Manovrat e Mimozës, drejt "shtratit-koalicionit" të PDK-së

  • 09 November 2018 - 07:54
Manovrat e Mimozës, drejt

"Çështja që duhet shtruar është se përse deputetja Mimoza Kusari-Lila nuk e ngriti zërin për skandalet e përditshme, për monopolet kriminale, e shumë probleme të qytetarëve, përfshirë këtu edhe zhvatjet e fundit përmes A-Testimit që iu dha Devollëve, por fokusin e vetëm e ka tek pika e saj e dobët:paratë për vete. Me këto veprime në njëfarë mënyre Mimoza Kusari-Lila, përmes akuzave ndaj LDK-së, veçse e paralajmëroi atë që disa muaj e kanë kuptuar shumëkush, se dalja nga Grupi parlamentar i LDKse ishte bërë për t'u shtrirë serish në 'shtratkoalicion' me PDK-në", thotë analisti Ragip Guraziu për "Kosova Sot".

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari, po e akuzon LDK-në se ua ka ndaluar pagesat që merr nga Fondi i demokratizimit për dy deputetët e Alternativës, pasi këta dy të fundit kanë vendosur të largohen nga grupi i përbashkët parlamentar që kishin me këtë subjekt. Por njohësit e kësaj fushe dhe qytetarët vlerësojnë se Kusari u zgjodh deputete vetëm duke qenë pjesë e Listës së LDK-së, ku ajo shpresonte se do të përfundonte sërish së paku në postin e ministres, pasi si Alternativë ajo nuk ka pasur asnjë shans as të marrë pjesë në zgjedhje, e lërë më që të jetë deputete. Analistët po pyesin se përse kjo deputete nuk po e ngrit zërin për skandale të përditshme, për monopolet kriminale, e shume probleme të qytetareve, përfshirë zhvatjet e fundit përmes A-Testimit që iu dha Devollëve, por fokusin e vetëm e ka tek pika e saj e dobët:paratë për vete. Analistët kritikojnë këtë politikë pazaresh, ndërsa vetë LDK-ja nuk ka dhënë përgjigje. Me gjithë përpjekjet e gazetarit për të marrë përgjigje nga sekretari Ismet Beqiri dhe deputeti Avdullah Hoti, kjo ishte e pamundur, ngase të dytë ndodheshin në një vizitë pune në Finlandë. Gazetari nuk arriti që të marrë përgjigje as nga zëdhënësi i partisë Besian Mustafa, me të cilin gazetari pati kontakte përmes celularit dhe të njëjtit i dërguan pyetje dhe as nga disa deputetë të LDK-së, Naser Rugova dhe Lutfi Zharku, që nuk janë prononcuar për gazetën, as në takimet e drejtpërdrejta, as në telefonatat e bëra. 

Riciklimi i figurave të konsumuara

Analisti politik Ibrahim Kelmendi, për gazetën "Kosova Sot", thotë se LDK-ja dhe PDK-ja, me mendimin se do përvetësojnë edhe votuesit e partizanëve dhe liderucëve, fusin në lista të tyre dhe kështu i riciklojnë ata që do të detyroheshin të iknin nga gara politike, si rasti i Pacollit, Dardan Gashit dhe sojit të tyre. "Edhe pasi të bëhet deputet pameritueshëm (meqë me partizanë të tyre nuk do të kapërcenin prag elektoral), eskalojnë në prostitucion politik, duke u shitur te koalicioni qeveritar, meqë ashtu i afrohen qypit (buxhetit). Vetëm idealistët naivë befasohen kur të tillët i bëjnë këto "fizkultura", duke harruar se liderucë të tillë nuk kanë principe e fisnikëri, por kanë prioritet pasurimin e pandershëm", theksoi ai. Analisti politik Shefik Shkodra, për gazetën " Kosova Sot ", tha se Mimoza Kusari - Lila dhe jo veç ajo, kalojnë prej një grupi në grupin tjetër të partive, vetëm që ta rregullojnë punën e tyre. " Si kjo dhe pjesa më e madhe e shikojnë 'fitimin' jo edhe 'hallin' e përgjithshëm të qytetarëve. Prandaj, asaj dhe disa të tjerëve, si Behgjet Pacollit, ua bëri të mundshme LDK-ja, që të futen deputetë e pastaj ngjiten edhe më tej në institucionet të tjera shtetërore",vijoi më tutje Shkodra. Sipas tij, ankesa se nuk është paguar nga LDKja është njëra prej atyre subjektivizmave që e paraqet kjo politikane. 

