ZEQA: KËTË SKANDAL DO TA ZGJIDHË VETË HASHIM THAÇI PËR TA MBROJTUR ARGATIN E VET BESNIK!

  • 22 October 2018 - 18:13
ZEQA: KËTË SKANDAL DO TA ZGJIDHË VETË HASHIM THAÇI PËR TA MBROJTUR ARGATIN E VET BESNIK!

Analisti politik Florim Zeqa konsideron se ky është një zhvillim tepër skandaloz, pasi që në kundërshtim me ligjin prokuroria dhe shefat e policisë po mundohen ta fshehin rastin skandaloz dhe shfajësojnë djalin e shefit të AKI-së, Shpend Maxhuni, të cilit i është gjetur në mbrëmjen e 12 tetorit, armë e drogë në veturën, e cila veturë është pronësi e Enver Maxhunit, babai i Shpend Maxhunit. "Mosprocedimi fillimisht i këtij rasti nga Policia e Kosovës në Prokurorinë e Shtetit tregon për kapjen e tmerrshme të policisë, si dhe çdo institucioni tjetër të sigurisë nga politikanët mafiozë dhe bosët e krimit të organizuar. Pas bërjes publik të lajmit në media, prokuroria bashkë me policinë po mundohen t'ia bartin fajin kushëririt të Shpend Maxhunit, se gjoja arma e gjetur është pronë e tij, ndërkaq substanca narkotike e një personi të tretë. Shkaku i konsekuencave të ashpra nga politika, policia nuk ka pasur guximin për ta proceduar tutje rastin, megjithatë bërja publike e rastit mund t'u kushtojë me largim nga puna dhe pasoja tjera akoma më të rënda policëve që e hapën këtë rast në opinionin publik. Në rrethana normale do duhej të ishte ky fundi i kreut të AKI-së, Shpend Maxhuni, i cili, edhe pse ishte pjesë e skandalit të deportimit të gylenistëve, shefi i tij, Hashim Thaçi, e shpërbleu duke e zgjedhur si shef të AKI-së", theksoi Zeqa për "Kosova Sot". Mirëpo, ai dyshon se, sikurse herëve të tjera, edhe kësaj radhe pritet se do ta zgjedhë këtë skandal vetë Hashim Thaçi për ta mbrojtur argatin e vet besnik, Shpend Maxhuni, me familjen e tij. "Tashmë është e qartë për të gjithë qytetarët e vendit se Hashim Thaçi nuk është president, por sundues i vendit, i cili ka kapur çdo institucion, qeverinë, sistemin e drejtësisë, inteligjencën dhe pjesën dërmuese të opozitës! Se vërtet është vënë komplet e familja Maxhuni në shërbim të Hashim Thaçit e dëshmon fakti se edhe gruaja e Shpend Maxhunit, Luljeta Maxhuni, është e emëruar gjyqtare në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ky rast e tregon se në Kosovë nuk ka sundim të ligjit, se ky shtet është shtet tërësisht i kapur dhe se mjafton të jesh argat i "shefave" që janë mbi ligjin dhe çdo rast kriminal mund të fshihet, thuajse nuk ka ndodhur fare! Rasti skandaloz i familjes Maxhuni e dëshmoi për të satën herë, se jo vetëm policia dhe AKI-a, por të gjitha institucionet e tjera të shtetit janë të kapura nga krimi i organizuar dhe se brenda tyre nuk ka vend për njerëz të ndershëm", theksoi analisti Florim Zeqa.

 

(Kosova Sot)