BISLIMI: THAÇI KA KAPUR ÇDO INSTITUCION, QEVERINË, SISTEMIN E DREJTËSISË DHE INTELIGJENCËN

  • 22 October 2018 - 13:52
BISLIMI: THAÇI KA KAPUR ÇDO INSTITUCION, QEVERINË, SISTEMIN E DREJTËSISË DHE INTELIGJENCËN

Sipas politologes Liridona Bislimi, ky skandal i madh flet mjaftueshëm për sundimin e ligjit- mossundimin në shtetin e Kosovës të kapur nga mafia e politikës."Rrodhi si rrodhi lajmi se në mbrëmjen e 12 tetorit janë gjetur armë e drogë në një veturë, e cila veturë është pronësi e Enver Maxhunit (babait të Shpend Maxhunit), ku ky rast fillimisht nuk është proceduar fare nga Policia e Kosovës në Prokurori të Shtetit, ndërsa vetëm pasi lajmi u bë publik ditën e shtunë në media, prokuroria bashkë me policinë u munduan t`ia bartin gjoja fajin kushëririt të Shpend Maxhunit, se kinse arma është pronë e tij, ndërkaq substanca narkotike e një personi të tretë. Vlen të kujtojmë se kreu i AKI-së, Shpend Maxhuni, i cili edhe pse ishte pjesë e skandalit të deportimit të gylenistëve, shefi i tij, Hashim Thaçi, e shpërbleu duke e zgjedhur si shef të AKI-së, e ky veprim i shtohet edhe si një skandal tjetër në listën e shumë skandaleve të vetë Hashim Thaçit si një sundues i vendit, i cili akuzohet se ka kapur çdo institucion, qeverinë, sistemin e drejtësisë dhe inteligjencën. Shpend Maxhuni s'është asgjë më shumë sesa një argat i Hashim Thaçit. Ndërsa pas gjithë kësaj ngjarje aspak të hijshme lindin edhe dyshimet se nëse është argat e Hashimit edhe gruaja e Shpend Maxhunit, Luljeta Maxhuni - e cila është gjyqtare në Gjykatën Themelore në Prishtinë? Edhe ky rast tregon se në Kosovë nuk ka sundim të ligjit, se ky shtet është shtet tërësisht i kapur dhe se mjafton të jesh argat i "shefave" që janë mbi ligjin dhe çdo rast kriminal mund të fshihet, thuajse asgjë nuk ka ndodhur fare", thotë politologia Liridona Bislimi për "Kosova Sot".

 

(Kosova Sot)