Gjyqtarët e prokurorët në duart e politikës, ligjet nuk zbatohen

  • 22 October 2018 - 07:55
Gjyqtarët e prokurorët në duart e politikës, ligjet nuk zbatohen

Miftari: Pengesa për drejtësinë vjen pikërisht nga politika e lart, ku edhe fshihen mafiozët kryesorë, bosët e krimit të organizuar "Me këtë frymë të instalimit politik, nepotik e klientelist, sistemi i drejtësisë, në vend që ta jetësojë shtetin e së drejtës dhe të jetë në funksion të objektivitetit, paanshmërisë e profesionalizmit, është shndërruar në oazë të krimit e korrupsionit. Me këtë mendësi të deritanishme, sistemi i drejtësisë do të vazhdojë të jetë në funksion të politikës dhe në shërbim të klaneve mafioze, që do të reflektojë në ngulitje të vazhdueshme të jetës institucionale, politike, sociale e ekonomike, por njëkohësisht do të stagnojë Kosovën në anëtarësimin në strukturat euroatlantike", thotë analisti Hidajet Ahmeti për "Kosova Sot"


Në Republikën e Kosovës, sado që kanë kaluar gati 11 vjet nga shpallja e shtetit dhe është ndërtuar një korpus i madh ligjesh, ato kryesisht nuk po zbatohen në fushën e drejtësisë. Analistët alarmojnë se edhe qytetari më i zakonshëm me të drejtë pyet se pse po ndodh kështu, pse krim dhe korrupsion ka pasur gjithandej shteti dhe institucionet e Kosovës dhe cilat ligje i pengojnë prokurorët e gjyqtarët të ndjekin krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe a është fakt se bërja dhe ndryshimi i ligjeve të reja ka për synim vetëm që të blihet kohë dhe të ketë kozmetikë para bashkësisë ndërkombëtare, se kinse po bëhen ligje të forta për të pasur luftë të vendosur kundër korrupsionit, ndërkaq politika e inkriminuar bashkë me nëntokën kriminale të mafio-oligarkëve të lajë duart se ajo gjoja ka bërë punën e saj, e në realitet të vazhdojnë krimin e organizuar që e bëjnë tanimë dy dekada rresht,por gjithmonë me intensitet më të shtuar. Sipas njohësve të kësaj fushe, de fakte po shihet që ka dështuar prokuroria dhe gjyqësori tërësisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ku numri i lëndëve të pazgjidhura nga kjo kategori është shumëfish më i madh, në vend se të ndodhte e kundërta. Prandaj, sipas analistëve dhe njohësve të fushës së drejtësisë, bazuar në këtë gjendje, nuk do të ketë kurrë luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit për sa kohë prokuroria, gjyqësori dhe policia nuk pastrohen nga prokurorët, gjyqtarët dhe policët e inkriminuar, përmes matjes se performancës profesionale dhe etikes, si dhe obligativisht VETTING-ut të udhëhequr detyrimisht nga SHBA-të dhe BE-ja.

Burjani: Kërkohen reforma urgjente në drejtësi Eksperti i fushës të së drejtës, prof. Blerim Burjani, thekson se nuk është problemi te ligjet, por te mungesa e gjatë e një reforme kadrovike që i nevojitet Kosovës në superstrukturën shtetërore."Kjo çështje nuk mund të ndalet pa një reformim të plotë institucional në organet e drejtësisë dhe në polici, pra kërkohet një urgjencë për t'u reformuar në aspektin kadrovik dhe aspektet administrative. Përndryshe, kështu si janë duket se nuk do të munden të mbeten aspak të pavarura nga njerëz të politikës. Ndikimi në drejtësi nga politika nuk mund të humbet pa ndryshim të qeverisjes në shtet. Dhe kur jemi në këtë çështje akoma është larg që të ndryshojë qeverisja me këto parti që i kemi tani në pushtet, por edhe në opozitë. Pra, nuk mund të pritet ndryshim qeverisës me këta që janë zhytur në zhvatje të buxhetit. Kosova ka një strukturë të organeve të drejtësi në aspektin e standardeve pozitive, këtë fakt nuk mund ta mohojmë tërësisht, por ka edhe shumë njerëz të atillë që janë gjyqtarë e prokurorë që pofesionalisht janë tejet të dobët dhe nga ata që janë edhe servilë të politikës. Pra, kërkohet një ndryshim kadrovik dhe reformë e thellë për të ardhur në këto pozita njerëz të pastër, të rinj, njerëz të duhur dhe të përgatitur", theksoi analisti Blerim Burjani për "Kosova Sot".
AHMETI: SISTEMI I DREJTËSISË, PROKURORIA, GJYKATAT DHE POLICIA JANË TË KAPURA!

