‘Khashoggi’ përplas Francën me Turqinë

  • 12 November 2018 - 21:54
‘Khashoggi’ përplas Francën me Turqinë

Rasti i gazetarit Jamal Khashoggi ka përplasur Francën me Turqinë. Duke mohuar pajisjen me materialet hetimore, Parisi zyrtar ka akuzuar presidentin Erdogan për lojëra politike. Në reagimin e saj, Ankaraja e ka cilësuar komentin e palës franceze të papërgjegjshëm.

Turqia hodhi poshtë të hënën akuzat e Francës se presidenti Recep Tayyip Erdo?an po luante lojëra politike me rastin e gazetarit të vrarë Jammal Khashoggi.

Në reagimin e saj, Ankaraja zyrtare akuzoi palën franceze se po përpiqet të mbulojë krimin e ndodhur më 2 tetor në konsullatën saudite në Stamboll.

Ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian vuri në dyshim deklaratat të bëra fundjavën e kaluar nga Erdogan, se Turqia u kishte dhënë regjistrimet mbi vrasjen e Kashoggit qeverive amerikane, gjermane, franceze dhe britanike.

“Në dijeninë time, Franca nuk ka ndonjë material të tillë. Mesa duket, Erdogan po bën një lojë politike”, tha Le Drian. Deklarata shkaktoi reagimin e acaruar të Ankarasë, që insistoi se shteti turk kishte pajisur me materiale Parisin dhe e cilësoi deklaratën e Le Drian të papranueshme.

“Shërbimet tona të inteligjencës i ndanë informacionet dhe regjistrimet audio me francezët më 24 tetor. Është e patakt të akuzosh presidentin tonë për lojra politike”, deklaroi ministri i Jashtëm, Mevlut Çavushoglu. Shefi i diplomacisë turke u shpreh se nuk do të habitej nëse nesër, Franca do të zgjidhte ta mohonte vrasjen e Kashoggit, edhe pse ajo është pranuar nga Arabia Saudite. “Pyes veten se çfarë fshihet pas deklaratës së ministrit të Jashtëm francez. Ndoshta po përpiqen të mbulojnë krimin”, shtoi Çavushoglu. Po të hënën, kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau deklaroi se shërbimet kanadeze të inteligjencës kishin dëgjuar regjistrimet mbi rastin e Kashoggit. “Po diskutojmë me aleatët tanë hapat që duhet të ndërmarrim ndaj Arabisë Saudite”, tha Trudeau.

 

(Kosova Sot)