Mediet serbe: Asociacioni vulosi përfundimisht humbjen e sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën

  • 04 September 2015 - 14:06
Mediet serbe: Asociacioni vulosi përfundimisht humbjen e sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën

Mediat në Serbi po vazhdojnë të pohojnë se marrëveshjet të fundit në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë e kanë vulosur përfundimisht humbjen e sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën.

Dejan Miroviq ofron një analizë të detajuar për portalin “Mendimi i ri politik serb (NSPM)” të marrëveshjeve të nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë. Ai nënvizon se ngjarjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, të pasuar nga marrëveshjet e 25 gushtit 2015, dëshmojnë qartë se Kosova është shtet i pavarur. Shtetësia e Kosovës është betonuar, pohon Miroviq, kur Serbia nënshkroi që Kosova të ketë kodin e saj shtetëror telefonik, që të hapet ura mbi lumin Ibër, dhe që kryetari i Asociacioni të komunave me shumicë serbë në Kosovë t’i japë llogari Prishtinës.

Më poshtë po sjellim tekstin e plotë:

Pas negociatave të 25 gushtit në Bruksel, kryeministri serb Aleksandar Vuçiq uroi popullin serb për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Marko Gjuriq, drejtor pranë “Zyrë për Kosovë e Metohi”, shkoi një hap më tej duke thënë se Serbia ka arritur një fitore me rezultat prej 5 me 0.

Mirëpo, kur të analizohet këto deklarata euforike dhe të pabaza, shtrohet pyetja nëse të drejtat e popullit serb në Kosovë mund të mbrohen në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare? Më konkretisht, Asociacioni u formuar duke u mbështetur në Marrëveshjen e Brukselit, e cila, pa dyshim, është një marrëveshje ndërkombëtare. Përgjigja ndaj kësaj pyetje është po, me kusht që pjesët e vendit me shumicë serbe do të ishin në një shtet tjetër. Në të kundërtën, kjo çështje do të rregullohej me legjislacionin kombëtar.

Me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, u vulos humbja e sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën

Më konkretisht, Serbia, fillimisht më 2013, e ka përmbyllur marrëveshjen ndërkombëtare bazë në Bruksel përmes së cilës e ka vulosur dorëzimin dhe humbjen e sovranitetit mbi Kosovën. Pastaj, Serbia e ka nënshkruar aneksin e po të njëjtës marrëveshje (për Asociacionin, telekomunikacionin, energjetikës, urën mbi lumin Ibër), i cili i jep të drejta të caktuara pakicës serbe, por gjithnjë brenda Marrëveshjes së Brukselit.

Pra, ky është thelbi ligjor i marrëveshjeve të nënshkruara më 25 gusht 2015 nga Serbia dhe Kosova.

Për saktësinë e kësaj teze më së miri tregon interpretimi i Marrëveshjes së Brukselit (sipas kritereve të pranuara nga të gjithë të cilët i ka përcaktuar anëtari i Komisionit të OKB-së për të drejtën ndërkombëtare, akademik Millan Bartosh.

Edhe po të kërkojë Serbia mendimin e GJND-së për marrëveshjet e Brukselit, rezultati do të jetë sërish në favor të Kosovës

Marrëveshja e Brukselit është një marrëveshje ndërkombëtare sepse ashtu interpretohet nga shumica e palëve të marrëveshjes. Për Bashkimin Evropian dhe Kosovën kjo është një marrëveshje ndërkombëtare e cila fuqi ligjore. Serbia e interpreton marrëveshjen si çështje të brendshme e cila nuk e detyron Brukselin dhe Prishtinën. Në rast të një kontesti rreth interpretimit të ndarë të marrëveshjes, sipas të drejtës ndërkombëtare, organizmi kompetent në këtë rast është Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Verdiktet në rastin e Bosnjë e Hercegovinës kundër Serbisë, kur shteti ynë u shpall fajtor sepse “nuk e kishte parandaluar gjenocidin”, në rastin kur Republika Federale e Jugosllavisë së Millosheviqit kishte ngritur akuza kundër shteteve anëtare të NATO-s, në rastin kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte dalë me opinionin e saj sipas të cilit shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, dëshmojnë qartë se cili do të jetë interpretimi i Marrëveshjes së Brukselit nga GJND-ja.

Interpretimi i heshtur gjithashtu tregon se Marrëveshja e Brukselit është një marrëveshje ndërkombëtare. Më konkretisht, në qershor të vitit 2014, Serbia ka lejuar që për herë të parë të organizoheshin zgjedhjet e përgjithshme, me ligjet e Kosovës, në pjesën veriore të vendit, edhe pse kjo nuk ishte deklaruar shprehimisht në Marrëveshjen e Brukselit. Në bazë të këtyre burimeve, përfaqësuesit serbë i pranuan vendet e tyre në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës. Pra, në Kuvendin dhe Qeverinë të cilët nuk e pranojnë sovranitetin e Serbisë dhe e konsiderojnë Kosovën shtet të pavarur.

