Policia dhe Prokuroria e kapur tentojnë ta fshehin megaskandalin e djalit të shefit të AKI-së

  • 22 October 2018 - 07:47
Policia dhe Prokuroria e kapur tentojnë ta fshehin megaskandalin e djalit të shefit të AKI-së

Salihaj: Në Kosovë sundon "Pronto" mafia politike e jo ligji

"Mosprocedimi fillimisht i këtij rasti nga Policia e Kosovës në Prokurorinë e Shtetit tregon për kapjen e tmerrshme të policisë, si dhe çdo institucioni tjetër të sigurisë nga politikanët mafiozë dhe bosët e krimit të organizuar. Pas bërjes publik të lajmit në media, prokuroria bashkë me policinë po mundohen t'ia bartin fajin kushëririt të Shpend Maxhunit, se gjoja arma e gjetur është pronë e tij, ndërkaq substanca narkotike e një personi të tretë. Shkaku i konsekuencave të ashpra nga politika, policia nuk ka pasur guximin ta procedojë tutje rastin, megjithatë bërja publike e rastit mund t'u kushtojë me largim nga puna dhe pasoja tjera akoma më të rënda policëve që e hapën këtë rast në opinionin publik.

Në rrethana normale do të duhej të ishte ky fundi i kreut të AKIsë, Shpend Maxhuni, i cili, edhe pse ishte pjesë e skandalit të deportimit të gylenistëve, shefi i tij, Hashim Thaçi, e shpërbleu, duke e zgjedhur si shef të AKI-së", thotë për gazetën "Kosova Sot" analisti Florim Zeqa Pas bërjes publike të skandalit të kapjes në vepër dhe heshtjes së rastit të djalit të shefit të AKI-së, Shpend Maxhunit, të cilit i është gjetur në mbrëmjen e 12 tetorit armë e drogë në veturë, e cila është pronësi e Enver Maxhunit (babait të Shpend Maxhunit), analistët politikë dhe ekspertët e së drejtës kanë reaguar, duke vlerësuar së në këtë rast serioz ka rënë në test Policia e Kosovës.

Sipas tyre, është duke dëshmuar vetë së është e kapur, si çdo institucion tjetër i shtetit, pasi që ky rast fillimisht nuk është proceduar fare nga Policia e Kosovës në Prokurori të Shtetit, derisa tani po mundohet pikërisht prokuroria bashkë me policinë, që ta manipulojë rastin, pasi që lajmi u bë publik ditën e shtunë në media dhe t`ia bartin gjoja fajin kushëririt të Shpend Maxhunit, se gjoja arma është pronë e tij, ndërkaq substanca narkotike e një personi të tretë.

Sipas analistëve, sikur të kishte përgjegjësi dhe llogaridhënie, ligjore, morale e personale, ky do të duhej të ishte fundi i kreut të AKI-së, Shpend Maxhuni, i cili, edhe pse ishte pjesë e skandalit të depërtimit të gylenistëve, shefi i tij, Hashim Thaçi, e shpërbleu, duke e zgjedhur si shef të AKI-së. Sidoqoftë, duke ditur ndikimin e madh autoritar të presidentit Thaçi në institucione, analistët dyshojnë se edhe këtë skandal do ta zgjidhë vetë Hashim Thaçi, si një sundues i vendit, i cili akuzohet se ka kapur çdo institucion, Qeverinë,
sistemin e drejtësisë dhe inteligjencën, por edhe opozitën, ndërkaq Shpend Maxhuni,sipas analistëve, është asgjë më shumë sesa një argat i Hashim Thaçit. Sipas analistëve, ky rast tregon se në Kosovë nuk ka sundim të ligjit, se ky shtet është shtet tërësisht i kapur dhe se mjafton të jesh argat i "shefave" që janë mbi ligjin dhe çdo rast kriminal mund të fshihet, thuajse nuk ka ndodhur fare, edhe duke ditur që është gruaja e Shpend Maxhunit, Luljeta Maxhuni, që punon si gjyqtare në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Guraziu: Gjithçka vendoset nga pozita e vendimmarrjes autoritare nga presidenti Thaçi! Sipas analistit politik Ragip Guraziu, është vetë Hashim Taçi ai që e futi në lojë edhe shefin e AKI-së, Shpend Maxhuni, me rastin e arrestimit dhe ekstradimit për në Turqi të qytetarëve turq, prandaj edhe tani mund ta mbrojë atë, pavarësisht përgjegjësisë që mund të ketë në lidhje me skandalin."Në vend se Shpend Maxhuni të japë përgjegjësinë ndaj detyrës me përgjegjësi, me rastin e skandalit të deportimit të gulenistëve, shefi i tij, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi,e shpërbleu duke e zgjedhur si shef të AKI-së. Dhe kjo nuk ishte rastësisht dhe nuk do koment. Këtu, në Kosovë, të gjithë pushtetarët po veprojnë në kundërshtim me ligjin. Po fillojmë nga Qeveria, Presidenca, Prokuroria, AKI-ja, bile rasti ma i freskët, ku po mundohen Prokuroria dhe shefat e Policisë ta shfajësojnë djalin e shefit të AKI-së, Shpend Maxhuni, të cilit i është gjetur në mbrëmjen e 12 tetorit armë e drogë në veturë, e cila është pronësi e Enver Maxhunit, babait të Shpend Maxhunit. Edhe me këtë po dëshmohet sa e kapur edhe Policia e Kosovës, si çdo institucion tjetër i shtetit, pasi që ky rast fillimisht nuk është proceduar fare nga Policia e Kosovës në Prokurori të Shtetit! Me të drejtë shtrohet pyetja tani:

Pse policia nuk ka guxuar ta procedojë rastin dhe tani mbetet të shihet se sa do t'u kushtojë vetëm hapja e rastit policëve që e kanë bërë këtë. Unë mendoj se tani medoemos duhet të jetë ky fundi i kreut të AKI-së, Shpend Maxhuni, i cili edhe pse ishte pjesë e skandalit të deportimit të gylenistëve, shefi i tij, Hashim Thaçi, e shpërbleu duke e zgjedhur si shef të AKI-së", theksoi Guraziu për "Kosova Sot". Sidoqoftë ai shpreh dyshimin e tij se edhe në këtë rast mund të abuzohet me ligjin dhe gjithçka të vendoset nga pozita e vendimmarrjes autoritare nga presidenti Thaçi.
 

 QARRI: SHPEND MAXHUNI NUK ËSHTË ASGJË MË SHUMË SESA NJË ARGAT I DËGJUESHËM I HASHIM THAÇIT

Analisti politik Gani Qarri ka thënë për "Kosova Sot" se Prokuroria e Shtetit, në kundërshtim me ligjin, jo vetëm se e mbajti të fshehur rastin për rreth një javë a më tepër, por edhe pas bërjes publike nga shtypi dhe gazetat ajo ka ndërmarrë një aksion për shfajësimin e Shpëtim Maxhunit, djalit të Shefit të AKI-së, përkundër faktit se në veturën e Enver Maxhunit, të cilën e ngiste i biri i shefit të AKI-së, Shpëtimi, ishte gjetur drogë, armë dhe municion."Për aq më keq, rasti i mbrëmjes së 12 tetorit, kur në veturën e Enver Maxhunit, babait të Shpend Maxhunit, të cilën e drejtonte i biri i Shpendit, shefit të AKI-së, Shpëtimi, për më tepër se një javë, as që është përmendur, përderisa shtypi ditor nuk e ka bërë publike dhe ka kërkuar nga Prokuroria informata mbi zhvillimin procedural të këtij kontrolli, gjë që dëshmon hapur se edhe Policia e Kosovës është e kapur njëjtë si çdo institucion tjetër i shtetit, pasi që ky rast fillimisht as që është proceduar fare nga Policia e Kosovës në Prokurori të Shtetit. Madje edhe pasi që lajmi u bë publik ditën e shtunë në media, duke e ditur se sa do t'i kushtojë vetëm hapja e rastit, policia bashkë me prokurorinë po mundohen që fajin t`ia bartin kushëririt të Shpend Maxhunit, kinse arma e gjetur qenka në pronësi të tij, ndërkaq substanca narkotike, gjoja e një personi të tretë. Në çdo shtet normal ky do të ishte fundi i kreut të AKI-së, Shpend Maxhuni, i cili, edhe pse ishte pjesë e skandalit të deportimit të gylenistëve, shefi i tij kolaboracionisti, Hashim Thaçi, jo shumë kohë më parë, e shpërbleu duke e zgjedhur padrejtësisht edhe shef të AKI-së. Ndaj edhe këtë skandal pritet ta "zgjedhë" në mënyrën e tij dubioze vetë Hashim Thaçi, si një sundues totalitar, i cili akuzohet se ka kapur çdo institucion, qeverinë, sistemin e drejtësisë dhe inteligjencën, por edhe opozitën, kur dihet se Shpend Maxhuni nuk është asgjë më shumë sesa një argat i dëgjueshëm i Hashim Thaçit, të cilit pa dyshim në ndihmë do t'i vijë edhe gruaja e Shpend Maxhunit, Luljeta Maxhuni - gjyqtare në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ky rast tregon edhe një herë më tepër se vërtet në Kosovë nuk ka sundim të ligjit dhe se ky shtet është shtet tërësisht i kapur, në të cilin mjafton të jesh argat i "shefave" që qëndrojnë mbi shtetin dhe çdo rast kriminal mund të fshihet,thuajse nuk ka ndodhur fare", thotë analisti Gani Qarri për "Kosova Sot".

