Milioni për lobim në Interpol, një zhvatje klasike

  • 22 October 2018 - 08:04
Milioni për lobim në Interpol, një zhvatje klasike

Hertica: Paratë e ndara gjoja për lobim shkaktojnë neveri te qytetarët

"Një ndër kryeveprat e marrëzisë së këtij të ashtuquajturi lobimi është edhe ajo që e bëri këshilltari i kryeministri, z. Erolld Belegu, gjoja për t'i pritur delegacionet e huaja në Nju-Jork. Edhe më e paarsyeshme është arsyetimi tjetër, që është edhe më i madh, kur kryeministri Ramush Haradinaj thotë se po shpenzohen me miliona euro për lobim. Veçse, ato forma të lobimit nuk janë lobim, por janë zyrtarisht keqpërdorime ndaj parasë publike", thotë analisti Jeton Kelmendi për gazetën "Kosova Sot"


 Që nga pas lufta e deri më sot, në Kosovë po vazhdon zhvatja e buxhetit të shtetit dhe kjo është bërë në emër të lobimit, kurse në këtë radhë zhvatja e buxhetit po bëhet gjoja për lobimin për t'u bërë anëtar të Interpolit. Ndryshe, në Dubai pritet që të shkojnë qeveritarët tanë për t'u shëtitur e për të bërë shoping, por jo edhe për lobim për anëtarësim në Interpol. Analistët thonë se edhe këto mbi 1 milion euro do të bëhen rrush e kumbulla, siç janë bërë gjithmonë, duke u shfrytëzuar gjoja për lobim, e realisht ato para do të keqpërdoren nga dhjetëra zyrtarë të Qeverisë, por edhe me familjarë të tyre për të bërë shoping, për të cilët nevojiten bileta biznes-klasë, hotele me pesë yje e restorante luksoze. Sipas njohësve të kësaj fushe, edhe kësaj radhe ka rrezik që të përsëritet skandali, siç ndodhi gjatë udhëtimit para pak javësh në Nju- Jork, ndaj një këshilltarit të kryeministrit, i cili i kushtoi buxhetit 20 mijë dollarë, sepse takimi i ftuar e planifikuar prej tij dështoi.

Kelmendi:Hajnia e korrupsioni dita- ditës po legalizohen Eksperti i fushë së integrimeve evropiane Jeton Kelmendi, për gazetën " Kosova Sot" thotë se hajnia në Kosovë, përkatësisht korrupsioni në Kosovë dita- ditës po bëhet duke u legalizuar, duke u thirrur në një çështje apo tjetrën. Ai thotë se së fundi është çështja e ashtuquajtur lobim që ka filluar me të madhe të keqpërdoret nga krerët e institucioneve më të larta të vendit tonë, përkatësisht nga sunduesit e këtij populli. Një ndër kryeveprat e marrëzisë së këtij të ashtuquajturi lobim është edhe ajo që e bëri këshilltari i kryeministri, z. Erolld Belegu, gjoja për t'i pritur delegacionet e huaja në Nju- Jork. Edhe më i paarsyeshëm është arsyetimi tjetër, që është edhe më i madh, kur kryeministri Ramush Haradinaj thotë se po shpenzohen me miliona euro për lobim. Por, ato forma të lobimit nuk janë lobim, por janë zyrtarisht keqpërdorime ndaj parasë publike. Prandaj, edhe të ashtuquajturat lobime të gjitha këto nuk kanë një tjetër emër, por janë legalizime apo thirrje në diçka për ta keqpërdorur paranë publike", thotë analisti Jeton Kelmendi për gazetën "Kosova Sot".

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Ali Hertica, për gazetën " Kosova Sot", thotë se zhvatja e buxhetit të vendit, nga elita e paskrupullt politike dhe nga kasta e dobët, ku thirren në emër të Kosovës për të lobuar po shkakton neveri tek qytetarët, duke e humbur besimin te çdo lider politik,sepse ky është një sinjal i debilizmit politik të këshilltarëve që vijnë nga ,,baushtellat ".

Qytetarët: Buxheti po zhvatet Qytetari nga Gjakova Anton Nue, për gazetën "Kosova Sot", thotë se tash kjo po shihet e tëra se si po veprojnë pushtetarët tanë të pasluftës, ngase të gjitha veprimet e tyre po bëhen vetëm për interesat personale të krerëve më të lartë të shtetet. "Prandaj, e them lirshëm se pushtetarët tanë po i korit interesi personal, andaj them se të gjitha garniturat e pushtetarëve tanë të pasluftës kanë punuar vetëm për interesin e personal të tyre, por jo edhe për popullin e për vendin tonë, përfshirë edhe pushtetarët e tashëm.

Prandaj, edhe kësaj radhe, edhe këto mbi 1 milion euro, që gjoja Qeveria i paska ndarë në emër të lobimit për anëtarësim në Interpol, nga pushtetarët tanë do të bëhen rrush e kumbulla dhe se shumica e këtyre parave do të keqpërdoren nga dhjetëra zyrtarë të Qeverisë, por edhe me familjarë të tyre për të bërë shoping, për të cilët nevojiten bileta biznes-klasë, hotele me pesë yje e restorante luksoze", është shprehur ai. Ndërsa qytetari tjetër nga Prishtina, Armend Krasniqi thotë për gazetën " Kosova Sot" se nga ana e pushtetarëve tanë shumica sish i kanë keqpërdorur dhe zhvatur paratë e buxhetit të vendit, andaj edhe kësaj radhe do të jetë kështu. "Në asnjë mënyrë nuk qëndron arsyetimi i Qeverisë, se po i ndajmë këto para në emër të lobimit për t'u bërë Kosova anëtare e Interpolit. Por, kjo nuk do të ndodhë, ngase shumica e këtyre parave do të keqpërdoren nga delegacioni i Kosovës. Kur e them këtë, me këtë shumë ta parave Kosova në asnjë mënyrë nuk mund të bëjë lobim e të blejë vota, se është një shumë e vogël dhe me aq pak para nuk mund të lobosh te shtetet e tjera", është shprehur Krasniqi. 


DEBILIZMI I KLANEVE "Tani, të ndahen mbi 1 milion euro për lobim është absurditet në vete, dhe kjo tregon se është një zhvatje klasike për debilizmin e klaneve dhe liderëve politikë në institucione, që do të shpenzohen për shopingje dhe shëtitje, siç ka ndodhur deri më sot. Sepse, edhe skandali, i cili ndodhi gjatë udhëtimit para pak javësh në Nju- Jork, i një këshilltarit të kryeministrit tregon se në çfarë gjendje ka rënë kjo Qeveri", theksoi analisti Ali Hertica për "Kosova Sot".