Nga Hasi në Sarandë, "Volvo 4" shkatërron 4 grupe kriminale të trafikut të drogës

  • 22 October 2018 - 11:32
Nga Hasi në Sarandë,

"Volvo 4" është emri i mega-operacionit të drejtuar nga Prokuroria për Krime të Rënda, i shtrirë në 12 qytete në Shqipëri nga Hasi deri në Sarandë, që është finalizuar deri më tani me goditjen e 4 grupeve kriminale.

27 persona u arrestuan ndërsa 6 të tjerë u shpallën në kërkim në aksionet që angazhuan rreth 1500 forca të policisë, dhe u kryen rreth 100 kontrolle banesash.
Një grup të arrestuarish lidhen me laboratorin e përpunimit të heroinës që u zbulua në fshatin Brenog të Hasit. Grupi i dytë është ai që vepronte në fushën e trafikut të drogës në Shijak në disa qytete të ndryshme. Ndërkohë, ky mega-operacion zbuloi se në veprimtarinë kriminale të këtyre grupeve të organizuara ishin të përfshirë edhe punonjës të policisë së Shtetit, tre prej të cilëve kanë rënë në pranga.

Laboratori i heroinës në Has
Në një konferencë për përbashkët me drejtuesen e Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela, drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, tha se në laboratorin e heroinës në Has u sekuestruan 182.5 kg morfinë, e ndarë në 175 pako, 22 litra lëndë e lëngshme, të cilat përdoreshin për prodhimin e heroinës. Dosja për këtë çështje duket e kopsitur, pasi kryepolici Veliu tha se janë me mijëra orë përgjime, filmime, përgjime ambientale, vëzhgime me dron, mijëra faqe me shkresa dhe këmbim informacioni e korrespodencë me agjenci ligjzbatuese brenda e jashtë vendit.  

"Në datë 18 tetor në mëngjes u ushtrua kontroll në banesën e Mustaf Shuti në fshatin Brenogë, ku u gjetën prekursorë për prodhimin e lëndës narkotike, i cili ra në pranga së bashku me 4 persona të tjerë, Vehbi Berushi, 57 vjeç, Flamur Çela, 48 vjeç, Xhevit Shuti, 48 vjeç dhe Anila Shuti, 42 vjeç.

Për këtë rast, u shpallën në kërkim 4 persona: 2 shtetas turq, 1 kosovar dhe 1 shqiptar.
Grupet kriminale të trafikimit të narkotikëve në Shqipëri

Të arrestuar për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ”Trafikim i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe organizatë kriminale, si dhe pastrim i produkteve të veprës penale janë 18 persona:

1.  Jasin Kala, alias Jasin Avdyli, me pseudonimin“Cine”, nga Shijaku;
2.    Shkëlqim Avdyli, me pseudonimin“Kiçi”, nga Shijaku;
3.    Denis Llaftiu, nga Shijaku;
4.    Fatos Llaftiu, nga Shijaku;
5.    Hajri Seferi, nga Shijaku; 
6.    Petro Kuci, alias Abedin Kuçi, nga Delvina;
7.    Ilirjan Prifti, nga Fieri; 
8.    Elton Shehaj, nga Tirana;
9.    Armand Spiro, nga Tirana; 
10.   Astrit Balliu, alias Avdyli, Sulejmani, me pseudonimin “Titi”, nga Shijaku;
11.  Altin Avdyli, me pseudonimin“Niçja”, nga Shijaku;
12.  Saimir Gjepali, nga Shijaku;
13.  Gjevi Ndoka, alias Xhevahir, me pseudonimin“Xhevi”, nga Lezha;
14.  Esat Mehmeti, me pseudonimin“Çakja”, nga Fieri; 
15.  Saimir Sulejmani, nga Fieri;
16.  Orges Jahelezi, alias Artan Elezi, me pseudonimin“Nita”, nga Tirana;
17.  Elis Bahushi, nga Elbasani;
18.  Elis Guri, nga Shkodra.
19.  Artur Balla, nga Elbasani.

Gjithashtu u shpallën në kërkim 2 persona: M.Z., dhe P.S.

Policët në pranga

Në kuadër të këtij mega operacioni, ku u goditën këto 4 grupe kriminale, është zbuluar edhe implikimi i 3 punonjësve të Policisë së Shtetit. Ata akuzohen për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufijve”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe organizatës kriminale: 

1.  Ardit Gjyriqi, nga Tirana;
2.    Jasin Abdul, nga Saranda; 
3.    Bledar Koçi, nga Lushnja.
Ndërkohë në kuadër të këtij procedimi janë arrestuar më herët edhe 12 persona për vepra të ndryshme penale që lidhen me fushën e narkotikëve. 

Sekuestrimet
Gjatë kontrolleve të ushtruara u sekuestruan:
• 3 pistoleta;
•3 armë gjahu, çifte dhe fishekë;
• 1 shotgan;
• Presë për lëndë narkotike të llojit heroinë;
• Peshore elektronike;
• Sasi lëndë narkotike heroinë e kokainë;
• 13 mjete, njëri i blinduar;
• Sasi e konsiderueshme parash;
• Rreth 75 telefona celularë. 
 

(Kosova Sot)