Policia maqedonase në derë të Gruevskit

  • 12 November 2018 - 19:30
Policia maqedonase në derë të Gruevskit

Policia maqedonase ka shkuar tek banesa e ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, pasi Ministria e Punëve të Brendshme maqedonase, pas njoftimit nga Gjykata Penale e Shkupit se nuk ka mundur të gjejë Gruevskin për t’ia dorëzuar vendimin që të paraqitet në burg për të vuajtur dënimin, ka lëshuar urdhër arresti.

Megjithatë, policia nuk e ka gjetur aty Gruevskin. Kërkimi për të do të vazhdojë.

Gjykata penale në Shkup sot pasdite parashtroi deri te SPB Shkup kërkesë për shpalljen e fletarrestit kundër ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski.

Gjatë ditëve të kaluara korrierët gjyqësorë tentonin Gruevskit t’ia parashtrojnë vendimin e Këshillit të Gjykatës penale, me të cilin refuzohet ankesa e tij lidhur me dënimin dyvjeçar me burg, që ai duhet ta vuajë për rastin “Tank”.

“Gjykata themelore Shkup 1 lëshoi urdhër për arrestimin e personit për të cilin pyetni dhe më 12.11.2018 në ora 16:30 e parashtroi deri te SPB Shkup dhe kërkoi shpalljen e fletarrestit. Ministria e Punëve të Brendshme menjëherë pasi iu dorëzua, po vepron sipas urdhërit”, kumtoi MPB-ja.

 

(Kosova Sot)