Vdiq ikona e picës në SHBA

  • 05 September 2015 - 16:53
Vdiq ikona e picës në SHBA

Bari Drishti, i njohur edhe si “Benny Tudino” i picerisë “Benny Tudno” në rrugën Washington të qarkut Hoboken në New Jersey, ka ndërruar jetë.

Benny ka qenë fytyrë e njohur për kalimtarët i cili qëndronte ulur para dyqanit të tij në qendër të qytetit, restorant i njohur për ofrimin e copave më të mëdha të picave në rrethinë.

“Hudsonreporter” shkruan se Benny dhe picat e tij u bënë legjendare, duke ushqyer gjenerata të shumta të banorëve të qarkut. Copat e picave ishin aq të mëdha sa që njerëzit shpeshherë i krahasonin ato me bebet e tyre.

Drishti ka dy djem që angazhohen shumë për komunitetin si trajnerë dhe si zbatues të ligjit, Arbendin dhe Eddien.

Banorët dhe zyrtarët e Hobokenit mbajtën zi për vdekjen e tij të enjten. Një qytetar shkroi në Tweeter, “Pusho në paqe legjenda Benny Tudino. Ai më ushqeu në shumë net sa isha i dehur”.

Një tjetër, Anthony Romano, shkroi, "Hoboken humbi një pjesë të historisë së tij, Bari Drishti, i dashur nga të gjithë si Benny Tudino. Pushoftë në paqe”.

Një grua e re shkroi, “Vdiq Benny Tudino, njeriu i cili më jepte vazhdimisht pica pa pagesë”.

Njerëzit kanë lënë komente edhe në faqen e Facebook-ut të gazetës, shkrim i cili u shpërnda gati 500 herë dhe u pa nga rreth 50 mijë persona.

Drishti kishte shkuar në SHBA nga Shqipëria më 1963. Ai u vendos në Hoboken më 1968 së bashku me gruan e tij Sophia, kur kushëriri i Bennyt dhe ish-prifti Tudino bleu tokën në rrugën Washington. Ata dy më pas hapën picerinë “Tudino's”. Dhe që nga ajo kohë, suksesi nuk pati të ndalur për restorantin e tyre.

Por, jo gjithçka shkonte ‘vaj’ për Drishtin. Më 1985, ai u dënua me 20 vjet burgim për përfshirje në atë që prokurorët federalë e quajtën “grup dilerësh të drogës shqiptaro-jugosllavë”, sipas “New York Times”.