Prishtina dhe Brukseli gjatë negociatave asnjëherë nuk e kanë fshehur se synimi i tyre ishte që të siguronin pavarësinë absolute të Kosovës nga Serbia

Nëse palët kanë pasur vullnet dhe synime të ndryshme rreth marrëveshjes, atëherë intrepretohen punët apo negociatat përgatitore. Prishtina dhe Brukseli gjatë negociatave asnjëherë nuk e kanë fshehur se synimi i tyre ishte që të siguronin pavarësinë absolute të Kosovës nga Serbia. Këtë e vërtetojnë deklarata të panumërta të zyrtarëve të Prishtinës dhe Brukselit, duke përfshirë edhe ato të Shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, dhe të zëvendëskryeministri të Kosovës, Hashim Thaçit, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes mbi Asociacionin (“Arritje e rëndësishme në procesin e normalizimit të marrëdhënieve” dhe “Me nënshkrimin e marrëveshjes, Serbia njohu Kosovës si shtet të pavarur”).

Interpretimi teleologjik tregon qëllimin e palëve të marrëveshjes. Sipas të drejtës ndërkombëtare, nëse marrëveshja nuk ka qenë e qartë me rastin e përgatitjes së saj, atëherë shqyrtohet efekti i saj pas nënshkrimit. Në këtë kontekst, nuk ka asnjë dyshim se pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit është forcuar pavarësia e Kosovës. Janë shuar gjyqësori dhe policia serbe në Kosovë, Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës për herë të parë siguruan legjitmitet me hyrjen e përfaqësuesve serbë, kufiri administrativ midis Serbisë dhe Kosovës është shndërruar pothuajse tërësisht në kufi shtetëror. Prandaj, qëllimi i marrëveshjes është bërë i qartë me kalimin e kohës, pra pavarësia e Kosovës nga Serbia.

Kur ka interpretime të shumta të një marrëveshje, atëherë merret parasysh interpretimi më efikas për zbatimin e asaj marrëveshjeje. Pa dyshim, efikasiteti i zbatimit të dispozitave që kanë forcuar sovranitetin e Kosovës në dy vitet e fundit tregon se objektivi i Marrëveshjes së Brukselit ka qenë konfirmimi i pavarësisë së Kosovës. Në anën tjetër, Serbisë iu deshën dy vite e gjysmë pas nënshkrimit të kësaj marrveshjeje që të fus në agjendë Asociacionin e komunave me shumicë serbë në Kosovë (edhe së paku katër muaj të tjerë duhet të kalojnë deri në finalizimin e statutit të Asociacionit).

Dihet botërisht se Bashkimi Evropian nënshkruan MSA-në vetëm me shtete

Kur ka paqartësi në interpretimin e marrëveshjeve, atëherë sipas të drejtës ndërkombëtare ato interpretohen në bazë të marrëveshjeve pasuese që ato kanë prodhuar. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, Kosova, në tetor të vitit 2014, ka vërë inicialet për marrëveshjen e stabilizim-asociimit me BE-në. Është vetëm çështje kohe nënshkrimi zyrtar i MSA-së. Dihet botërisht se BE nënshkruan MSA-në vetëm me shtete. Prandaj, është e qartë se marrëveshja me Brukselin e trajton Kosovën si shtet. (Si rrjedhojë, është krejtësisht i paqëndrueshëm pohimi i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë e cila mbrojti qëndrimin se Marrëveshja e Brukselit nuk është një marrëveshje ndërkombëtare sepse Kosova mund të krahasohet me Grenlandën, e Serbia me Danimarkën).

Gjyqtari i famshëm pranë GJND-së, Max Huber, kishte argumentuar se teksti i marrëveshjes është gjithmonë më i rëndësishëm sesa qëllimi i palëve gjegjëse. Në tekstin e Marrëveshjes së Brukselit nuk ka asnjë referencë në bazën ligjore të sovranitetit serb në Kosovë, pra në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Mbase qëllimi i Beogradit me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit ishte vërtetë ruajtja e sovranitetit të Serbisë në pjesën veriore të Kosovës. Megjithatë, një gjë e tillë nuk është pjesë e tekstit të Marrëveshjes së Brukselit (e madje as fusnota e famshme e Borko Stefanoviqit).