BISLIMI: THAÇI KA KAPUR ÇDO INSTITUCION, QEVERINË, SISTEMIN E DREJTËSISË DHE INTELIGJENCËN

Sipas politologes Liridona Bislimi, ky skandal i madh flet mjaftueshëm për sundimin e ligjit- mossundimin në shtetin e Kosovës të kapur nga mafia e politikës."Rrodhi si rrodhi lajmi se në mbrëmjen e 12 tetorit janë gjetur armë e drogë në një veturë, e cila veturë është pronësi e Enver Maxhunit (babait të Shpend Maxhunit), ku ky rast fillimisht nuk është proceduar fare nga Policia e Kosovës në Prokurori të Shtetit, ndërsa vetëm pasi lajmi u bë publik ditën e shtunë në media, prokuroria bashkë me policinë u munduan t`ia bartin gjoja fajin kushëririt të Shpend Maxhunit, se kinse arma është pronë e tij, ndërkaq substanca narkotike e një personi të tretë. Vlen të kujtojmë se kreu i AKI-së, Shpend Maxhuni, i cili edhe pse ishte pjesë e skandalit të deportimit të gylenistëve, shefi i tij, Hashim Thaçi, e shpërbleu duke e zgjedhur si shef të AKI-së, e ky veprim i shtohet edhe si një skandal tjetër në listën e shumë skandaleve të vetë Hashim Thaçit si një sundues i vendit, i cili akuzohet se ka kapur çdo institucion, qeverinë, sistemin e drejtësisë dhe inteligjencën. Shpend Maxhuni s'është asgjë më shumë sesa një argat i Hashim Thaçit. Ndërsa pas gjithë kësaj ngjarje aspak të hijshme lindin edhe dyshimet se nëse është argat e Hashimit edhe gruaja e Shpend Maxhunit, Luljeta Maxhuni - e cila është gjyqtare në Gjykatën Themelore në Prishtinë? Edhe ky rast tregon se në Kosovë nuk ka sundim të ligjit, se ky shtet është shtet tërësisht i kapur dhe se mjafton të jesh argat i "shefave" që janë mbi ligjin dhe çdo rast kriminal mund të fshihet, thuajse asgjë nuk ka ndodhur fare", thotë politologia Liridona Bislimi për "Kosova Sot".

