Skandaloze, tërheqja e BB-së dhe BERZH-it PARALAJMËRON ERRËSIRË NË KOSOVË

  • 15 November 2018 - 07:48
Skandaloze, tërheqja e BB-së dhe BERZH-it PARALAJMËRON ERRËSIRË NË KOSOVË

Tashmë edhe është zyrtare se, për shkak të tërheqjes së investitorëve kryesorë, ka dështuar projekti i realizimit të ndërtimit të TC-së "Kosova e Re". Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se në momentin që është tërhequr Banka Botërore nga financimi i Termocentralit 'Kosova e Re', janë tërhequr edhe institucionet ndërkombëtare financiare prej idesë së financimit të projekteve me thëngjill. Kjo deklaratë e ministrit Lluka ka ardhur pas lajmit që edhe Banka Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim (BERZh), pas Bankës Botërore, e ka konfirmuar se nuk është duke shqyrtuar mbështetjen e Termocentralit 'Kosova e Re'. Qeveria po hesht për këtë dështim skandaloz, të një projekti që ka nisur tashmë një dekadë dhe po përfundon me këtë debakël të paralajmëruar. Me gjithë pyetjet e gazetarit, të dërguara në adresën elektronike dhe telefonata e bëra me zyrtarët e Zyrës për Informim të MZHE-së për të marrë përgjigje në pyetjet e dërguara, zyrtarët e MZHE-së nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën.

Qeveritë e neglizhuan

Termocentralin Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës Salih Salihu, për gazetën "Kosova Sot", tha se tash edhe zyrtarisht është konfirmuar lajmi nga drejtuesit e Bankës Botërore dhe atyre të Bankës Evropiane për Zhvillim(BERZH), janë tërhequr nga projekti i TC-së "Kosova e Re". "Prandaj, kjo është edhe një marrëzi e radhës e Qeverisë 'Haradinaj' që po rrezikon të bankrotojnë shtetin në aspekti energjetik", u shpreh ai. "Ndonëse jemi opozitë, ne do ta përkrahnim projektin në fjalë po qe se do të zgjidhte për një kohë të gjatë, 20- 30 vjet, furnizimin me energji elektrike. Por, e keqja e këtij projekti që nga fillimi ka qenë se si i tillë ky projekt, me një kosto miliardëshe, kur do të përfundonte me kapacitetet e tij prodhuese prej vetëm 600 MW, nuk do ta zgjidhte për një kohë të gjatë problemin e furnizimit stabil me energji elektrike në Kosovë dhe si i tillë konsideroj se ka qenë një projekt i dështuar dhe i gabuar", potencoi Salihaj. Ndërsa, bankieri Milazim Abazi, për gazetën "Kosova Sot', thotë se mundet që BB-ja dhe BERZH-i në politikat e tyre të kenë hequr dorë nga financimi i ndërtimit të termoelektranave me thëngjill dhe kjo për të është krejt normale. "Qeveritë e Kosovës, që nga viti 2007 e tutje, vazhdimisht e kanë neglizhuar ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike. Sikur qeveritë e Kosovës nga viti 2007 e këtej të ishin më të vendosura, Kosova do të kishte deri tash kapacitete të mjaftueshme energjetike bazuara në thëngjill dhe me ndotje sipas standardeve evropiane", u shpreh ai. Por, Abazi thotë se më në fund Qeveria aktuale hodhi firmën për ndërtimin e Termoelektranës " Kosova e Re. "Çështja e financimit të ndërtimit të saj nuk është detyrë e Qeverisë, por e investitorit privat " Contor Global".Sepse ,TC-ja " Kosova e Re" është një investim privat dhe financimi i këtij projekti i takon investitorit dhe unë besoj se 'Kosovën e Re' do ta financojnë bankat komerciale ndërkombëtare", vlerëson Abazi.

