Thaçi thotë se Kosova kurrë s'ka pasur mbështetje më të madhe se tash për marrëveshje me Serbinë

  • 12 November 2018 - 19:29
Thaçi thotë se Kosova kurrë s'ka pasur mbështetje më të madhe se tash për marrëveshje me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se në takimet që ka zhvilluar ditëve të fundit në Paris, me udhëheqës botërorë, ka marrë mbështetjen të plotë për arritjen e një marrëveshjeje paqësore me Serbinë.

Nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij zyrtare, në rrjetin social Facebook, në internet, Thaçi është shprehur se "Kosova asnjëherë në historinë e saj nuk ka pasur mbështetje më të madhe dhe më të fuqishme të mbarë botës për tejkalimin, njëherë e përgjithmonë, të konfliktit shekullor në mes të Kosovës dhe Serbisë".

Thaçi ka vlerësuar se tani është koha që Kosova ta shfrytëzojë këtë mbështetje për të jetësuar integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Shkrimi i plotë i Thaçit në Facebook:

Shënimi i 100-vjetorit të përfundimit të Luftës I Botërore, respektivisht Ditës së Armëpushimit në Paris, ishte po ashtu një mundësi që të takoj dhe bisedoj me liderët botërorë. Në takimet që kam pasur me presidetnin francez, Emmanuel Macron, presidentin amerikan, Donald Trump, kancelaren gjermane, Angela Merkel, presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, si dhe presidentin rus, Vladimir Putin, më është konfirmuar mbështetja e plotë për arritjen e një marrëveshjeje paqësore gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kosova asnjëherë në historinë e saj nuk ka pasur mbështetje më të madhe dhe më të fuqishme të mbarë botës për tejkalimin, njëherë e përgjithmonë, të konfliktit shekullor në mes të Kosovës dhe Serbisë. Tani është koha që të shfrytëzojmë këtë mbështetje për të jetësuar integrimin e Kosovës në BE, NATO dhe OKB.

 

(Kosova Sot)