SALIHAJ: POLICIA, PROKURORIA DHE GJYQËSIA JANË NË KTHETRAT E KRIMIT

  • 22 October 2018 - 13:03
SALIHAJ: POLICIA, PROKURORIA DHE GJYQËSIA JANË NË KTHETRAT E KRIMIT

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga LDK-ja, Adem Salihaj, thotë se ky shembull dëshmon më së miri se sa i kapur është shteti nga të gjitha format e krimit të organizuar. "Në Kosovë për çdo ditë dëshmohet gjithnjë e më shumë se policia, prokuroria dhe gjyqësia janë në kthetrat e krimit dhe punojnë për ta. Këtu, më shumë ka shanse të arrestohet një qytetar i pafajshëm sesa një kriminel, djalë apo farefis i një zyrtari të lartë të shtetit. Sa e sa raste të fëmijëve apo të afërmeve të funksionarëve të lartë të shtetit kemi që janë zënë në flagrancë nga policë të ndershëm dhe janë mjegulluar nga eprorët e tyre e janë lënë në harresë. A ka dëshmi më të madhe se në Kosovë sundon "Pronto" mafia politike, e jo ligji. Tash, ky rasti më i ri tregon se si po mundohen ta fshehin dhe ta mjegullojnë rastin e djalit të shefit të AKI-së dhe ish-shefit të Policisë së Kosovës. Nuk ka asnjë dyshim se po të mos ishte bërë publik ky rast as që do të procedohej. U desh një javë për ta përgatitur një gënjeshtër se dikush e paska harruar revolen në xhepin e dikujt tjetër dhe ky s'e paska ditur. Dhe se ky s'e paska vërejtur fare se e ka një revole të dikujt tjetër në xhepin e vet, pra një hekur të rëndë rreth një kilogram. Vetëm në një shtet si yni mund të shiten këto gënjeshtra dhe askujt nuk i ndodh asgjë. Në fakt, në gjithë këtë ngjarje mund të pësojnë vetëm policët e ndershëm, të cilët e kryejnë detyrën me përkushtim", thotë Adem Salihaj për "Kosova Sot". 

 

(Kosova Sot)