Të shfrytëzohen burimet alternative

Analisti Dardan Grapci, për gazetën "Kosova Sot", thotë se qeveritarët tanë si duket po jetojnë ende me idenë e shek.19-20, ku furnizimi me energji elektrike duhet të jetë vetëm nga termocentralet me thëngjill.Së këndejmi, vlerësoj se Banka Botërore dhe BERZH-i kanë reaguar në mënyrë të rregullt, dhe jo vetëm këta, por duhet që të largohen edhe investitorët, emrat e të cilëve që nuk janë bërë publikë, andaj në këtë drejtim Qeveria e Kosovës duhet që të marrë masa për parandalimin e ndërtimit të këtij termocentrali me thëngjill. Kjo, ngase sot jetojmë në një kohë ku teknologjia dhe idetë janë pak më ndryshe se në kohët e mëparshme, pasi sot ka alternativa më të shëndetshme për krijimin e energjisë elektrike sesa që ishte deri më tash energjia me thëngjill", theksoi ai. "Para 10 - 12 vjetëve në Gryken e Rugovës një investitor i huaj ka dashur që të ndërtojë digën për një hidrocentral, por ka qenë pengesë në këtë drejtim Kisha Ortodokse apo si njihet me emrin Patrikana e Pejës, që janë ankuar dhe ky projekt u anulua. Prandaj, ka ardhur koha që mos të dëgjojmë as krerët e kishave e as të xhamive, por të dëgjohet zëri i qytetarit, sepse kam besim të plotë se një ditë në lokalitetin e Rugovës do të ndërtohet ky hidrocentral dhe shumë të tjerë në tërë territorin e Kosovës", vlerësoi Grapci. "Me këtë do të ulet edhe çmimi i energjisë elektrike deri në 60 për qind. Nëse duam ambient të pastër, pa ndotje, atëherë u bëj apel institucioneve tona që ta marrin pak seriozisht këtë problem dhe le të mendojnë për alternativa të tjera të furnizimit me energji elektrike e jo vetëm me thëngjill", shtoi më tutje ai.

Mesazhi frikësues për investitorët

Ndërsa, afaristi Ramadan Maloku, anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, për gazetën "Kosova Sot" ,tha se tërheqja e Bankës Botërore dhe BERZH-it nga financimi i këtij projekti është një lajm i keq për bizneset vendore . "Prandaj, kam shumë frikë se tërheqja e BB-së dhe e BERZH-it nga financimi i TC-së "Kosova e Re" do të jetë sinjali më negativ që po e dërgon Qeveria 'Haradinaj' te investitorët e huaj potencialë që duan të investojnë në Kosovë. Tërheqja e BBsë dhe BERZH-it sikur e ka dhënë alarmin se edhe në të ardhmen në Kosovë nuk do të ketë energji të mjaftueshme elektrike, gjë që pa asnjë dyshim do të trembë investitorët e huaj që të vijnë në Kosovë. Fundja, askush nuk rrezikon që të investojë në një vend që nuk ka furnizim të rregullt me energji. Prandaj, e kam frikën se e tërë barra e ndërtimit të TC-së" Kosova e Re" mund të bjerë mbi Qeverinë e Kosovës, në rast se nuk gjen donatorë të rinj", potencoi ai. Ndërsa, deputeti i dikurshëm i Kuvendit të Kosovës Xhevdet Neziraj, për gazetën "Kosova Sot", thotë se një lajm më të keq për shtetin tonë sesa që ishte tërheqja e Bankës Botërore dhe ajo e BERZH-it nga financimi i pjesshëm i Termocentralit "Kosova e Re" nuk mund të kishim pritur. "Por, e keqja më e madhe është se projekti i domosdoshëm energjetik për Kosovën ka qenë dashur të kryhet 10 vjet më parë. E tëra kjo shtyrje ndodhi nga tendenca e klaneve të caktuara politike për të kontrolluar paratë e investuara për TC, andaj ka shtyrë këtë projekt për më shumë se 10 vjet. Kjo, ngase të gjitha qeveritë e deritashme kanë pasur këtë projekt si prioritet, por nuk ia kanë dalë që ta ndërtojnë, sepse është lufta politike për kontrollin e këtij resursi të madh. Ky dështim sikur është edhe një tregues se qysh spektri politik kosovar është i dobët dha i kriminalizuar dhe se punon vetëm për interesa të veta", u shpreh ai. "Nga mosndërtimi i kësaj TC-je, me fuqi 500 MW, Kosova humb mbi 150 milionë euro në vit. Po të ishte ndërtuar me kohë, investimi do të ishte shlyer i tëri. Prandaj, mungesa e energjisë nuk i siguron bizneset dhe industrinë e vogël me furnizim të pandërprerë, dhe kjo situatë pa energji e zbeh shumë klimën edhe ashtu të keqe për investitorë të huaj, krijon një pasiguri të madhe në përgjithësi", vijoi më tej Neziraj. Sipas tij, nuk ka dyshim se tërheqja e BB-së dhe e BERZH-it, nga financimi i këtij projekti, është një njollë e zezë për investimet e huaja edhe në fushat e tjera të industrisë.

