga bishti!

"Është për t'u habitur se përse policia dhe prokuroria, që e kanë arrestuar vetëm një 'peshk të vogël' në skenën politike kosovare, nuk po kanë guximin që të hapin edhe rastet ku vidhen dhe zhvaten qindra miliona euro dhe në të cilat janë të implikuar shefat dhe ish-shefat e mëdhenj të shtetit, bashkë me mafiooligarkët e nëntokës kriminale. Autoriteti Kosovar i Konkurrencës tregoi se kontrata për homologim të automjeteve e Devollëve është antikushtetuese, por që nuk arriti të ndalë monopolin e homologimit të veturave në pronësi të Devollëve", thotë për gazetën "Kosova Sot" Ramadan Maloku, njohës i çështjeve të ekonomisë Ditë më parë zëvendësministri i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Musa Cena, së bashku me dy persona të tjerë që janë arrestuar për veprën penale, me dyshimin "marrje e ryshfetit". Sipas njohësve të kësaj fushe dhe deputetëve të opozitës, arrestimi i këtyre tre personave është pikërisht kjo mënyra që na tregon se si bëhet biznesi në Kosovën e pasluftës dhe që bëhet vetëm përmes ryshfetit.

Por, analistët dhe opozita janë të mllefosur dhe shfaqin habinë se përse Policia dhe Prokuroria, që e kanë arrestuar një zëvendësministër dhe që është vetëm një peshk i vogël,në skenën politike kosovare nuk kanë guximin të hapin edhe rastet ku vidhen dhe zhvaten qindra miliona euro dhe në të cilat janë të implikuar shefat dhe ish-shefat e mëdhenj të shtetit, bashkë me mafio-oligarkët e nëntokës.

Prandaj, sipas analistëve, pikërisht këtu edhe është arsyeja se, ndonëse edhe Autoriteti i Konkurrencës doli hapur se kontrata për homologim të automjeteve e Devollëve është antikushtetuese, por që nuk arriti të ndalë monopolin e homologimit të veturave në pronësi të Devollëve, Policia e krimeve ekonomike dhe prokuroria as që guxuan të nisin hetimet si rast për këtë krim ekonomik e shumë të tjera të peshqve të mëdhenj, të politikës dhe mafio-oligarkisë kriminale që po e shkatërrojnë vendin. Kreu i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, për gazetën "Kosova Sot" thotë se korrupsioni në Kosovë shprehet qoftë përmes ryshfetit e mitëdhënies, por të gjitha këto kanë një kuptim se këto janë të shprehura në Kosovë dhe kjo vërtet është fatkeqësi."Prandaj, sistemi i drejtësisë së Kosovës duhet që të jetë në funksion të rendit dhe ligjit sigurisë për investime dhe kjo ka bërë që në mungesë të kësaj sigurie në 6-mujorin e parë sivjet kemi pasur rreth 100 milionë euro investime më pak dhe ky është një shqetësim i madh për vendin tonë dhe sa më shpejt që ne do të vemi në funksion rendin dhe ligjin e drejtësinë aq më shpejt do të kemi investime, zhvillim dhe do të kemi një shtet funksional", është shprehur ai. Sipas Shahinit, muajt e fundit në Qeverinë e Kosovës kemi parë shumë lëvizje, dorëheqje të zëvendësministrave, dorëheqje të prokurorit dhe tash së fundi edhe arrestime për dyshime korrupsioni. "Të gjitha këto janë sinjale jo të mira, që ndikojnë në një imazh jo të mirë të vendit". Por, sipas Shahinit, në anën tjetër këto arrestime janë një sinjal se edhe në Kosovë tashmë ka nisur që të funksionojnë si duhet rendi dhe ligji dhe e tëra kjo është një imazh për shtetin që të fillojë dhe të promovojë se edhe në Kosovë më në fund ka filluar të sundojnë rendi dhe ligji, që kanë munguar nga paslufta e deri më sot. Policia e krimeve ekonomike, Prokuroria Themelore dhe Speciale heshtin! Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të Policisë së krimeve ekonomike të Kosovës, Prokurorisë Speciale dhe Prokurorisë Themelore të Prishtinës, gazetari nuk ka marrë përgjigje. Përgjigje nuk ka kthyer as pronari i kompanisë së homologimit, Shkëlqim Devolli. S. Blaku

ISTOGU: DHËNIA E RYSHFETIT PËR TË BËRË BIZNES NË KOSOVË, RREGULL I PASHKRUAR

Eksperti i ekonomisë, Zekim Istogu, për gazetën "Kosova Sot" thotë se arrestimi i zv.ministrit mund të jetë edhe si një rezultat i luftës për pushtet brenda grupit."Dhënia e ryshfetit për të bërë biznes në Kosovë është një rregull i pashkruar. Këtë e dinë të gjithë, edhe bizneset edhe zyrtarët e shtetit. Po nuk dhe ryshfet nuk bën dot biznes. Meqenëse kushtet favorizuese për investime në Kosovë janë larg nga ato që ofrojnë vendet e rajonit, bizneset kryesisht investojnë në sektorët ku mund të bëhen pjesë e projekteve që tenderohen nga shteti. Edhe këto investime janë të vogla, pasi që e dinë se në shumicën e rasteve faktor determinues për të marrë projekte të investuara nga shteti janë ryshfeti dhe të qenit pjesë e grupeve politike me fuqi ekzekutuese. Me monopolizim të sektorëve të caktuar nuk ka konkurrencë të mirëfilltë, nuk ka as investime. Pa konkurrencë të mirëfilltë nuk ka cilësi në produkte, as shërbime, nuk ka as investime direkte, as ulje të papunësisë e varfërisë", është shprehur Istogu.

