Loja me fotografitë e të vrarëve të Mejës, familjarët ankohen edhe në Polici

  • 14 November 2018 - 13:22
Loja me fotografitë e të vrarëve të Mejës, familjarët ankohen edhe në Polici

Kanë kaluar 19 vjet nga lufta, e kur për një numër të madh të personave, nuk dihet për fatin e tyre, familjarë të pagjeturve janë duke përjetuar dhimbje të shumëfishtë.

Qe shumë kohë kanë filluar edhe  punimet ne kompleksin Memorial në Mejë, mirëpo të njëjtat ende nuk kanë përfunduar.Përfaqësues  të Shoqatës së  Familjarëve të Personave të Zhdukur "27 Prilli 1999-Meje", po thonë se përveç dhimbjes që kanë për familjarët e tyre, tashmë lojë e madhe po bëhet edhe me punimet.Këto ankesa ata i kanë shprehur para anëtarëve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut.Sipas Haki Sadriut nga kjo shoqatë,  për shkak të mosmarrëveshjeve që kompanitë kanë mes vete po bëhet lojë e madhe  me fotografitë e martirëve.

Për këtë, ai bën fajtor institucionet shtetërore, të cilët sipas tij tash e 19 vjet kanë neglizhuar këtë çështje.  Ai ka fajësuar edhe punëkryesin, ku ka  treguar se të gjitha fotografitë ia ka dhënë inxhinierit, por ky i fundit nuk po pranon një gjë të tillë.  Ndërsa, Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj ka thënë se kompania që ka pasur për obligim që t’i vendosë   kapakët dhe mbishkrimet nuk është serioze, duke treguar se fotografitë e bëra  janë të një cilësie shumë të dobët.    Zogaj ka shtuar se ka kërkuar nga kompania që të largojë ato fotografi nga vendi.

Pasi kontraktuesi ka vendosur që të mos ua jap familjarëve fotografitë, ai thotë se rastin e kanë paraqitur edhe në Prokurori dhe Policinë e Pejës. Anëtarja e komisionit Teuta Haxhiu tha se sa më parë çështja e fotografive duhet të zgjidhet, sepse sipas saj kushtëzimi i tyre, është më shumë se shkelje.Selim Zymeri i “Shoqatës 27 prilli 1999-  Mejë”, tha se për faj të pushtetit, po ndihen kokulur para familjarëve.

Sipas Drejtorit të Agjencisë për Komplekset Memoriale, projekti do të finalizohet me 1 milion e 60 mijë euro. Ky buxhet sipas është  i përcaktuar deri në vitin 2021.

 

(Kosova Sot)