SALIHAJ: POLICIA, PROKURORIA DHE GJYQËSIA JANË NË KTHETRAT E KRIMIT

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga LDK-ja, Adem Salihaj, thotë se ky shembull dëshmon më së miri se sa i kapur është shteti nga të gjitha format e krimit të organizuar. "Në Kosovë për çdo ditë dëshmohet gjithnjë e më shumë se policia, prokuroria dhe gjyqësia janë në kthetrat e krimit dhe punojnë për ta. Këtu, më shumë ka shanse të arrestohet një qytetar i pafajshëm sesa një kriminel, djalë apo farefis i një zyrtari të lartë të shtetit. Sa e sa raste të fëmijëve apo të afërmeve të funksionarëve të lartë të shtetit kemi që janë zënë në flagrancë nga policë të ndershëm dhe janë mjegulluar nga eprorët e tyre e janë lënë në harresë. A ka dëshmi më të madhe se në Kosovë sundon "Pronto" mafia politike, e jo ligji. Tash, ky rasti më i ri tregon se si po mundohen ta fshehin dhe ta mjegullojnë rastin e djalit të shefit të AKI-së dhe ish-shefit të Policisë së Kosovës. Nuk ka asnjë dyshim se po të mos ishte bërë publik ky rast as që do të procedohej. U desh një javë për ta përgatitur një gënjeshtër se dikush e paska harruar revolen në xhepin e dikujt tjetër dhe ky s'e paska ditur. Dhe se ky s'e paska vërejtur fare se e ka një revole të dikujt tjetër në xhepin e vet, pra një hekur të rëndë rreth një kilogram. Vetëm në një shtet si yni mund të shiten këto gënjeshtra dhe askujt nuk i ndodh asgjë. Në fakt, në gjithë këtë ngjarje mund të pësojnë vetëm policët e ndershëm, të cilët e kryejnë detyrën me përkushtim", thotë Adem Salihaj për "Kosova Sot".

ZEQA: KËTË SKANDAL DO TA ZGJIDHË VETË HASHIM THAÇI PËR TA MBROJTUR ARGATIN E VET BESNIK!

Analisti politik Florim Zeqa konsideron se ky është një zhvillim tepër skandaloz, pasi që në kundërshtim me ligjin prokuroria dhe shefat e policisë po mundohen ta fshehin rastin skandaloz dhe shfajësojnë djalin e shefit të AKI-së, Shpend Maxhuni, të cilit i është gjetur në mbrëmjen e 12 tetorit, armë e drogë në veturën, e cila veturë është pronësi e Enver Maxhunit, babai i Shpend Maxhunit. "Mosprocedimi fillimisht i këtij rasti nga Policia e Kosovës në Prokurorinë e Shtetit tregon për kapjen e tmerrshme të policisë, si dhe çdo institucioni tjetër të sigurisë nga politikanët mafiozë dhe bosët e krimit të organizuar. Pas bërjes publik të lajmit në media, prokuroria bashkë me policinë po mundohen t'ia bartin fajin kushëririt të Shpend Maxhunit, se gjoja arma e gjetur është pronë e tij, ndërkaq substanca narkotike e një personi të tretë. Shkaku i konsekuencave të ashpra nga politika, policia nuk ka pasur guximin për ta proceduar tutje rastin, megjithatë bërja publike e rastit mund t'u kushtojë me largim nga puna dhe pasoja tjera akoma më të rënda policëve që e hapën këtë rast në opinionin publik. Në rrethana normale do duhej të ishte ky fundi i kreut të AKI-së, Shpend Maxhuni, i cili, edhe pse ishte pjesë e skandalit të deportimit të gylenistëve, shefi i tij, Hashim Thaçi, e shpërbleu duke e zgjedhur si shef të AKI-së", theksoi Zeqa për "Kosova Sot". Mirëpo, ai dyshon se, sikurse herëve të tjera, edhe kësaj radhe pritet se do ta zgjedhë këtë skandal vetë Hashim Thaçi për ta mbrojtur argatin e vet besnik, Shpend Maxhuni, me familjen e tij. "Tashmë është e qartë për të gjithë qytetarët e vendit se Hashim Thaçi nuk është president, por sundues i vendit, i cili ka kapur çdo institucion, qeverinë, sistemin e drejtësisë, inteligjencën dhe pjesën dërmuese të opozitës! Se vërtet është vënë komplet e familja Maxhuni në shërbim të Hashim Thaçit e dëshmon fakti se edhe gruaja e Shpend Maxhunit, Luljeta Maxhuni, është e emëruar gjyqtare në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ky rast e tregon se në Kosovë nuk ka sundim të ligjit, se ky shtet është shtet tërësisht i kapur dhe se mjafton të jesh argat i "shefave" që janë mbi ligjin dhe çdo rast kriminal mund të fshihet, thuajse nuk ka ndodhur fare! Rasti skandaloz i familjes Maxhuni e dëshmoi për të satën herë, se jo vetëm policia dhe AKI-a, por të gjitha institucionet e tjera të shtetit janë të kapura nga krimi i organizuar dhe se brenda tyre nuk ka vend për njerëz të ndershëm", theksoi analisti Florim Zeqa.


