Qeveria po punon në udhëzimin administrativ që i hap rrugë Asociacionit

  • 04 September 2015 - 19:36
Qeveria po punon në udhëzimin administrativ që i hap rrugë Asociacionit

Statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përfshirë çdo ndryshim që do të bëhet pasi ai të hyjë në fuqi, pritet të kalojë përmes Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, ka thënë për KTV-në se ka pasur takime ndërmjet ekspertëve juridikë dhe kryeministrit dhe po punohet në një udhëzim administrativ që i hap rrugë dekretit qeveritar për Asociacionin.

Bajram Gecaj ka shtuar se ky dekret do t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese për vlerësim dhe tek pas kësaj nis puna për statutin e Asociacionit.

Zëvendësministri ka shtuar se ata kanë punuar shumë, në mënyrë që ky Asociacion të mos ketë kompetencë ekzekutive e as të ketë lëshime në gjuhën juridike për këtë.

Statuti i AKS-së pastaj me një udhëzim tjetër administrativ do të dërgohet në Kushtetuese për të vlerësuar nëse është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Gecaj nuk ka dashur t’i komentojë deklaratat e shefit të tij, ministrit Lubomir Mariq, i cili ka thënë se tashmë po punohet në statutin e Asociacionit dhe këtë po e bëjnë ekspertë serbë e ndërkombëtarë.

Në bazë të marrëveshjes, ekipi menaxhues ka kohë 4 muaj që ta përgatisë Statutin e Asociacionit, i cili prezantohet në dialogun e nivelit të lartë në Bruksel.