Ljajiqi i këshillon serbët: Ankohuni sikur shqiptarët në vitet ‘90

  • 22 October 2018 - 12:16
Ljajiqi i këshillon serbët: Ankohuni sikur shqiptarët në vitet ‘90

Ministri në Qeverinë e Serbisë Rasim Ljajiq thotë se serbët në Kosovë do të duhej të sillen si shqiptarët në vitet nëntëdhjetë.

Ljajiqi në lajmet e mëngjesit në televizionit Përva (TV Prva) të Beogradit sqaroi se serbët do të duhej për gjithçka që u ndodh, e posaçërisht për të gjitha sulmet që i përjetojnë, të raportojnë te të gjitha organizatat ndërkombëtare, ashtu siç bënin shqiptarët në vitet ’90.

Duke folur për sulmin e djeshëm mbi pelegrinët serbë në Istog, ku sipas tij, autobusët e tyre janë gjuajtur me gurë nga shqiptarët, Ljajiqi tha se ky incident nuk ka më fare të bëjë me politikën, porse me të drejtat elementare të njeriut dhe me sigurinë e njerëzve që janë sulmuar vetëm për shkak të besimit të tyre.

“Serbët do të duhej të sillen si shqiptarët në vitet ’90 dhe për çdo gjë ta njoftojnë bashkësinë ndërkombëtare. Kjo, ç’është e vërteta, nuk do të zgjidhë gjë, por do ta kthejë vëmendjen e publikut. Sepse, bota ka ndryshuar shumë në 10 vitet e fundit dhe të gjithë janë bërë të ndjeshëm ndaj rrezikimit të të drejtave minoritare dhe të njeriut”, tha Ljajiqi.

Në anën tjetër, sipas tij, “e tërë kjo atmosferë flet për atë se nuk jemi afër zgjidhjes së problemit të Kosovës”.

“Në njërën anë, nuk ka gatishmëri të Prishtinës, e as legjitimitet demokratik për t’u kryer ndryshimet e nevojshme. Në anën tjetër, bashkësia ndërkombëtare ka probleme tjera në fokus, kurse ne do të detyrohemi edhe më tej të presim që kjo çështje të vijë në rend dite te ta”, tha Ljajiqi.

(Kosova Sot)