Kredi për të parë kombëtaren në Kopenhagë

  • 04 September 2015 - 17:18
Kredi për të parë kombëtaren në Kopenhagë

Ndeshja e sotme kundër Danimarkës është jetike për fatet e kombëtares në ëndrrën drejt Kampionatit Evropian “Francë 2016”.

Entuziazmi është në maksimum dhe kryeqyteti danez pritet të frymojë shqip. Mijëra shqiptarë do të pushtojnë Kopenhagenin nga vende të ndryshme të Evropës ku jetojnë, ndërsa 168 të tjerë të enjten pasdite udhëtuan drejt tokës daneze nga Shqipëria.

Mes atyre që prisnin fluturimin që po vononte ishte edhe një djalë rreth të 25-ve. Me një fytyrë që herë qeshte nga zori e herë skuqej, tha si me gjysmë zëri: “Eh, ç’na futën në borxhe kot më duket!”.

“Mora kredi për të parë ndeshjen, dy milionë lekë. Ia vlen. Kjo ndeshje është jetë a vdekje. Doja të isha patjetër. Do ta shlyej për një vit avash-avash. Kam parë në ‘Google’ që edhe Kopenhageni është i bukur. Dashtë Zoti do na dalë mbarë!”, shkruan “Panorama”.

Në të njëjtin avion të posaçëm të porositur nga një agjenci udhëtimesh fluturuan edhe politikanë të të dy krahëve, duke i lënë në sallën e Kuvendit ndasitë për pak kohë. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, deputeti i LSI-së, Spartak Braho, republikani Agron Duka dhe socialisti Alfred Peza ishin mes tifozëve që sonte do ta mbështesin përfaqësuesen kuqezi në “Telia Parken”.

Politikanë, gazetarë, juristë e njerëz të thjeshtë - të gjithë bashkë me një ëndërr: 3 pikë nga Kopenhageni, çka do të thoshte kualifikim thuajse i sigurt drejt Francës verën e ardhshme.