Ligjet joefikase përballë kriminalitetit të profilit të lartë

  • 23 October 2018 - 10:41
Ligjet joefikase përballë kriminalitetit të profilit të lartë

Kodi i ri penal dhe Kodi i ri i procedurës penale, pritet që të futen për zbatim vitin e ardhshëm, thonë zyrtarë të Kuvendit të Kosovës, por për sa i përket sanksionimeve të veprave penale kundër detyrës zyrtare, nuk pritet të ketë ndryshime të mëdha në krahasim me kodet aktuale penale dhe të procedurës penale, vlerësojnë njohësit e çështjeve juridike.

Sami Kurteshi, anëtar i Komisionit parlamentar për legjislacion, mandate, rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsion, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kodi penal me ndryshimet e propozuara nga ekzekutivi, është shqyrtuar nga grupi punues dhe pritet që ta shqyrtojë edhe Komisioni. Por, sipas tij, në Kodin penal nuk janë parë ndryshime të mëdha, ndërkohë që Kodi i ri i procedurës penale ende nuk i është proceduar Komisionit për legjislacion.

“Ne nuk i dimë cilat janë ndryshimet që do të propozohen nga Ministria (e Drejtësisë) në Kodin e Procedurës Penale. Ç’është e vërteta edhe në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, Komisioni, do të thotë, ne si deputetë, kurrë nuk i kemi marrë të gjitha ndryshimet, së bashku, që i ka propozuar Ministria, që t’i dinim se çka është kërkuar që të ndryshohet. Ka munguar transparenca në atë drejtim, mirëpo është punuar i tërë Kodi”, tha Kurteshi.

Profesori i të Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, i cili duke folur për Radio Evropa e Lirë, ka thënë se ishte pjesë e ekipit që ka punuar në Kodin e ri Penal, thotë se në këtë Kod janë bërë ndryshime dhe plotësime, përfshirë edhe për veprat penale kundër detyrës zyrtare.

(Kosova Sot)