Hoti flet për zgjedhje të reja e nuk thotë asnjë fjalë për ‘skandalin Maxhuni’

  • 22 October 2018 - 14:39
Hoti flet për zgjedhje të reja e nuk thotë asnjë fjalë për ‘skandalin Maxhuni’

Shefi i Grupit Parlamenar të LDK’së, Avdullah Hoti, ka vazhduar serinë e shkrimeve në Facebook, ku kërkon zgjedhjet e reja. Ai nuk ka thënë asnjë fjalë për skandalin ku institucionet tentuan ta shfajësojnë djalin e shefit të AKI’së, Shpend Maxhunit, të cilit iu gjet armë dhe drogë në veturë.

Hoti ka shkruar se Qeverinë Haradinaj duhet të shkojë në shtëpi për t’i dhënë hapësirë LDK’së të qeverisë. Edhe më tutje, zyrtarët e LDK’së temën kryesore kanë mbajtjen e zgjedhjeve, ndonëse nuk ka ndonjë hap të ndërmarrë për mocion të mosbesimit ndaj qeverisë.

Postimi i plotë i Hotit:

Qeveria Haradinaj brenda një viti i ka përmbysur të gjitha arritjet paraprake në çdo aspekt.

Në fushën ekonomike, janë përgjysmuar investimet e jashtme, trendi i papunësisë tash është në rritje, sektori privat po stagnon, reformat ekonomike të filluara me intenzitet të lartë në Qeverinë Mustafa tash janë braktisur plotësisht. Buxheti i shtetit është dëmtuar ndjeshëm me vendime për shpenzime pa asnjë kriter dhe me skema sociale të pa menduara, të bazuara vetëm në qëllime elektorale.

Në anën tjetër, “temat e mëdha” për të cilat tema gjoja është themeluar kjo qeveri përbëjnë një mashtrim të madh. Demarkacioni me Malin e Zi u votua ashtu siç ka qenë. Nuk ka asnjë marrëveshje tjetër për rishikim të vijës kufitare. Z.Thaçi e ka mashtruar pastër z.Haradinaj me letrën e tij të nënshkruar me Presidentin e Malit të Zi, e cila nuk përmbante asnjë garanci më shumë se mund të korrigjohet vija kufitare se sa ajo që ekzistonte në marrëveshjen e demarkacionin. Dialogu me Serbinë është në qorrsokak dhe për këtë nuk ka dakordim as nga vetë koalicioni i pakicës qeverisëse, e jo më me opozitën që përbën 60 për qind të elektoratit. Administrata është stërngarkuar me militantë partiakë që po kushtojnë miliona euro taksa të qytetarëve. Politika e jashtme ka dështuar plotësisht të sjellë njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Në këtë situatë, vetëm zgjedhjet e reja mund të krijojnë stabilitetin e nevojshëm institucional për tu marrë me probleme të jetës së përditshme të qytetarëve. LDK-ja është e gatshme për këtë proces. E gjithë opozita është e unifikuar në këtë çështje se vetëm zgjedhjet e reja mund të nxjerrin vendin nga kjo situatë. Në një situatë tjetër, vetë qeveria do të tërhiqej për të hapur rrugë për proceset demokratike.

Deklarimi e Kryeministrit se “duket se do të qëndrojë deri në fund të mandatit” reflekton logjikën qeverisëse të njerëzve të etur për pushtet, e jo për tu shërbyer qytetarëve bazuar në parimet demokratike. Ai e ka të qartë se qeveria që drejton mund të bie në çdo moment dhe është i kënaqur nëse e shtynë edhe një ditë më tepër. Kemi shumë punë në qeverinë e ardhshme për tu marrë me dëmet e shkaktuara nga kjo qeveri e pakicës.

 

(Kosova Sot)