Nuk mund të ketë dy sovranitete të barabarta në territorin e njëjtë

Argumentum e contrario (argumenti i bazuar në të kundërtën) tregon se sovraniteti i Kosovës përjashton sovranitetin serb dhe anasjelltas. Nuk mund të ketë dy interpretime të Marrëveshjes së Brukselit të cilat përjashtohen reciprokisht. Nuk mund të ketë dy sovranitete të barabarta në territorin e njëjtë (për shembull, ndaj aseteve të sistemit operativ të shpërndarjes së Korporatës Energjetike të Serbisë (EPS) siç kryeministri Vuçiq pohon të jetë shkruar në marrëveshjen e 25 gushtit 2015). Kjo është e paqëndrueshme edhe në një periudhe afatshkurtër.

Me Marrëveshjen e Brukselit u konfirmua shtetësia e Kosovës

Prandaj, vetëm një interpretim mund të jetë i saktë – interpretimi i Brukselit dhe Prishtinës se Kosova, sipas Marrëveshjes së Brukselit, është shtet i pavarur, apo interpretimi serb se Kosova është pjesë e Serbisë. Ngjarjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit dëshmojnë qartë se interpretimi i saktë është pikërisht ai i Prishtinës dhe Brukselit.

Argumentum ad absurdum (argumentimi në absurditet) tregon se në rast të konfliktit të interpretimeve duhet hedhur poshtë atë që çon në “rezultate absurde, qesharake dhe të palogjikshme”. Më saktësisht, është absurde, e palogjikshme dhe qesharake të pretendohet se Serbia e ka ruajtur sovranitetin e saj në Kosovë duke ia dorëzuar Prishtinës policinë, gjyqësorin, kufirin administrativ dhe duke i detyruar serbët që të bëhen pjesë e Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës. Marrëveshjet e 25 gushtit 2015 nuk i ndryshojnë këto fakte, veçanërisht nëse merret parasysh se Serbia është obliguar atë ditë që Kosova të ketë kodin e saj shtetëror telefonik, që të hapet ura mbi lumin Ibër, dhe që kryetari i Asociacionit t’i japë llogari Prishtinës.

Natyrisht, autoritetet serbe gjithmonë mund të dalin me disa argumente të fuqishme në favor të interpretimit të tyre se Marrëveshja e Brukselit është pjesë e së drejtës së brendshme të Republikës së Serbisë. Marrëveshja e Brukselit asnjëherë nuk është ratifikuar si marrëveshje ndërkombëtare në Kuvendin Popullor të Republikës së Serbisë. (Marrëveshja është miratuar si një vendim më 26 prill 2013 në Kuvend.)

Nuk ka vend për eufori e cila po e shoqëron nënshkrimin e marrëveshjes për Asociacionin

Megjithatë, në të drejtën ndërkombëtare janë fare të njohur raste kur marrëveshjet ndërkombëtare janë miratuar me deklarata. Në të drejtën ndërkombëtare kjo njihet si “ratifikim i heshtur”. (Janë gjithashtu të njohur rastet kur për shkak të shantazheve dhe presioneve të palës superiore nuk është paraparë ratifikim. Se a vlen kjo edhe për marrëdhëniet mes BE-së dhe Serbisë me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, është një pyetje së cilës mund t’i përgjigjen vetëm udhëheqësit e Republikës së Serbisë të cilët morën pjesë, siç pranuar vet, në bisedimet “filigranike” me BE-në.)

Autoritetet në Beograd mund të paraqesin argumentin se Marrëveshja e Brukselit nuk është regjistruar si një marrëveshje në Sekretariatin e OKB-së. Mirëpo, ka shumë shembuj të marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat me vite nuk janë regjistruar në Sekretariatin e OKB-së, transmeton lajmi.net.

Së fundi, rregulloret dhe aktet nënligjore të dala nga qeveria në bazë të Marrëveshjes së Brukselit po ashtu përbëjnë një lloj të zbatimit të marrëveshjes ndërkombëtare. Kështu kishte vepruar Këshilli Ekzekutiv në ish-Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë me rastin e zbatimit të marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat nuk kanë qenë ta ratifikuara në Kuvend. Pra, nuk ka vend për eufori e cila po e shoqëron nënshkrimin e marrëveshjes për Asociacionin. Më konkretisht, Asociacioni mund të përkufizohet si përpjekje e dëshpëruar për ruajtjen e sovranitetit serb në Kosovë, i cili është rrënuar katastrofalisht me nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit me një lehtësi të paparë nga Serbia. Fakti që të njëjtët aktorë e kanë nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e saj për Asociacionin nuk e ndryshon këtë fakt dhe përgjegjësinë e tyre për situatën e vështirë ligjore me të cilën tani po përballet populli serb në Kosovë pas nënshkrimit të marrëveshjes së vitit 2013 dhe të aneksit të saj më 2015.