Histori mjerimi në mes të Tiranës, 54 vjeçari i ngujuar në shtrat

  • 12 November 2018 - 18:36
Histori mjerimi në mes të Tiranës, 54 vjeçari i ngujuar në shtrat

Nuk ka nevojë të udhëtosh larg për t’u përballur me mjerimin. Ramiz Shika jeton në një ish-kabinë elektrike në mes të Tiranës prej nëntë muajsh i ngujuar në shtrat.

Prej nëntë muajsh ky 54-vjeçar është ngujuar në shtrat. Ramiz Shika nga Tirana na tregon se vuan nga shumë sëmundje, por thyerja e këmbës është ajo që tashmë po i rëndon më tepër.

“Kjo është e fundit fare, që këtë nuk e doja, përderisa isha me duar me këmbë bereqaves, keq jam, keq  isha, hekuri është këtu, po qe du unë këtë, unë s’luaj dot”.

Deri në muajin prill shpresat i varte tek ndihma ekonomike tashmë i kanë mbetur vetëm miqtë.

“Bëfshin hajër dynjaja, se njëherë, dy herë të ndihmon tjetri. I mbledh çarçafët, dy klluf jastikësh ua jap mi bijnë, ulem çik në karrige më ndërrojnë”.

Pamundësia për të rinovuar dokumentet bëri ta humbiste dhe pagesën minimaliste që përfitonte më herët.

“Unë s’lëviz dot, ku të shkoj unë, edhe sikur kempi, ato letrat e daljes, ajo thotë t’i do bësh me noter se unë vetë nuk iki dot, noterin me ça ta paguaj unë”.

Na tregon se nuk mund të punojë dhe as ka ku të mbështetet. Prej pesë vitesh ka vetëm një strehë. Këtë ish ish-kabinë elektrike pranë ish Parkut të Autobusëve në kryeqytet.

“Këtu është lagështirë, bi shiu mbushet gropa, po të kalojë ndonjë mi mos u trembni, po shyqyr Zotit sot e dje s’kam pas gjë me hangër se po të kem dun me hëngër dhe ata”.

Këtu u vendos pas një aksidenti në punë, në pamundësi për të siguruar të ardhura  për të shlyer qiranë e banesës ku jetonte pas humbjes së parave në firmat piramidale.

“E pastrova me këta çunat dhe që në 2013-ën unë jam këtu”.

Ndonëse mjerimi ku pret mëngjeset dhe ngrys netët është i dukshëm, Ramizi institucioneve shtetërore ë drejton vetëm këtë kërkesë:

“Më mori malli me pa diellin me sy, një karrocë me, një karrocë mer bab, me hangër një çap bukë robi”.

 

(Kosova Sot)