Prishtina përzgjidhet një prej vendeve nikoqire për Bienalen e Artit “Manifesta 2022”

  • 22 October 2018 - 12:04
Prishtina përzgjidhet një prej vendeve nikoqire për Bienalen e Artit “Manifesta 2022”

Sipas Drejtori të Kulturës së komunës së Prishtinës, Yll Rugova, Prishtina mund të jetë vendi nikoqir i bienales së artit Manifesta në vitin 2022.

“Vendimi përfundimtar do të mirrët deri në fund të nëntorit, por Prishtina është përzgjedhur si kandidati më i përshtatshëm në mesin e të gjithë kandidatëve tjerë për këtë ngjarje, dhe ne tashmë kemi zotuar përmes buxhetit dhe një letre nga kryetari i Komunës një pjesë të investimeve për këtë organizim” thotë Yll Rugova në një postim në llogarinë e tij në facebook.

Si kusht për mbajtjen e bienales në Prishtinë, nga juria është kërkuar garanci e shkruar që mund të mbulohet të paktën 50% të shumës së nevojshme për organizmin e saj të suksesshëm.

“Për këtë garanci na duhet bashkëpunim ndërinstitucional. Kemi bërë kërkesë te Ministria e Kulturës, Ministria e Integrimeve Evropiane, Ministria e Punëve të Jashtme dhe te partnerë të tjerë për ta mbështetur Prishtinën në këtë sipërmarrje të rëndësishme, por na duhet edhe pak angazhim për garancionin final. Andaj ju bëjmë ftesë publike këtyre institucioneve për ta marrë parasysh këtë bashkëpunim të gjerë, prej të cilit kish me përfitu jo vetëm kultura, por shoqëria në tërësi” thotë ai në këtë postim.

Ai vazhduar duke thënë që mbajtja e bienales Manifesta do të sillte shumë përfitime pozitive per vendin në shumë aspekte ” Manifesta nënkupton të paktën 4 milion investime në burime njerëzore, rrjetëzim ndërkombëtar, adaptim dhe ndërtim të hapësirave për art, kulturë dhe urbanizëm. Manifesta është projekt sa artistik aq edhe urbanistik e zhvillues. Sipas disa llogaritjeve diku 200,000 vizitorë do ta vizitonin Prishtinën, dhe rreth 20 milionë euro të hyra mund të vijnë nga ky proces.”

 

(Kosova Sot)