Sipas njohësit të kësaj fushe, Hidajet Ahmeti, loja me moszbatimin e ligjeve më së miri flet se sa i kapur është shteti, në këtë rrafsh sistemi i drejtësisë, prokuroria, gjykatat dhe policia."Hallka zinxhirore e funksionimit të sistemit të drejtësisë është kapur nga qeveritë sunduese të pasluftës dhe në këtë mënyrë nuk mund të presim drejtësi të pavarur dhe efikase. Duke filluar KGJK-ja, KPK-ja dhe institucionet tjera mbështetëse të sistemit të drejtësisë janë skajshmërisht të politizuara dhe në shërbim të politikës. Fillimisht në KGJK dhe KPK janë të vendosur njerëz politikë, jo kredibilë, joprofesionalë dhe për këtë arsye kemi një gjendje të mjerueshme në sistemin e drejtësisë. Kapja e sistemit të drejtësisë ka ndodhur në kontinuitet dhe në mënyrë të orkestruar, dhe të njëjtën kohë një pjesë e gjyqtarëve dhe prokurorëve i kanë kontribuar kësaj gjendje të mjerueshme", thotë për "Kosova Sot" analisti Hidajet Ahmeti. Ai shtoi se mandati kushtetues e ligjor i sistemit të drejtësisë në Kosovë është reduktuar në shërbim të klaneve mafioze, grupeve politike e parapolitike të inkriminuara thellë në krim e korrupsion. "Kur them sistemi i drejtësisë është i kapur e i politizuar skajshmërish, nuk e kam fjalën për të gjitha hallkat zinxhirore të sistemit të drejtësisë, por strukturat menaxhuese të këtij sistemi janë të kapura, pasi që politika e inkriminuar ka futur duart në sistemin e drejtësisë dhe ka reduktuar mandatin e saj në shërbim të interesave të ngushta politike. KGJKja dhe KPK-ja si gardianë dhe shtytës të politikave publike që kanë të bëjnë me pushtetin gjyqësor janë instrumetalizuar skajshmërisht dhe këto hallka menaxhuese të sistemit të drejtësisë mandatin e tyre kushtetues e ligjor e kanë reduktuar në shërbim të një klientele politike, duke punuar e vepruar në interes të grupeve mafioze. Me këtë frymë të instalimit politik, nepotik e klientelist, sistemi i drejtësisë në vend që ta jetësojë shtetin e së drejtës dhe të jetë në funksion të objektivitetit, paanshmërisë e profesionalizmit, është shndërruar në oazë të krimit e korrupsionit. Me këtë mendësi të deritanishme, sistemi i drejtësisë do të vazhdojë të jetë në funksion të politikës dhe në shërbim të klaneve mafioze, e cila do të reflektojë në ngulitje të vazhdueshme të jetës institucionale, politike, sociale e ekonomike, po njëkohësisht do të stagnojë Kosovën në anëtarësimin në strukturat euroatlantike", theksoi analisti Hidajet Ahmeti për "Kosova Sot".
 MIFTARI: MAFIA ËSHTË FSHEHUR NË POLITIKË