LAJÇI: PO VAZHDON TRASHJA E KAPJES SË SHTETIT

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ali Lajçi, për gazetën "Kosova Sot" thotë se tashmë është e ditur se kemi të bëjmë me kapjen e shtetit dhe të gjitha institucionet nga klanet dhe grupet që i kanë interesat e tyre të mëdha rreth pasurive etj."Pra, ky është një shembull tipik që tregon se shteti jo vetëm që është i kapur, por akoma po vazhdon trashja e kapjes së shtetit vazhdimisht", tha ai. Lajçi përmend rastin e fundit të arrestimit të zv. ministrit, pastaj rastin e AKI-së, ku politika më pas po ndërhyn në punën e policisë dhe të institucioneve të drejtësisë, në mënyrë që mos të mundet që të funksionojë shteti ligjor."Duhet që sa më shpejt këto grupe dhe klane të korrupsionit të luftohen përmes institucioneve të shtetit dhe të drejtësisë, në mënyrë që të zhbëhen sa më shpejt, por që është e vështirë të bëhet shpejt, sepse ata që janë tashmë në pushtet do të qëndrojnë aty vetëm edhe me 30-40 vota, vetëm e vetëm që ta zgjatin e pushtetin e tyre të mëtejmë. Prandaj, derisa të gjitha institucionet i ke në këtë formë të qeverisjes, kjo ka bërë që të ulet imazhi i shtetit dhe kemi rënie të investimeve të huaja ", është shprehur ai.


MEHA: OPINIONI PO MASHTROHET SE PO LUFTOHEN KRIMI I ORGANIZUAR DHE KORRUPSIONI

Eksperti i financave, Xhevat Meha, për gazetën "Kosova Sot" theksoi se Kosova ka më tepër se 10 vjet që gjendet në mes të domosdoshmërisë për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe "frikësimit të arushës me shoshë", siç thotë populli. "Shumë herë deri më tani kemi parë skena të përgatitura mirë për të mashtruar opinionin se gjoja po bëhet diçka në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Është e sigurt se krimi i organizuar dhe korrupsioni luftohen kur ka disa parakushte e që dy prej tyre janë: 1) luftohet nga koka e jo nga bishti dhe 2) krimi i organizuar dhe korrupsioni nuk mund të luftohen me njerëz të kriminalizuar dhe të korruptuar. Mirëpo, nevoja dhe domosdoshmëria tepër e madhe për të pasur fillimin e luftimit opinionin e bën të besojë se çfarëdo që bëhet për të filluar kjo luftë, edhe kur inskenohet me individë të niveleve të ulëta e të mesme, edhe kur luftimi bëhet nga njerëz që vetë janë të korruptuar", është shprehur ai. Sipas Mehës, deri më tani të gjitha këto kanë qenë mashtrime të opinionit, ta shohim çka do të ndodhë kësaj radhe."Duhet përkujtuar se krimi i organizuar nuk është e lehtë të luftohet, kjo nga fakti se është i ndërtuar dhe i mirëmbajtur dhe në funksion nga strukturat që deri më tani janë dëshmuar si më të organizuarat dhe më të fuqishmet në Kosovë, nga strukturat shtetërore të fshehta serbe. Nuk është rastësi ky nivel kaq i lartë i krimit të organizuar dhe korrupsionit, është shprehur eksperti Xhevat Meha për gazetën "Kosova Sot"

MALOKU: AKK NUK ARRITI TË NDALË MONOPOLIN E HOMOLOGIMIT TË VETURAVE NË PRONËSI TË DEVOLLËVE

Ndërsa, afaristi Ramadan Maloku, anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, për gazetën "Kosova Sot", thotë se arrestimi i këtyre tre zyrtarëve vërtet është një lajm i keq dhe mesazh për investitorët e huaj që duan të investojnë në Kosovë. Por, në të njëjtën kohë është edhe një tregues se pikërisht kjo është mënyra se si bëhet biznesi në Kosovën e pasluftës dhe që bëhet vetëm përmes ryshfetit". Por, sipas Malokut,është për t'u habitur se përse policia dhe prokuroria, që e kanë arrestuar vetëm një 'peshk i vogël' në skenën politike kosovare, nuk po kanë guximin që të hapin edhe rastet ku vidhen dhe zhvaten qindra miliona euro dhe në të cilat janë të implikuar shefat dhe ish-shefat e mëdhenj të shtetit, bashkë me mafio-oligarkët e nëntokës kriminale". Prandaj, sipas Malokut, përse po heshtin edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës që treguan se kontrata për homologim të automjeteve e Devollëve është antikushtetuese, por që nuk arriti të ndalë monopolin e homologimit të veturave në pronësi të Devollëve. Prandaj, sipas Malokut, edhe më e çuditshme është fakti se përse Policia e krimeve ekonomike dhe prokuroria nuk po e kanë guximin që të nisin hetimet si rast për këtë krim ekonomik e shumë raste të tjera të 'peshqve të mëdhenj' të politikës dhe mafio-oligarkisë kriminale, që po e shkatërrojnë vendin.