"Tërheqja e BB-së dhe e BERZH-it nga financimi i TC-së "Kosova e Re" do të jetë sinjali më negativ që po e dërgon Qeveria 'Haradinaj' te investitorët e huaj potencialë që duan të investojnë në Kosovë. Tërheqja e BB-së dhe BERZH-it sikur e ka dhënë alarmin se edhe në të ardhmen në Kosovë nuk do të ketë energji të mjaftueshme elektrike, gjë që pa asnjë dyshim do të trembë investitorët e huaj që të vijnë në Kosovë. Fundja, askush nuk rrezikon që të investojë në një vend që nuk ka furnizim të rregullt me energji. Prandaj, e kam frikën se e tërë barra e ndërtimit të TC-së 'Kosova e Re' mund të bjerë mbi Qeverinë e Kosovës, në rast se nuk gjen donatorë të rinj", thotë afaristi Ramadan Maloku, anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, për gazetën "Kosova Sot" .

PROJEKT JOSERIOZ

"Qeveria 'Haradinaj' e ka përkrahjen tonë në projektin që do ta zgjidhte për të paktën disa dekada problemin e energjisë elektrike në Kosovë. Por, e keqja është se jo vetëm ata si opozitë, por edhe shoqëria civile e Kosovës në vazhdimësi e kanë kundërshtuar ndërtimin e Termocentralit 'Kosova e Re' për shkak se ky projekt nuk do të sigurojë pavarësi të furnizimit energjetik dhe do të minojë rrugëtimin e vendit drejt proceseve integruese. Prandaj, edhe ky dështim po tregon se sa është e dëmshme çdo ditë e kësaj Qeverie dhe se do të ishte e mirëseardhur një ditë më pak e kësaj keqqeverisjeje", tha Salih Salihu për Kosova Sot".

PASOJAT E ZVARRITJES

"Vonesa në ndërtimin e TC-së "Kosova e Re", Republikën e Kosovës më së shumti do ta dëmtojë, përveç në mungesën e energjisë, edhe në aspektin mjedisor. Termoelektranat ekzistuese janë ndotëset e mëdha dhe 'Kosova A' duhet të mbyllet, ndërsa 'Kosova B' të riparohet tërësisht ", thotë Milazim Abazi për "Kosova Sot".

 

JOSTABILITETI LARGON INVESTITORËT

"BB-ja nuk është tërhequr nga ky projekt për shkak të politikave të saj në fushën e mbrojtjes së mjedisit, sepse ndërtimi i një TC-je me teknologjinë bashkëkohore ka arsyeshmëri të mjaftueshme mjedisore, aq më parë kur dihet se ndërtimi i një termocentrali të ri krijon mundësi për rehabilitimin e TC-ve të vjetra. Tërheqja e BB-së dhe e BERZH-it nga projekti i madhe erdhi nga pasiguria politike e krijuar kohëve të fundit rreth temave të bisedimeve me Serbinë dhe e veç saj ka pasur dyshime se klanet politike kanë tentuar që të kontrollojnë investimet dhe stafin e angazhuar nga kompania kontraktuese për qëllime të ngushta klanore", tha Xhevdet Neziraj për "Kosova Sot".

 

(Kosova Sot)