Eksperti i fushës së sigurisë, Naim Miftari, mendon se me këta njerëz të instaluar në sistem ligjet nuk vlejnë dhe nuk zbatohen se ato janë vetëm shkronja në letër dhe të tilla do të mbesin derisa nuk bëhet një VETTING edhe për Kosovën."Asnjë ligj apo rregullore ligjore nuk i ka penguar gjyqtarët apo prokurorët për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në institucione. Dhe, lirisht mund të them se ligjet e reja, rregulloret e reja, me keqbërës të vjetër, janë vetëm blerje kohe për shefat e tyre, pasi edhe me këto ligjet që kanë qenë në funksion shumica kanë qenë ligje evropiane ndërkombëtare dhe nuk kanë pasur anomali që mos të ketë rezultate, por pengesa për drejtësinë vjen pikërisht nga politika e lart, ku edhe fshihen mafiozët kryesorë, bosët e krimit të organizuar. Si dritë në fund të tunelit të errët në këtë sistem mund të duket vetëm nëse bëhet VETTING-u. Mungesa e rezultateve pozitive të gjyqësisë dhe përgjithësi drejtësisë nuk vjen si pasojë e mungesës së ligjeve, por vjen si rezultat i korruptimit të atyre që duhej të ishin zbatuesit e ligjit, e këta janë hetues, prokurorë, gjyqtarë. Pra, dështimi është pikërisht te këta zyrtarë që janë vasalë dhe servilë të krimit të organizuar ku mafia dhe grupet e saj janë të fshehur në politikë dhe parti politike. Tani jam shumë në dyshim se edhe po të bëhej ndonjë VETTING kjo mafi politike do ta gjente mënyrën si t'i korruptojë edhe zyrtarët e zbatimit të VETTING-ut", është shprehur analisti Naim Miftari për gazetën "Kosova Sot".

KAPITI: LIDHJA E PROKURORËVE DHE GJYQTARËVE ME STRUKTURA KRIMINALE NUK I LEJON ATA TË VEPROJNË

Analisti Skënder Kapiti thekson për "Kosova Sot" se aspak nuk bëhet fjalë për mungesë legjislacioni, për t'iu pamundësuar gjyqtarëve e prokurorëve ndjekjen e krimit e korrupsionit, por është kryekëput lidhja e tyre me struktura kriminale që nuk i lejon të veprojnë. "Ligji, i cili i ndalon gjyqtarët dhe prokurorët për të mos ndjekur, hetuar dhe mosndëshkuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, është vetë "ligji" i krimit dhe korrupsionit, i cili ka kapur sistemin e drejtësisë dhe të politikës, shtetin dhe institucionet e tij. Korrupsioni, kudo qoftë ai, në çdo vend apo shtet, është krim i lidhur ngushtë me politikën, drejtësinë dhe me krimin e organizuar. Prokuroria dhe gjyqësori nuk kanë dështuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe as kundër korrupsionit, por ata kanë pasur "suksese" në pazarbërjen dhe me ankandin që kanë bërë me ligjin, me detyrën publike dhe me drejtësinë, sepse ligji nuk ndjek dhe nuk ndëshkon trafikantët dhe matrapazët e ligjit, të cilët janë pushtetarët, gjyqtarët dhe prokurorët, por i mbron ata me të drejtën që ata kanë për të bërë çfarë të duan me drejtësinë dhe me ligjin. Në Kosovë dhe në Shqipëri është instaluar një pseudodemokraci apo më saktë një demokraci e korruptuar, ku demokracia përdoret si fasade mashtrimi për të fshehur antiligjin, krimin dhe hajdutërinë ekonomike, politike, gjyqësore dhe të krimit të organizuar. Kjo vërtetohet me faktin se deri më tani asnjë politikan, pushtetar i lartë qeveritar qendror, kryebashkiak apo kryekomunar lokal, si dhe as gjyqtar e as prokuror nuk është ndëshkuar për krimin e korrupsionin", thotë Kapiti për "Kosova Sot".