KELMENDI: SHPEND MAXHUNI ËSHTË THJESHT VEGËL E HASHIMIT!

Sipas prof. të së drejtës, Muhamet Kelmendi, çështja e Shpend Maxhunit si person dhe të djalit të tij, që ka rënë në kundërshtim me ligjin, duke kryer disa vepra penale, është çështje domethënëse."Si në përcaktimin e personaliteteve në udhëheqje, ashtu edhe të krimit në nivel të lartë. Në fakt Shpend Maxhuni nuk i plotëson kushtet moralo-politike për të qenë në pozita udhëheqëse. E ai ishte një kohë të gjatë drejtor i Policisë së Kosovës dhe tash drejtor i AKI-së. Personi apo subjekti fizik që nuk ka kushte moralo-politike, që lidhet familja e tij, sidomos babai me punën e UDB-së, nuk është adekuate për punën e tillë. Nuk them se duhet dënuar për veprën e dëmshme të babait, por kurrsesi nuk lejohet në organet themelore të shtetit dhe atë në pozitat kyçe. Kjo është kapje e shtetit. Tash po shihet në veprat penale të të birit se çfarë ndikimi ka ky njeri në politikë dhe vegël e kujt është. Thjesht, i Hashimit. Sikurse mos të ishte kështu, ky do të largohej nga drejtori kur 5 turqit i deportuan në Turqi. Nuk mundet askush të deportohet pa polici. Është policia e Shpendit që i deportoi. Ky fakt tregon se sa ka ndikim dhe me kë punon. I biri u kap. Veprat penale ekzistojnë. Duhet të burgosur dhe të dënohet nga gjykata, nëse konstatohet vepra. Në të kundërtën kemi vepër të re penale nga Shpend Maxhuni dhe kompetentët në Policinë e Kosovës", theksoi Kelmendi për "Kosova Sot".

BADALLAJ: BANDITËT E SHTETIT E DREJTOJNË KOPENË E SISTEMIT GJYQËSOR

Analisti Reshat Badallaj krejt këtë situatë të krijuar në AKI ia atribuon përgjegjësisë dhe ndikimit personal të Hashim Thaçit, që sipas Badallajt, në institucionet kyçe të shtetit i ka vendosur bashkëpunëtorët e UDB-së."Disa herë u kam thënë në këtë gazetë më të lexuar në Ballkan në gjuhen shqipe, "KOSOVA SOT", se vendin e kanë në dorë mafio-oligarkët, banditët, hajnat, udbashët dhe sistemi gjyqësor është i kalbur. Përse e ndërroi policia deklaratën? Ju kam thënë se kryebanditët dhe banditët e shtetit e drejtojnë kopenë e sistemit gjyqësor dhe janë të kapur gisht për gisht me krimin e organizuar. Enveri është babai i Shpend Maxhunit, ish-polic i kasapit të Ballkanit, Slobodan Milosheviqit. Shpendi është shef i AKI-së. Brez pas brezi nuk do t'i falen mëkatet Hashim zezës dhe Ramush Gjoko Haradinajt, për bashkëpunimin me udbashët si soji i Baton Fazli Haxhiut, Shpend Maxhunit. Fajet i ka Hashim Thaçi, që afër vetes, aty rrotull, ofroi hajna,mafiooligarkë, vagabondë, spiunë, tradhtarë, udbashë që kanë vrarë, maltretuar për vdekje, i kanë tredhur shqiptarët për interesa serbe dhe kanë larguar patriotet e dëshmuar të kombit, me tradita të moçme atdhetare, që kishin nisur vallen e lirisë për të marrë frymë më lirshëm", theksoi analisti Reshat Badallaj për "Kosova Sot". 
(Kosova Sot)