Gruevskit do t'i hiqet nga rroga një përqindje pas çdo tri mungesave "të paarsyeshme" në seancat parlamentare

  • 14 November 2018 - 17:35
Gruevskit do t'i hiqet nga rroga një përqindje pas çdo tri mungesave

Mungesa e Nikolla Gruevskit më nuk do të evidentohet si mungesë e arsyeshme prej seancave të Kuvendit të Maqedonisë.

Paga e ish-kryeministrit dhe deputetit aktual në Kuvendin e Maqedonisë do të zvogëlohet për pesë për qind në çdo tri mungesa nga seancat plenare. Këtë e kanë vendosur koordinatorët e grupeve të deputetëve në koordinimin e sotëm tek kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Në takim është marrë vendimi që, pasi që të kalojnë gjashtë muaj mungesë e paarsyeshme e Gruevskit, përsëri të vihet në rend dite marrja e mandatit të tij të deputetit.

Gruevski u arratis në Hungari prej ku ka kërkuar azil politik.

Informacionin për largimin në Hungari ai e kumtoi në “Fejsbuk”, ndërsa më vonë u konfirmua edhe nga MPB.

Gruevski të premten duhej të paraqitet për vuajtjen e dënimit me burg prej dy vitesh për rastin “Tanku”. Pas tij është shpallur fletarrestim ndërkombëtar.

(Kosova Sot)