Zyra e Prokurorit Disiplinor, mund të shuhet

  • 22 October 2018 - 09:42
Zyra e Prokurorit Disiplinor, mund të shuhet

Zyra e Prokurorit Disiplinor, shumë shpejt mund të shuhet. Kjo pritet të ndodhë pas miratimit të Projektligjit për Përgjegjësinë Disiplinore, sipas të cilit, disiplinimin e gjyqtarëve e prokurorëve do ta bëjë Këshilli Gjyqësor, ai Prokurorial dhe Gjykata Supreme, si instancë e dytë.

Në Zyrën e Prokurorit Disiplinor thonë se ky projektligj nuk duhet miratuar në Kuvend,  pasi që me miratimin e tij, mund të shkelet kushtetuta.

Me miratimin e Projektligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, mund të shuhet Zyra e Prokurorit Disiplinor, kjo pasi që ky projektligj parasheh që hetimet për shkeljet disiplinore të gjyqtarëve e prokurorëve  mos t’i bëjë më Zyra e Prokurorit Disiplinor. Sipas  ushtruesit të detyrës së drejtorit të Zyrës së Prokurorit Disiplinor, Arianit Salihu,  projektligji duhet ndryshuar.

“Është shqetësuese për ne që të mendohet se do të kalojë ky projektligj në Kuvend. Me këtë projektligj është paraparë që shkalla e parë e trajtimit të raporteve ndaj gjyqtarëve e prokurorëve të jetë Këshilli Gjyqësor, respektivisht ai prokurorial. Ndërsa instancë e dytë është paraparë të jetë Gjykata Supreme e Kosovës. Dalja e disiplinimit jashtë këshillave përbënë shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha ai.

Salihu tregon se nëse ky projektligj miratohet në Kuvend, Zyra e Prokurorit Disiplinor do të shuhet. Ai tregon për Radio Kosovën se çka do të ndodhë me personelin që punon aktualisht në këtë zyrë.

“Sipas këtij projektligji është paraparë që personeli i ZPD të barten në Këshillijn Gjyqësor dhe atë prokuroria. Ne vazhdimisht e kemi kundërshtuar këtë iniciativë ligjore sepse konsiderojmë që tani për tani nuk janë të rrethanat që ky projektligj të kaloj si i tillë”, tha ai.

Ehat Miftarajt, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, organizatë që merret me monitorimin e sistemit të drejtësisë, mendon se nuk është problem nëse Zyra e Prokurorit Disiplinor shuhet. Madje kjo sipas tij duhet behet, pasi që mekanizmi i disiplinimit nuk po jep rezultatet e duhura.

“Që nga viti 2011, mekanizmi i disiplinimit të gjyqtarëve e prokurorëve pothuajse nuk ka ekzistuar në praktikë. Kjo ka ndikuar në mungesën e llogaridhënies në sistemin gjyqësor e prokuroria, në raport me ushtrimin e funksioneve të tyre”, tha ai.

Kujtojmë se Projektligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, në lexim të parë kaloi pa përkrahjen e Komisionit për Legjislacion, ndërkohë miratimin e tij e pati kërkuar Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri. Ende nuk dihet se kur ky projektligj do të jetë në kuvend për lexim të dytë, ndërkohë që për Zyrën e Prokurorit Disiplinor, disiplinimi i gjyqtarëve e prokurorëve nga Gjykata Supreme si shkallë e dytë, përbënë shkelje kushtetuese. 

(Kosova Sot)