Deputetët mercenarë

Eksperti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Ali Hertica, për gazetën " Kosova Sot', thotë se tani është një sinjal se bashkëpunimi opozitar nuk funksionon. "Mimoza u zgjodh deputete falë vetëm LDK-së, së bashku me mikun dhe shefin e saj Pacollin e AKR-së. Kurse, tani këto dy subjekte politike nga një përqafim i zjarrtë u kthyen në tradhti ndaj LDK-së, kur filluan të jenë pjesë e Parlamentit me nga dy deputetë, që janë marioneta të koalicionit PAN. Këto dy minisubjekte ishin servilë të drejtë vetëm e vetëm për të marrë hise në Qeverinë e tashme, duke e tradhtuar marrëveshjen e koalicionit të LDK-së dhe mësueses së tyre të përbetuar për të shtyrë proceset përpara, duke u thirrur në demokratizimin e shtetit ligjor, ku si forca do të ndalin oligarkinë dhe nepotizmin politik të klaneve 'Pronto'", u shpreh ai. "Deputetja Mimoza Kusari -Lila, për dëshirat e saj, kjo do të bënte koalicion edhe me Listën Serbe, sepse e ka në gjak këtë dukuri, që është një dinake duke iu bashkangjitur çdo subjekti politik për interesa personale. I gjithë historiku i dy protagonistëve Kusari-Pacolli po mos të ishte LDK-ja, këto dy mini-subjekte do ishin duke u sorollatur në zyrat e tyre, siç po sorollaten dhe në Parlament dhe në korridoret e BE-së dhe Brukselit pa dhënë asnjë rezultat, por vetëm duke zhvatur dhe duke shpenzuar buxhetin", shtoi më tej Hertica . Ndërsa, analisti Ragip Guraziu, për gazetën " Kosova Sot", thotë se është për t'u çuditur se si LDK-ja ia zvogëloi vetes numrin e deputetëve me këtë veprim, ku bashkëpunëtorët më të ngushtë të PDK-së, tipat si Pacolli dhe Kusari etj., i futi në kreun e Listës të LDK-së. "Kësisoj, LDK-ja u bë trampolinë për t'i bërë deputetë e besa edhe qeveritarë tipat si Behgjet Pacolli, Mimoza Kusari-Lila , të cilët asnjëherë nuk do ta kalonin pragun zgjedhor me të ashtuquajturat parti të tyre mercenare e inekzistente", shpjegon ai. "Çështja që duhet shtruar është se përse deputetja Mimoza Kusari-Lila nuk e ngriti zërin për skandalet e përditshme, për monopolet kriminale, e shumë probleme të qytetarëve, përfshirë këtu edhe zhvatjet e fundit përmes A-Testimit që iu dha Devollëve, por fokusin e vetëm e ka tek pika e saj e dobët:paratë për vete. Me këto veprime në njëfarë mënyre Mimoza Kusari-Lila, përmes akuzave ndaj LDK-së, veçse e paralajmëroi atë që disa muaj e kanë kuptuar shumëkush, se dalja nga Grupi parlamentar i LDK-se ishte bërë për t'u shtrirë sërish në 'shtrat-koalicion' me PDK-në", ka thënë Guraziu.

Qytetarët, të dëshpëruar

Edhe qytetarët e anketuar thonë se janë të zhgënjyer me kërkesën e deputetes Mimoza Kusari-Lila. Jahir Shabani nga fshati Metehi i komunës së Podujevës me vendbanim në jug të Gjermanisë, për gazetën "Kosova Sot', thotë se çfarëdo kërkese e kujtdo qoftë, e në këtë rast edhe kërkesa e deputetes Mimoza Kusari-Lila ndaj LDK-së,është një kërkesë e paarsyeshme dhe pa fakte, prandaj edhe në parim kjo është një kërkesë jo e drejtë dhe jo e qëlluar e saj. Ndërsa qytetari, Ismail Hamiti nga Prishtina, për gazetën "Kosova Sot", thotë se Mimoza Kusari-Lila po e keqpërdor mirësinë e LDK-së që asaj ia mundësoi që të futet në listën e kandidatëve për deputete të Kuvendit të Kosovës, edhe pse nuk e pati asokohe të regjistruar Alternativën e saj në KQZ. "Deputetja Mimoza Kusari-Lila duhet që për këtë çështje t'i drejtohet KQZ-së dhe jo LDK-së, sepse KQZ-ja është kompetente që t'ia japë sqarimin. Prandaj, edhe kërkesa e saj ndaj LDK-së si e tillë është e padrejtë", u shpreh Hamiti. Sipas tij, deputetja e tashme, Mimoza Kusari-Lila po e keqpërdor LDK-në, sepse sikur mos të ishte në fillim të Listës së përbashkët, sot as Mimoza Kusari-Lila dhe as Behgjet Pacolli nuk do të ishin në këto pozita si deputetë e Kuvendit të Kosovës dhe si zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës" .

 

VEPRIMET TINËZARE

"Nga këto veprime tinëzare të Mimozës edhe shtrohet pyetja, se si u bë LDK-ja trampolinë për t'i bërë deputetë e besa edhe qeveritarë tipat si Behgjet Pacolli, Mimoza Kusari &Co, të cilët asnjëherë nuk do ta kalonin pragun zgjedhor me të ashtuquajturat parti të tyre mercenare e inekzistente?", pyeti Ragip Guraziu për "Kosova Sot".

 

(Kosova Sot)